Ditët e brezit të gjelbër evropian shënojnë rënien e barrierave fizike midis Evropës Perëndimore dhe asaj lindore, si dhe bashkimin e njërëzve në natyrën që për vite me rradhë përfaqësonte një kufi që nuk mund të kalohej.
Celebrimi i këtyre ditëve është kthyer në një traditë për organizatën tonë, ku për vite me rradhë kemi përzgjedhur zona me vlera të larta të biodiversitetit, duke bashkuar komunitetet e vendeve kufitare për të festuar së bashku.
Këtë vit, ekipi ynë i festoi ditët e brezit të gjelbër evropian në rajonin ndërkufitar Korab-Koritnik-Sharr, nëpërmjet një aktiviteti dy-ditor shkëmbimi midis fëmijëve të zonës së Shishtavecit dhe atyre të zonës së Dragashit në Kosovë.
Gjatë ditës së parë, një grup fëmijësh të vendit fqinj, të shoqëruar nga mësues dhe përfaqësues të organizatës partnere FINCH, u bënë pjesë e festës së patates në fshatin Shishtavec, ku midis të tjerave u organizuan aktivitete sportive, si dhe një panair me produktet e zonës.
Gjatë ditës së dytë, fëmijët e fshatit Shishtavec, kthyen vizitën në Kosovë, ku vizituan për herë të parë Liqenin e Breznës, pjesë të bjeshkëve të Malit Sharr, si dhe Rezervën Strikte Natyrore të Bredhikut.
Ekipi ynë falenderon përzemërsisht Shoqatën e Pyjeve dhe Kullotave në Novosejë, komunitetin lokal të zonës së Shishtavecit dhe Novosejës, organizatën partnere FINCH, Green Belt Association, si dhe Fondacionin EuroNatur.
Kërcimi me tre hapa. © PPNEA
© PPNEA
© PPNEA
Fituesi i garës me kuaj. © PPNEA
© PPNEA