Gënjeshtrat që po shkatërrojnë natyrën shqiptare!

Gjatë një interpelance të zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë mbi ndërtimin e aeroportit të Vlorës në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, mes deputetes Znj. Jorida Tabaku dhe Ministres së Turizmit dhe Mjedisit Znj. Mirela Kumbaro, u pranua nga vete Ministrja se aeroporti po ndërtohet në brendësi të zonës së mbrojtur.

Deri përpara këtij momenti, shqetësimi i ngritur nga organizatat e shoqërisë civile se aeroporti është duke u ndërtuar në brendësi të zonës së mbrojtur ishte përgenjeshtruar duke propaganduar se projekti në fjalë po ndërtohet jashtë zonës së mbrojtur dhe, për më tepër, në përputhje me direktivat për mbrojtjen e natyrës të Bashkimit Europian.

Gjatë zhvillimit të interpelancës Ministrja Kumbaro pohoi se sipërfaqja ku po ndërtohet aeroporti është hequr nga mbrojtja ligjore. Ky pohim, krahas faktit që është i rremë dhe që bazohet mbi një vendim që ende nuk ka marrë fuqi ligjore, nuk garanton ruajtjen e integritetit ekologjik të zonës. Aeroporti brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë Nartë, edhe sikur sipërfaqja të jetë e pambrojtur, do të ketë një ndikim të pakthyeshëm dhe shkatërrimtar mbi thesarin që Vjosë-Narta mbart!

 
Postime të ngjashme