Gjatë punës disavjeçare të PPNEA për ruajtjen e kalit të qyqes në vend, u krijua rrjeti “Shpëtimtarët e Kalit të qyqes”, i përbërë nga barinj, fermerë, gjuetarë, veterinerë etj që gjenden në afërsi të territoreve të folezimit të kalit të qyqes (
Neophron percnopterus). Ky rrjet lokal, konsiderohet si një aktorët kryesorë që mund të luajnë një rol kyç në ruajtjen e këtij lloji të rrezikuar globalisht.
Ekipi PPNEA zhvilloi ditën e premte një takim me anëtarë të rrjetit, ku u diskutuan tematika të ndryshme, qe kishin në fokus informimin dhe ndërgjegjësimin e anëtarëve të rrjetit mbi impaktet negative të praktikës së helmimit, metodat alternative që mund të përdoren për zgjidhjen e konflikteve njeri-jetë e egër, si dhe u diskutua se si prania e kalit të qyqes në zonat ku ata jetojnë apo turizmi i kundrimit të shpendëve, mund të shërbejë si një mjet për gjenerimin e të ardhurave për komunitetin.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin gjithashtu përfaqësues nga ADZM Gjirokastër, ISUV dhe Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit Gjirokastër, të cilët dhanë një pasqyrim më të plotë të kuadrit ligjor për përdorimin helmeve, apo dhe masave ndëshkuese për ushtrimin e kësaj praktike të paligjshme, e konsideruar tashmë si krim mjedisor.
Ky takim u zhvillua në kuadër të projekteve Egyptian Vulture New Life dhe Balkan Detox LIFE, që kanë si synim reduktimin e helmimit të faunës së egër, veçanërisht të shkabave, në Ballkan dhe më tej.
© PPNEA
© PPNEA