Dita Ndërkombëtare e Shpendëve Shtegtues
Dy herë në vit, miliarda shpend shtegtues nisin udhëtimet më epike në të gjithë globin, që vetë natyra ofron.⠀
Shpendët shtegtues arrijnë në mënyrën më mbresëlënëse shpejtësinë, lartësinë dhe distancat por udhëtimet e tyre janë plot vështirësi dhe rreziqe. Ndërhyrjet e njerëzve i kanë bërë këto udhëtime më të komplikuara dhe rraskapitëse për ta.
❌ Miliona shpend vriten ilegalisht çdo vit si pasojë e gjuetisë së paligjshme.
❌ Peizazhet tona bujqësore janë pushtuar nga ferma të mëdha intensive, që nuk i lënë vend natyrës.
❌ Përdorimi i gjerë i pesticideve ndikon rëndë në shëndetin e shpendëve por edhe përdorimi i makinerive të mëdha është gjithashtu përgjegjës për rritjen e vdekshmërisë së tyre.
❌ Aktivitetet njerëzore po shkaktojnë humbjen, degradimin dhe fragmentimin e habitateve të shpendëve përgjatë shtegtimit, ndërsa pyjet priten, ligatinat thahen dhe qytetet zhvillohen me një ritëm të jashtëzakonshëm.
❌ Shumë shpend nuk arrijnë kurrë në destinacionin e tyre sepse nuk i mbijetojnë dot përplasjes me linjat e energjisë elektrike dhe ndërtesat, apo shpërqendrohen nga ndotja prej ndriçimit nga dritat artificiale.
❌ Me temperatura më të ngrohta në fillim të vitit dhe thatësira më të shpeshta që çojnë në mungesën e ujit, shpendët shtegtojnë më herët dhe mbërrijnë përpara se ushqimi të jetë i disponueshëm.
Edhe pse kërcënimet janë të shumta, ka ende kohë për të siguruar një të ardhme më të mirë për shpendët shtegtues. Partneriteti BirdLife vepron përtej kufijve dhe kontinenteve, për të ndihmuar shpendët në realizimin e vazhdueshëm të një prej mrekullive më të mëdha të natyrës – shtegtimin.