Izolimi i shtyllave elektrike për mbrojtjen e shpendëve të egër në Shqipëri
Për herë të parë në Shqipëri, u pilotua suksesshëm nisma e izolimit të shtyllave përcjellëse të energjisë elektrike me qëllim ruajtjen e shpendëve të rrallë grabitqarë të vendit tonë dhe në veçanti ruatjen e kalit të qyqes (Neophron percnopterus) ose shkabës së fundit të Shqipërisë. Gjatë këtij aktiviteti u izoluan mbi 30 shtylla elektrike ose një gjatëse linje prej rreth 4 km. Elektroshoku si pasojë e kontaktit me përcjellësit e energjisë elektrike është vërtetuar të jetë një ndër kërcënimet më domethënëse për shpendët grabitqarë dhe izolimi i shtyllave elektrike konsiderohet një masë efektive për të zbutur këtë kërcënim. Shqipëria mbart një popullatë të vogël të kalit të qyqes e shpërndarë në 9 territore të zëna (të dhënat e vitit 2018) në të cilat për fat të keq është i pranishëm një formë rrjeti (tension i mesëm dhe i ulët) i shpërndarjes së eneregjisë elektrike i cili është shumë i rrezikshëm për shpendët grabitqarë. Ky rrjet, duhet izoluar tërësisht së paku në një rreze të sigurtë nga qendra e secilit territory. Territori i Nivicës, në njësinë administrative të Kurveleshit u bë copa e parë e territorit të vendit në të cilin u zbatua një nismë e tillë, por qëllimi është që në të ardhmen e afërt, izolimi i shtyllave të kryhet në të gjithë territoret e mbetura të kalit të qyqes në vend dhe më tej të shtrihet edhe në korridoret kryesore të shtegtimit.
Kjo nismë u realizua nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) në bashkpëpunim të ngushtë me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) të Qarkut Gjirokastër, nëpërmjet degës së OSHEE Tepelenë. Kjo nismë është me interes të veçantë edhe për OSHEE pasi redukton rastet e avarive që ndodhin në rrjet jo vetëm si pasojë e shpendëve të egër por edhe me gjerë. Shprehim mirnjohje dhe falënderim të veçantë për punonjësit e OSHEE dega Tepelenë për punën e përkushtuar të realizuar në kuadër të këtij aktiviteti.
Kjo nismë u mbështet gjithashtu nga projektet “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave” , “Egyptian vulture Neë LiFE” dhe drejtuesit e komunitetit të zonës.