5 ZOGJ TË ÇELUR NË PLATFORMËN E GJIROKASTRËS

5 ZOGJ TË ÇELUR NË PLATFORMËN E GJIROKASTRËS
Fillimi i muajit prill shënoi ardhjen e pranverës në Gjirokastër me mbërritjen e çiftit të lejlekut (Ciconia ciconia), të cilët filluan menjëherë me rregullimin dhe “fortifikimin” e folesë. Për këtë arsye, ditët e para pas çeljes së vezëve ishte e vështirë të përcaktohej saktë numri i zogjve të çelur.
Përgjithësisht, ky lloj lëshon 2 deri në 4 vezë të cilat pas çeljes ushqehen nga prindërit deri në momentin që përvetsojnë më së miri instiktin e gjuetisë dhe janë gati të ndërmarrin fluturimin për mbijetesë drejt vendeve të dimërimit. Për fat të keq, ky ritual po bëhet gjithnjë e më i vështirë si pasojë e humbjes së habitatit dhe për pasojë zvogëlimin e burimit të ushqimit.
Lajmi i mirë është se foleja më e famshme e lejlekut në Shqipëri tashmë ka 5 të vegjël nën përkujdesjen prindërore, duke thyer kështu rregullin e zakonshëm të numrit të vezëve. Pavarësisht optimizmit të këtij lajmi, mbijetesa e të gjithë të lejlekëve të vegjël do të jetë një mision sfidues për çiftin e platformës duke marrë parasysh se burimi kryesor i ushqimit për to në zonë është liqeni i Viroit, i cili gjatë muajit gusht është plotësisht i tharë, duke kufizuar rezervat ushqimore përpara shtegtimit.
Ndërkohë që situata me të gjitha foletë ende nuk mund të përcaktohet saktë, një nga çiftet e lokalizuara në Delvinë e ka braktisur folenë duke ndërprerë sezonin e folezimit.
Duke dëshmuar suksesin e platformës, PPNEA do të vazhdojë me instalimin e tyre duke krijuar hapësira për çifte të tjera folezuese të këtij lloji.
Postime të ngjashme