Parku Kombëtar Divjakë –Karavasta ishte ligatina e përzgjedhur për të zhvilluar kampin e katërt ndërkufitar “Shpendët s’kanë Kufij”. Ky kamp u zhvillua në datat 1-5 tetor 2018 me studentë të degës së biologjisë e kërkues shkencor dhe u organizua nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën për Ruajtjen dhe Studimin e Shpendëve në Malin e Zi (CZIP), Shoqërine ornitologjike “Nase Ptice” nga Bosnje Hercegovina dhe Shoqata Ekologjike Maqedonase (MES)
Në këtë edicion, studentët u fokusuan tek monitorimi i shpendëve grabiqarë shtegtues si dhe shpendëve të ujit. PK Divjakë-Karavasta, ndodhet në pjesën perëndimore të Shqipërisë, i cili shtrihet përgjatë fushës së Myzeqësë me dalje nga Deti Adriatik dhe si pasojë e shumëllojshmërisë së shpendëve dhe bimëve, kjo zonë është e identifikuar si zonë me rëndësi të lartë të shpendëve dhe bimëve në nivel ndërkombëtar.
Ligatina e Karavastasë, një nga më të mëdhatë në Detin Mesdhe, e njohur si një ligatinë me rëndësi të lartë në nivel ndërkombëtar nga Konventa Ramsar. Pasuria e madhe e faunës është e reflektuar edhe në listën e llojeve dhe nënllojeve të regjistruara deri tani, me 228 specie shpendësh, 25 specie gjitarësh, 29 specie reptilësh dhe 29 amfibësh. Ky park është shumë i njohur pasi në të ndodhet 5% e popullatës botërore të llojit të rrezikuar dhe të rrallë, pelikanit kaçurrel.
Vec kësaj, Divjakë-Karavasta është një vend i rëndësishëm për faunën ujore dhe luan rol të rëndëishëm në ekonominë e peshkatarëve vendas. Peizazhi mahnitës është një karakteristikat spikatëse të këtij parku të cilat ndikojnë pozitivisht në ekonominë vendase dhe si portë për zhvillimin e turizmit.
Kampi u organizua në kuadër të projektit “Shpendët s’kanë Kufij”, mbështetur financiarisht nga Fondi për Ballkanin Perëndimor (WBF), themeluar e qëllim përmisimin e bashkëpunimit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimin e tyre drejt Bashkimit Europian.
“Shpendët s’kanë Kufij” shpjegon se shpendët shtegtues nuk kanë kufij siç kanë shtetet dhe thekson nevojën për të shtuar përpjekjet për të kontribuar në mbrojtjen diveristetit të shpendëve në rrugën e shtegtimit përgjatë Adriatikut (Adriatic Flyway). Ky projekt ka si qëllim të rrisi dhe të forcojë bashkëpunimin ndërkufitar midis organizatave të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor.