LIFE DinPin Bear: Një projekt ambicioz për ruajtjen e ariut të murrmë në rajonin Dinarik–Pindos

LIFE DinPin Bear: Një projekt ambicioz për ruajtjen e ariut të murrmë në rajonin Dinarik–Pindos
LIFE DinPin Bear: Një projekt ambicioz për ruajtjen e ariut të murrmë në rajonin Dinarik–Pindos

Një projekt i ri europian, LIFE DinPin Bear, nisi në janar 2026 në nëntë vende përgjatë vargmalit Dinarik–Pindos, me synimin për të zbatuar një strategji gjithëpërfshirëse për ruajtjen e ariut të murrmë në nivel popullate në këtë rajon. Më 22–23 prill 2026, në qytetin e Budvës në Mal të Zi, u zhvillua takimi i parë i projektit, me pjesëmarrjen e rreth 50 përfaqësuesve nga 21 organizata partnere.

Gjatë këtij takimi dy-ditor, të organizuar nga Qendra për Studimin dhe Mbrojtjen e Shpendëve të Malit të Zi (CZIP), pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe të diskutojnë objektivat dhe aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të LIFE DinPin Bear. Popullata e ariut të murrmë Dinarik–Pindos (Ursus arctos) shtrihet në nëntë vende pjesëmarrëse në projekt: Shqipëri, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë (Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës / Republika Srpska), Greqi, Kosovë, Kroaci, Mal i Zi, Serbi dhe Slloveni. Me rreth 4,000 individë, kjo është popullata e ariut në Evropë që shtrihet në numrin më të madh të vendeve, çka e bën menaxhimin e saj shumë sfidues, por njëkohësisht edhe thelbësor.

Tre shtetet anëtare të Bashkimit Europian (Kroacia, Sllovenia dhe Greqia) kanë zbatuar më parë praktika efektive menaxhimi që kanë kontribuar në rimëkëmbjen e popullatës së ariut. Megjithatë, qëndrueshmëria afatgjatë e këtyre popullatave mbetet e pasigurt, pasi konfliktet njeri–ari vazhdojnë të jenë një çështje e ndjeshme dhe habitatet e tyre janë nën presion të vazhdueshëm.

Statusi i ariut të murrmë në vendet jashtë Bashkimit Europian është më pak i studiuar dhe më pak i kuptuar. Në shumë raste mungojnë plane gjithëpërfshirëse menaxhimi ose, kur ato ekzistojnë, nuk zbatohen në mënyrë efektive. Këto sfida përkeqësohen më tej nga mungesa e koordinimit ndërkufitar dhe menaxhimit në nivel popullate.

Projekti LIFE DinPin Bear fokusohet në krijimin e kushteve ligjore, menaxheriale dhe socio-ekonomike për të garantuar ruajtjen afatgjatë të ariut të murrmë në rajonin Dinarik–Pindos.

Shtyllat kryesore të projektit janë:
  • Hetimi dhe reduktimi i fragmentimit të habitatit dhe rënies së popullatave të ariut
  • Menaxhimi efektiv i konflikteve njeri–ari dhe ofrimi i mjeteve për bashkëjetesë me komunitetet lokale
  • Forcimi i kuadrit ligjor dhe procedurial për monitorimin dhe menaxhimin e popullatave
  • Përmirësimi dhe harmonizimi i bashkëpunimit ndërkufitar
  • Sigurimi i mbështetjes së grupeve kryesore të interesit për ruajtjen afatgjatë të këtij lloji.
Çdo vend ose entitet politik përfaqësohet në projekt nga një organizatë qeveritare dhe një organizatë joqeveritare. “Zbatimi i këtij projekti përfaqëson një moment historik për ruajtjen e ariut të murrmë në Evropë,” shprehet Gabriel Schwaderer, Drejtor i EuroNatur, organizata koordinuese e LIFE DinPin Bear. “Kjo është një nismë shumë ambicioze që mbulon të gjithë shtrirjen e popullatës Dinarik–Pindos, duke krijuar një mundësi unike për përmirësimin e menaxhimit dhe masave të ruajtjes. Jemi të vetëdijshëm për sfidat, por edhe shumë krenarë që po bashkojmë organizata qeveritare dhe joqeveritare nga vende anëtare të BE-së dhe vende kandidate.”

Presim që projekti të ketë një ndikim shumë pozitiv në popullatën e ariut të murrmë,” shton Antje Henkelmann, koordinatore e projektit në EuroNatur. “Ariu i murrmë ka qenë historikisht i persekutuar, por në fakt shmang kontaktin me njerëzit dhe luan një rol kyç në ekosisteme. Si mishngrënësi më i madh në kontinent, ai ndikon në biodiversitet, strukturën e habitateve dhe ciklet e ushqimit.

Partnerët e projektit: 

EuroNatur – Gjermani, DivjaLabs – Slloveni, Shërbimi Pyjor Slloven (SFS) – Slloveni, Universiteti i Zagrebit – Kroaci, Ministria e Bujqësisë – Kroaci, Qendra për Mjedisin (CZZS) – Republika Srpska, Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Historike dhe Natyrore – Republika Srpska, Qendra Burimore e Mjedisit (REC) – Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës, Ministria Federale e Mjedisit dhe Turizmit – Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës, Instituti për Mbrojtjen e Natyrës së Serbisë (INCS) – Serbi, Universiteti i Beogradit – Serbi, Qendra për Mbrojtjen dhe Kërkimin e Shpendëve (CZIP) – Mali i Zi, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) – Mali i Zi, Grupi për Veprim Mjedisor të Përgjegjshëm (ERA) – Kosovë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – Kosovë, Qendra për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) – Shqipëri, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) – Shqipëri, Shoqata Ekologjike Maqedonase (MES) – Maqedonia e Veriut, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Fizik – Maqedonia e Veriut, Callisto – Greqi, Agjencia për Mjedisin Natyror dhe Ndryshimet Klimatike (NECCA) – Greqi.

Projekti LIFE DinPin Bear (LIFE24-NAT-DE-LIFE DinPin Bear/101214048) synon të zbatojë një strategji gjithëpërfshirëse për ruajtjen e ariut të murrmë në nivel popullate në të gjithë vargmalin Dinarik–Pindos.

Projekti zbatohet në nëntë vende, tre prej të cilave janë shtete anëtare të Bashkimit Europian: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina (Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës / Republika Srpska), Greqia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia.

LIFE DinPin Bear bashkon një partneritet multidisiplinar prej 20 organizatash, duke përfshirë universitete dhe institucione kërkimore, autoritete kombëtare dhe lokale, si dhe organizata joqeveritare mjedisore. Projekti ka nisur në janar 2026 dhe do të zgjasë deri në qershor 2031. Buxheti total i projektit është 9,426,977.15 €, dhe financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian përmes Programit LIFE (75%), ndërsa 25% e mbetur mbulohet nga burimet vetjake të partnerëve.
Postime të ngjashme