Një vizitë me përfaqësues të mediave në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë

Një vizitë me përfaqësues të mediave në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë
Vjosë-Narta, oazi i rrallë natyror, shtëpia e një shumëllojshmërie shpendësh, ndodhet nën kërcënimin e vazhdueshëm të zhvillimeve intensive, të cilat nëse zbatohen sikurse janë planifikuar, do të zhdukin në mënyrë të pakthyeshme vlerat natyrore që kjo zonë mbart. Për këtë arsye, PPNEA së bashku me Institutin për Ruajtjen e Natyrës (INCA), si organizata partnere për Shqipërinë në rrjetin e organizatave rajonale të BioNet, organizuan në datën 27/08/20 një ekspeditë me disa përfaqësues të mediave kombëtare në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të këtij grupi tejet me vlerë në mirëinformimin e opinionit publik për rëndësinë e ruajtjes së kësaj zone.
 
Gjatë ekspeditës, përfaqësuesit e mediave diskutuan me ekspertët tanë mbi rëndësinë dhe vlerat ekologjike të kësaj zone, mbrojtjen ligjore që ajo gëzon, si dhe planet për zhvillim intensiv dhe jo të qendrueshëm të qeverisë shqiptare për ndërtimin e një aeroporti ndërkombëtar në brendësi të zonës së mbrojtur. Prishja e një ekosistemi të tillë nuk përbën vetëm humbjen e një zone me interes, por përbën shkatërrimin e një habitati unik, i cili nuk ndodhet askund tjetër në Shqipëri. Për këtë arsye, PPNEA së bashku me grupin e organizatave mjedisore në mbrotje të Vjosë-Nartës, e kundërshton në mënyrë kategorike këtë iniciativë të papjekur të institucioneve qeverisëse. Gjithashtu, e ri-theksojmë gatishmërinë tonë për të kontribuar në përzgjedhjen e një territori të përshtatshëm për ndërtimin e aeroportit jashtë Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë.
 
 
 
 
 
Postime të ngjashme
Komente

Your email address will not be published.Required fields are marked *