Bretkosa endemike e Shqipërisë (Pelophylax shqipericus) jeton në ekosisteme ujore, si këneta, ligatina me ujë të ëmbël, apo brigje lumenjsh dhe liqenesh të mbuluar me bimësi. Ekziston një shqetësim në nivel ndërkombëtar në lidhje me statusin e kësaj bretkose, për arsye se popullata e saj është në rënie dhe habitatet ku ajo gjendet janë në degradim të vazhdueshëm.
Ky lloj i rrezikuar (EN) që listohet në Aneksin III të Konventës së Bernës është ndeshur prej ekspertëve të kontraktuar nga PPNEA gjatë hartëzimit të habitateve prioritare sipas udhëzimeve të Natura 2000 në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, duke i shtuar këtij ekosistemi një tjetër vlerë diversiteti biologjik.
Gjatë dy ekspeditave të fundit që ekspertët së bashku me studentë realizuan në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, ata u ndeshën edhe me lloje të tjerë, si breshka e zakonshme (Testudo hermanni), gjarpri i ujit (Natrix natrix), hardhuca e mureve (Podarcis muralis), breshkujza (Emys orbicularis), etj.
Na ndiqni për të mësuar më tepër mbi jetën e egër dhe habitatet prioritare në Vjosë-Nartë!
Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian.
Bashkimi Evropian nuk është përgjegjës për përmbajtjen e këtij publikimi.