Fluturime testuese në kantierin e Aeroportit të Vlorës – Një shfaqje e madhe elektorale

Fluturime testuese në kantierin e Aeroportit të Vlorës – Një shfaqje e madhe elektorale

Deklaratë për shtyp nga EuroNatur dhe PPNEA

Fluturime testuese në kantierin e Aeroportit të Vlorës – Një shfaqje e madhe elektorale

++ Kryeministri Edi Rama krenohet me fluturimet testuese në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës ++ Aeroporti Ndërkombëtar i Mynihut (Munich Airport International) tërhiqet nga roli këshillimor ++ Institucionet evropiane dhe Konventa e Bernës kritikojnë ashpër projektin kontrovers të aeroportit ++

Tiranë/Radolfzell. Sot, qeveria shqiptare orkestroi një shfaqje të madhe me fluturime testuese mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, ndonëse pjesë të mëdha të aeroportit janë ende në ndërtim e sipër. As pista, as terminali nuk janë përfunduar, dhe as kulla e kontrollit nuk është plotesisht funksionale. Aleksandër Trajçe, Drejtor Ekzekutiv i PPNEA, partneri shqiptar i BirdLife, e lidh këtë zhvillim me zgjedhjet e ardhshme:

“Në Shqipëri është kthyer tashmë në traditë që të shfaqen ‘arritje’ infrastrukturore para zgjedhjeve, pavarësisht nëse projektet janë të përfunduara apo jo. Fluturimet testuese të sotme në aeroportin e Vlorës nuk bëjnë përjashtim, një koreografi e mirëpërgatitur për të dhënë përshtypjen e një aeroporti gati për operim. Në realitet, ndërtimi është larg përfundimit. Ndërsa qeveria fluturon lart me propagandën për aeroportin, ajo që ndodh në terren është një zhvillim i nxituar dhe kaotik brenda një zone të mbrojtur, me rreziqe të shumta për sigurinë gjatë ndërtimit dhe në operimet e ardhshme, si dhe me një shkatërrim të pakthyeshëm të habitateve natyrore.”

Nuk është e vërtetë që trafiku i rregullt ajror do të fillojë së shpejti në Aeroportin e Vlorës, ashtu siç nuk është i vërtetë as pretendimi i përsëritur nga Edi Rama gjatë Konventës së ITB Berlin këtë vit, se Munich Airport International (MAI) do të operojë Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Në fakt, MAI, i cili ishte i përfshirë si këshillues deri në prill 2025, e ka ndërprerë bashkëpunimin me projektin e diskutueshëm.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është kritikuar ashpër jo vetëm nga grupet mjedisore si PPNEA dhe EuroNatur, por edhe nga Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës dhe Konventa për Ruajtjen e Llojeve Shtegtare. Projekti i aeroportit i ndërtuar pranë Lagunës së Nartës, një lagunë e mbrojtur ndërkombëtarisht për hir të rëndësisë së jashtëzakonshme për shtegtimin e shpendëve, pjesë e deltës së Vjosës, përbën një shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare të mjedisit. Nëse vazhdon më tej, do të rrezikojë një nga ekosistemet më unike të Evropës dhe do të rrezikojë jetën e pasagjerëve për shkak të mundësisë së lartë të përplasjes me shpendët.

“Në kontekstin e aspiratave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vazhdimi i shkeljes së ligjeve ndërkombëtare të mbrojtjes së natyrës është tejet befasues. Kjo nuk i shërben përparimit të negociatave për anëtarësim, por përkundrazi, ne besojmë se do të sjellë vonesa të konsiderueshme në këtë proces,” – thekson Gabriel Schwaderer, Drejtor Ekzekutiv i EuroNatur.

Megjithë kritikat ndërkombëtare, qeveria shqiptare ka vijuar të promovojë Shqipërinë si “kampione të turizmit”, vetëm disa muaj pas shpalljes së lumit Vjosa si Parku i Parë Kombëtar i një lumi të egër në Evropë. Aeroporti i Vlorës duket se është preludi i një iniciative më të gjerë turistike në jug të vendit, që përfshin edhe ndërtimin e infrastrukturës për firmën e investimeve të Jared Kushner (dhëndri i Donald Trump), Affinity Partners, e cila planifikon të zhvillojë një resort luksoz në lagunën e Nartës dhe në ishullin e pabanuar të Sazanit, brenda një parku detar të mbrojtur. Në shkurt 2024, u miratua një ligj i ri që lejon ndërtimin e projekteve të mëdha në zona të mbrojtura, nëse promovojnë turizmin. Projekti i Kushner u bë publik menjëherë pasi ndryshimi ligjor për Zonat e Mbrojtura u miratua.

Fotografitë bashkëlidhur janë në dispozicion vetëm për përdorim lidhur me këtë njoftim për shtyp, me përmendjen e burimit.

Foto 1: Fluturimet testuese më 8 maj 2025.

Foto 2: Dy tufa flamingosh të mëdha me sfond kullën e kontrollit në ndërtim pranë Lagunës së Nartës, një dëshmi e rrezikut që paraqet aeroporti për jetën e shpendëve dhe sigurinë ajrore. © PPNEA

Foto 3: Pamje ajrore e Lagunës së Nartës dhe Ishullit të Sazanit. Firma e investimeve e Jared Kushner planifikon ndërtimin e një resorti luksoz në këtë zonë të mbrojtur. © Nick St. Oegger

Foto 4: Aktivistë të PPNEA-s dhe organizatave të tjera protestojnë më 7 maj 2025 përpara Gjykatës së Lartë për vonesën në shqyrtimin e padisë kundër ndërtimit të aeroportit. © PPNEA

Informacion shtesë:

  • Laguna e Nartës ndodhet në deltën e Vjosës, në një nga pjesët e fundit të paprekura të bregdetit shqiptar të Adriatikut.
  • Aeroporti Ndërkombëtar i Mynihut GmbH (MAI) është një degë e Flughafen München GmbH, në pronësi të shtetit të Bavarisë (51%), shtetit federal gjerman (26%) dhe qytetit të Mynihut (23%).
  • Më 23 nëntor 2022, PPNEA dhe AOS, me mbështetjen e EuroNatur, depozituan një padi në Gjykatën Administrative kundër ndërtimit të Aeroportit të Vlorës. Çështja është ende në pritje.

Kontakt për media:
Christian Stielow, EuroNatur, email: [email protected], tel: +49 7732 9272 15
Lorena Xhafaj, PPNEA, email: [email protected], tel: +355 562 8954

Postime të ngjashme