DEKLARATA E INICIATIVËS EUROPIANE PËR MISHNGRËNËSIT E MËDHENJ (LCIE) NË LIDHJE ME RASTIN E VRASJES SË RRËQEBULLIT NË SHQIPËRI

DEKLARATA E INICIATIVËS EUROPIANE PËR MISHNGRËNËSIT E MËDHENJ (LCIE) NË LIDHJE ME RASTIN E VRASJES SË RRËQEBULLIT NË SHQIPËRI
30 Qershor 2020 Rrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx balcanicus), subspecie e rrëqebullit Euroaziatik, është një lloj i rrezikuar në mënyrë kritike (CR) sipas Listës së Kuqe të IUCN, me më pak se 50 individë të mbetur. Rrëqebulli i Ballkanit është i listuar në apendiksin II të Konventës së Bernës (Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitatet Natyrore Evropiane), e cila parashikon mbrojtje strikte nga shtetet ku shtrihet territori i tij, si dhe nxit bashkëpunimin ndërkufitar për ruajtjen e këtij lloji. Listimi i rrëqebullit në këtë konventë detyron vendet përgjatë territorit të tij që të bëjnë përpjekje maksimale për sigurimin e mbijetesës, përmirësimin e popullatës, si dhe mbrojtjen e habitatit e të prehut. Prezenca e vazhdueshme e rrëqebullit si dhe riprodhimi janë konfirmuar deri më tani në dy zona brenda territorit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si Parku Kombëtar i Mavrovo-s dhe Mali i Munellës, duke përfshirë territorin përreth. Por, në muajin Prill 2020, studiues nga Shqipëria konfirmuan riprodhimin e rrëqebullit të Ballkanit edhe në zonën malore Polis-Gur i Zi-Valamare, e ndodhur në Shqipërinë Qendrore. Nga fundi i muajit Maj 2020, Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), e cila prej më shumë se 15 vitesh punon për ruajtjen e rrëqebullit të Ballkanit, u njoftua mbi rastin e vrasjes së një rrëqebulli në zonat malore të Shqipërisë së Mesme. Rasti  në fjalë u raportua në restorantin “Ke Rrema” në qytetin e Elbasanit, brenda të cilit, që prej muajit Janar të vitit 2017 (Fig.1), gjenden të balsamosur edhe dy individë të tjerë të rrëqebullit të Ballkanit. Në këtë restorant, të identifikuar prej PPNEA-s si një epiqendër e krimit mbi jetën e egër, përveç rrëqebujve, gjenden të balsamosur edhe individë të ariut të murrmë (Ursus arctos) dhe të kaprollit (Capreolus capreolus), specie të cilat janë të mbrojtura prej ligjit shqiptar. Veç kësaj, në po të njejtin restorant, serviren pjata me bazë mishi të egër, pavarësisht ndalimit ligjor të gjuetisë në Shqipëri. Duke qenë në dijeni të statusit kritik të popullatës së rrëqebullit të Ballkanit, si dhe të mbrojtjes ligjore që kjo subspecie gëzon prej ligjit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, PPNEA, në datën 5 Qershor 2020, e denoncoi rastin pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. I gjithë informacioni së bashku me provat mbështetëse u paraqitën para prokurorit, pa kursyer detaje, të çfarëdo forme. Fatkeqësisht, përgjigja e autoriteteve nuk ishte ajo që pritej dhe asnjë veprim nuk u ndërmorr prej tyre në ditët në vijim. PPNEA, e vetme, arriti që të sigurojë dëshmi fotografike të balsamosjes së rrëqebullit të tretë, i cili ishte ekspozuar në krahë të dy rasteve më të hershëm (Fig.2). Sërish, provat u dërguan në prokurori, por asnjë veprim konkret nuk u ndërmorr. Apatia e vazhdueshme ligjore si dhe mos-reagimi i autoriteteve shqiptare e detyruan PPNEA-n që të denoncojë rastin në mediat vendase si dhe ato ndërkombëtare. Artikulli i publikuar në të përditshmen franceze “Liberation” u pasua prej një numri të lartë artikujsh në mediat shqiptare. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në datën 23 Qershor 2020, organizoi një mbledhje urgjente lidhur me rastin në fjalë. PPNEA, në këtë mbledhje, i raportoi drejtpërdrejt Ministrit detajet mbi vrasjen e rrëqebujve. Prej kësaj date, asnjë veprim nuk është marrë dhe asnjë individ nuk është shpallur përgjegjës për vrasjen e këtij individi të një subspecie të rrezikuar në mënyrë kritike. Kodi penal i Republikës së Shqipërisë parashikon deri në shtatë (7) vite burgim për rastet e vrasjes së kafshëve të mbrojtura ligjërisht. Ekspertët pranë PPNEA-s krahasuan evidencat fotografike të rrëqebullit të vrarë me rrëqebujt e fotografuar nëpërmjet kamerave kurth përgjatë rajonit ku ndodhi incidenti. Nga ky proces, ekspertët dolën në përfundimin se rrëqebulli i vrarë ishte fotografuar në muajin Dhjetor të vitit 2018, nëpërmjet kamerave kurth të vendosura prej Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Elbasan (Fig.3). Pra, është fakt që ky rrëqebull i vrarë ka ardhur prej popullatës së rrëqebullit të Ballkanit të ndodhur në rajonin e Elbasanit. Fatkeqësisht, ky nuk është një rast i izoluar. Gjithsej, përgjatë shtrirjes territoriale të kësaj subspecie në Ballkanin Jug-Perëndimor, që prej vitit 2006, partnerët e Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit zotërojnë prova për 14 raste vrasjesh. Duke marrë në konsideratë numrin e ulët të popullatës së këtij lloji si dhe faktin që rastet e njohura përbëjnë vetëm majën e dukshme të fenomenit, ky numër është tejet shqetësues dhe konfirmon faktin që gjuetia ilegale është një kërcënim kryesor për mbijetesën e rrëqebullit të Ballkanit në natyrë. I bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të adresojnë me ugjencë e korrektësi këtë rast në mënyrë që përgjegjësit të përballen me drejtësinë, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe marrëveshjet ndërkombëtare të cilat Shqipëria ka nënshkruar. Statusi kritik i Rrëqebullit të Ballkanit bën që humbja qoftë edhe e një individi mund të shkatërrojë mbijetesën e të gjithë popullatës. Përpjekje maksimale duhet ndërmarrë në mënyrë që ligji të adresojë siç duhet këto raste, me qëllim minimizimin e rrezikut të mundshëm në të ardhmen, i cili e shtyn rrëqebullin e Ballkanit një hap më afër zhdukjes. https://www.facebook.com/LCIEIUCN/posts/1140431679677347  
Postime të ngjashme