Një marrëveshje bashkëpunimi midis PPNEA dhe Universitetit “Fan S. Noli” Korçë

Një marrëveshje bashkëpunimi midis PPNEA dhe Universitetit “Fan S. Noli” Korçë
Bashkëpunimi midis organizatave të shoqërisë civile dhe universiteteve është një marrëdhënie sinergjike që ofron mundësi të panumërta për rritjen e kapaciteteve në nivel kërkimor dhe avancimin profesional të studentëve për t’i afruar më pranë fushave të punësimit. Aq më tepër kur marrim në konsideratë organizata me një histori të konsoliduar dhe universitete që për breza me rradhë kanë formuar profesionistë dhe studiues. Bashkëpunimi ynë me universitetin e Korçës ka filluar që prej vitit 2016, gjatë shkollave të para verore që PPNEA ka organizuar në rajonin ndërkufitar të Prespës. Studentë të dedikuar të këtij universiteti u bënë pjesë një morie leksionesh dhe praktikash në terren, të lidhura së bashku nën ombrellën e shkollës verore të titulluar “Menaxhimi i Ekosistemeve Pyjore dhe Kullotave në rajonin ndërkufitar të Prespës”, apo festimit të ditëve të shënuara mjedisore, siç ishte “Dita e Drinit”.     Gjatë kësaj iniciative ekipi ynë u njoh me të rinj energjik, të cilët ishin të apasionuar pas natyrës dhe punës sonë në këtë rajon. Një prej këtyre studentëve ishte Sabina Çano, që aktualisht punon si koordinatore projektesh pranë PPNEA, e rekrutuar në sajë të angazhimit të treguar gjatë shkollës verore ndërkufitare të organizuar nga partnerët e rrjetit të organizatave ndërkufitare PrespaNet, Shoqata për Ruajtjen e Prespës (SPP). Megjithëse bashkëpunimi ynë me Universitetin e Korçës ka qenë aktiv prej vitesh, firmosja e një marrëveshje bashkëpunimi midis palëve u zyrtarizua më datë 21/05/2021, pas përfundimit të konferencës shkencore me titull “Përqafo Natyrën” të organizuar nga Departamenti i Biologji-Kimisë. Në këtë konferencë, si përfaqësuese e PPNEA, Sabina prezantoi projektet aktuale të organizatës, në veçanti nismat kërkimore dhe ato të monitorimit në kuadër të projektit ndërkufitar “The Prespa Project – Biodiversity Conservation in the Prespa Basin”. Sabina ndau me pjesëmarrësit avancimin e saj profesional si pjesë e PPNEA, duke i nxitur të gjithë studentët për të vazhduar pasionet e tyre po njësoj si ajo.   © PPNEA © PPNEA   Pas përfundimit të konferencës, Drejtori Ekzekutiv i PPNEA Dr. Aleksandër Trajçe, së bashku me Dekanin e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane Prof. As. Dr. Sonila Stillo, firmosën një marrëveshje zyrtare bashkëpunimi, e cila do të hapë rrugën drejt një partneriteti afatgjatë e frytdhënës në ndihmë të kërkimit shkencor dhe aktivizmit për natyrën. Qëllimi i kësaj marrëveshje është angazhimi i ndërsjelltë i të dy strukturave në kuadër të zhvillimit të ekskursioneve dhe praktikave mësimore apo profesionale për studentët e ciklit Bachelor dhe Master pranë degës Biologji-Kimi, në “laboratorin” e vërtetë natyror, Parkun Kombëtar të Prespës. Akoma më tej, marrëveshja në fjalë parashikon vendosjen në dispozicion të aseteve të ndërsjellta me qëllim rritjen e kapaciteteve në fushat e kërkimit shkencor për ruajtjen e natyrës, siç është edhe zyra lokale e PPNEA në Dolna Gorica / Goricë e Vogel. E ndodhur afër rajonit dhe universitetit, zyra lokale i shërben studentëve si një hapësirë për takime, shkëmbime njohurish dhe eksperiencash me studentë të tjerë dhe partnerë nga të tre anët e Prespës. Gjithashtu stafi i zyrës lokale do të vazhdojë të jetë në dispozicion për t’i mbështetur dhe ndihmuar studentët për çdo pyetje apo nevojë që ato mund të kenë gjatë vizitave në terren.   © PPNEA   © PPNEA   Marrëveshje të tilla janë të një rëndësie të jashtëzakonshme, duke i shërbyer rritjes së kapaciteteve të studentëve e kërkuesve të rinj shkencor në fushën e ruajtjes së natyrës, si dhe gjenerimit të projekteve dy-palëshe me fokus kërkimor, promovues, konservues, etj. Ekipi ynë synon që të tilla marrëveshje të zyrtarizohen edhe me universitete të tjerë në Shqipëri, me qëllim ngritjen e një rrjeti kombëtar bashkëpunimi nga i cili do të përfitojë si natyra e vendit tonë, ashtu edhe komunitetet lokale apo profesionistët e rinj në kërkim të mundësive.
Postime të ngjashme