Kanë mbetur vetëm pak ditë deri në kthimin në shtëpi të kalit të qyqes dhe stacionet suplementare të ushqimit (SFS) janë tashmë gati të mirëpresin “Sjellësin e pranverës”. Të dy stacionet do të mirëmbahen nga rrjeti “Shpëtimtarët e kalit të qyqes” përgjatë gjithë sezonit të folezimit të kalit të qyqes.
Mirëmbajtja e stacioneve përfshin një proces të vazhdueshëm, i cili kërkon prerje të bimësisë së tepërt apo shkurreve, në mënyrë që të jetë lehtësisht i dallueshëm në zone. Gjithashtu, përveç rëndësisë “vizuale”, stacionet suplementare shërbejnë si mjet kryesor në sigurimin e ushqimit të sigurtë për kalin e qyqes. Kali i qyqes (Neophron percnopterus) konsiderohet një lloj i rrezikuar globalisht dhe popullata e tij vlerësohet të jetë rreth 51 territore të zëna dhe 47 çifte riprodhuese në të gjithë Ballkanin, ndërsa në Shqipëri zë më pak se 10 territore. Kërcënimi kryesor më i madh që ka shkaktuar dhe rënien drastike të popullatës së kësaj shkabe të jashtëzakonshme janë karremat e helmatisur ose “vrasësi i heshtur”, që përdoren për arsye të konflikteve njeri-mishngrënës apo për kontroll të popullatës së grabitqarëve. Për këtë qëllim, për të zvogëluar rrezikun nga helmimi, PPNEA ka ndërtuar dy stacione suplementare dhe që nga ajo kohë ato janë mirëmbajtur rregullisht duke u furnizuar me ushqim të sigurt çdo javë dhe muaj. Gjithashtu, përmes kamerave kurth të instaluara, tani çdo vizitë e kalit të qyqes mund të monitorohet dhe fotot kanë treguar se sa shpesh këto lloje përdorin këto vende për t’u ushqyer me “ushqimin e tyre të preferuar”.
Mund të duket e lehtë për të mirëmbajtur këto stacione, por çdo punë ka vështirësitë e saj dhe çdo anëtar i rrjetit ose person i angazhuar mund të përballet me disa sfida, si distanca ose terreni për të mbërritur në stacion, të cilat ndonjëherë mund të jenë të vështira për t’u menaxhuar. Gjithashtu, pavarësisht krizës pandemike, anëtarët e rrjetit “Shpëtimtarët e kalit të qyqes” po vazhdojnë të punojnë fort, por gjithnjë nën një mbikëqyrje dhe kujdes të lartë.
Dëshirojmë të falënderojmë projektin Egyptian Vulture New LIFE për përkrahjen e tyre dhe Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Gjirokastër, një nga partnerët tanë kryesorë në zonë për kontributin e tyre në mirëmbajtjen e këtyre stacioneve suplementare.