REZULTATET E FAZËS SË PARË TË MONITORIMIT TË POPULLATËS SË KALIT TË QYQES

REZULTATET E FAZËS SË PARË TË MONITORIMIT TË POPULLATËS SË KALIT TË QYQES
Pas një jave monitorimi intensiv të popullatës së kalit të qyqes në rajonin e Gjirokastrës, Luginës së Drinos dhe Kurveleshit, ekipi ynë ka grumbulluar të dhenat paraprake.
 
Nga 10 territore të monitoruara gjatë kësaj ekspedite prej dy ekipesh kërkimore të drejtuara nga ekspertë të PPNEA, së bashku me të dhënat e përcjella nga partnerë kombëtar e ndërkombëtar, u identifikuan 5 territore të zëna me çifte të shkabës së fundit folezuese në Shqipëri. Vitin e kaluar, popullata e këtij shpendi u vlerësua me 6 çifte dhe 3 individë të vemtuar, duke na bërë të mendojmë se edhe këtë vit, së paku, do ta arrijmë këtë numër dhe, për më tepër, shpresojmë që ta tejkalojmë.
 
Fazës së parë të monitorimit të popullatës së kalit të qyqes, e realizuar nga PPNEA, AOS dhe AdZM Gjirokastër, ju bashkuan edhe anëtarë të rrjetit “Shpëtimtarët e Kalit të Qyqes”, me të cilët diskutuam mbi situatën përreth territoreve të folezimit dhe rreziqet e mundshme ndaj shkabës së mrekullueshme.
 
Besnikëria e kalit të qyqes ndaj vendit të tij të lindjes nuk ndryshon. Ato çfarë duhet të ndryshojnë janë praktikat e gabuara njerëzore që e vendosin në rrezik këtë lloj të veçantë, si kurthet me helm apo shqetësimet afër territoreve të folezimit, të cilat ekipi ynë është përpjekur t’i adresojë që prej vitit 2013.
 
Deri në fillimin e fluturimit për mbijetesë, të gjithë me sytë nga kali i qyqes!
 
© Z. Vorpsi / PPNEA
 
© Xh. Xherri / PPNEA
 
© Z. Vorpsi / PPNEA
Postime të ngjashme