Tiranë, datë 04/03/2021
Njoftim për ShtypSi të mbrosh foletë e shpendëve: nëse i do, lëri të qetë
Ky artikull është pjesë e programit Spring Alive, i cili ka si qëllim të frymëzojë e edukojë të rinjtë e Afrikës dhe Euroazisë mbi mrekullitë e natyrës dhe shtegtimin e shpendëve. Sesoni i Spring Alive 2021 është mundësuar sërish nga HeidelbergCement, i cili ka qenë një partner i Birdlife që prej vitit 2011, duke bashkëpunuar në nivel global për implementimin e aksioneve me qëllim minimizimin e impakteve të shkaktuara prej guroreve dhe përmirësimin e menaxhimit të biodiversitetit në to. Çdo pranverë shpendët i kushtojnë kohë dhe energji të konsiderueshme vezëve dhe të vegjëlve të tyre. Nëse dëshiron t’i japësh atyre ndihmë, më poshtë do të gjesh disa këshilla të thjeshta që mund t’i aplikosh në kopshtin tënd apo zonën përreth për të ruajtur foletë e shpendëve. Imagjino të fluturosh për mijëra kilometra deri në vendet e folezimit, duke lëvizur krahët, duke kënduar këngët më të bukura, e madje duke luftuar shpendët e tjerë për të gjetur një partner. Ju ndërtoni një fole së bashku, formoni shtëpinë degë pas dege, e më pas inkuboni me rradhë vezët tuaja të shtrenjta gjatë ditëve e netëve. Por, vetëm kur zogjtë të kenë çelur, puna më e lodhshme do të fillojë, kur çdo sekondë për muaj të tërë shpenzohet duke ushqyer këta të vegjël që kërkojnë veç ushqim. Ashtu si çdo prind që pohon se të rrisësh fëmijë nuk është aspak e lehtë, shpendët folezues kanë nevojë për ndihmën e të gjithëve ne. Si pjesë e temës së Spring Alive për këtë vit, “Si mund të mbrojmë foletë e shpendëve?”, më poshtë do të gjeni disa gjëra që mund të bëni për ndihmuar përpjekjet e shpendëve në zonën tuaj, duke u siguruar që ata të sjellin në jetë zogj të shëndetshëm këtë pranverë: Nëse i do, lëri të qetë Gjetja e një foleje shpendësh në kopshtin apo zonën tuaj mund të jetë kënaqësi, megjithatë, pasi ta keni identifikuar, është tejet e rëndësishme ta lësh të qetë. Nëse i afrohesh më tepër nga çduhet, ti mund ta dëmtosh – edhe zhurma e lartë apo shqetësimet mund të jenë shkaqe të mjaftueshme që shpendët t’i braktisin foletë e tyre. Për më tepër, ti mund të jesh duke krijuar një shteg arome i cili mund të ndiqet prej grabitqarëve, duke i afruar drejt një vakti të lehtë. Nëse foleja ndodhet në tokë, ti mund të përdorësh një shkop për të shënjuar zonën ku nuk duhet shkelur. Në zonat urbane, studiuesit rekomandojnë mbajtjen e një distance të paktën 60 metër larg foleve të shpendëve të mëdhenj, siç janë shpendët grabitqarë dhe çafkat. Megjithatë, ti mund ta shijosh këtë pamje duke përdorur dylbitë… Lëre kopshtin të rritet! Bimët mundësojnë vende të përshtatshme ku shpendët mund të rrisin të vegjlit e tyre. Nëse shikon një shpend duke ndërtuar fole në degët e tyre, mos e lëviz atë deri në momentin që sezoni i folezimit të ketë mbaruar. Për shembull, në Evropën Veriore, përpiqu të shmangësh livadhet apo shkurret midis Shkurtit dhe Gushtit. Informohu mbi sezonin e folezimit në vendin tënd për një guidë më të specifikuar. Mbaji kafshët në brendësi të shtëpisë Ne mund t’i duam miqtë tanë leshatorë, por macet shndërrohen në gjahtarë të përsosur në mjediset jashtë shtëpisë. Për shkak se ato nuk janë pjesë natyrore e ekosistemit, macet mund të shkaktojnë një impakt shkatërrues në popullatat e shpendëve përreth – sidomos kundrejt shpendëve që folezojnë në tokë. Prandaj, mbaje macen tënde brenda në shtëpi, ose krijo një vend të jashtëm të kufizuar. Qentë, gjithashtu, mund të ushqehen me vezët dhe zogjtë e shpendëve, prandaj mbaji me litar afër zonave ku shpendët folezojnë në tokë. Ndërto një kuti shpendësh të sigurt ndaj grabitqarëve Grabitqarët vendas janë pjesë natyrore e ekosistemit – por nëse shqetësohesh për llojet invaziv, apo nëse diku afër ndodhet një lloj i rrallë shpendi të cilin kërkon ta ndihmosh, ka një numër të gjerë modifikimesh që mund të kryesh për ta shndërruar një kuti folezimi të thjeshtë në një fortesë ndaj grabitqarëve. Ti mund të përforcosh hyrjen me metal, apo të instalosh një tub rreth 5-8 cm të gjatë në vend të një vrime. Zgjatja e çatisë me 12 cm përreth mureve të kutisë mund ta vështirësojë afrimin e grabitqarëve nga sipër. Vendndodhja është gjithashtu e rëndësishme: në mënyrë ideale, kutia mund të jetë së paku tre metra mbi tokë dhe larg ndërtesave apo pemëve përreth, duke evituar ngjitjen e grabitqarëve. Vendosja e kutisë në një metal të rrëshqitshëm do të ndalonte edhe ngjitësit më të zotë! Ke parë një fole në rrezik? Thuaj diçka! Shumë vende kanë miratuar ligje për të mbrojtur shpendët folezues. Nëse shikon dikë që vjedh vezë apo zogj prej foleve, apo nëse një zonë e rëndësishme folezimi është duke u shënjestruar për ngritjen e ndërtesave, informo autoritetet lokale. Kujtohu që siguria jote vjen e para, për këtë arsye nuk është një ide e mirë të përballesh me kundravajtësit. Autoritetet kanë linja të dedikuara apo forma të cilat mund të plotësohen online, ku mund të raportosh shqetësimet e tua në mënyrë anonime. Mbështet ruajtjen e natyrës Grupet e ruajtjes së natyrës si BirdLife International, organizuesi i Spring Alive, janë duke punuar për mbrojtjen e habitateve më të rëndësishme për shpendët folezues. Duke kryer një donacion, duke vullnetarizuar, apo madje duke rritur ndërgjegjësimin, ti je duke ndihmuar për ruajtjen e llojeve të tua të preferuara për brezat që do të vijnë. Për informacion më të detajtuar, kontakto: Sabina Çano Oficere e Spring Alive PPNEA [email protected] +355692156222 Për më tepër informacion vizito www.springalive.net Ndiq Spring Alive në Facebook, Instagram dhe Flickr Shënime për redaktorët: (1) Mbi Spring Alive Spring Alive është një projekt ndërkombëtar i organizuar nga BirdLife International, një organizatë botërore për ruajtjen e shpendëve. Kjo fushatë është dizenjuar për të ndihmuar fëmijët e Evropës, Azisë dhe Afrikës, familjet e tyre, miqtë dhe mësuesit, për të kuptuar dhe ndërmarrë aksione për shpendët dhe natyrën, si dhe për të kuptuar nevojën për ruajtjen ndërkombëtare të shpendëve shtegtues. Komponenti kryesor i Spring Alive është website-i www.springalive.net, ku kontribuojnë pjesëmarrës nga mbi 50 vende të Evropës, Azisë dhe Afrikës. Të gjithë qytetarët, në mënyrë specifike fëmijët dhe familjet, inkurajohen të vëzhgojnë dhe të mbajnë të dhëna mbi mbërritjen e 7 lloje shpendësh shtegtues çdo vit, si: Lejleku, Dallëndyshja bishtgërshërë, Dejkat, Qyqja, Vrapuesi jakëzi, Dallëndyshja e brigjeve dhe Gargulli. Spring Alive koordinohet nga OTOP (Birdlife Poloni), në sajë të një parteriteti BirdLife. Projekti i Spring Alive mbështetet nga HeidelbergCement. (2) HeidelbergCement HeidelbergCement është një nga nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të materialeve të ndërtimit, me një pozicion drejtues në tregun e agregateve, çimentos dhe betonit. Rreth 54,000 punonjës në më tepër se 3,000 lokacione të shpërndara në mbi 50 vende të botës, mundësojnë një performancë afatgjatë financiare nëpërmjet ekselencës dhe qëndrimit të hapur ndaj ndryshimeve. Në qendër të aksioneve ndodhet përgjegjësia ndaj mjedisit. Si një udhëheqës në rrugën e neutralizimit të karbonit, HeidelbergCement prodhon zgjidhje për të ardhmen. Në më tepër se 800 gurore në të gjithë botën, HeidelbergCement ndihmon në ruajtjen e llojeve dhe habitateve gjatë dhe pas procesit të nxjerrjeve të materialit. Nëpërmjet partneritetit me Birdlife International dhe organizatave partnere në nivel kombëtar, HeidelbergCement synon të maksimizojë rolin që lokacionet e përdorura prej tij mund të luajnë në mbështetjen e biodiversitetit, duke implementuar plane menaxhimi gjatë fazës aktive të guroreve, si dhe duke krijuar habitate gjatë procesit të restaurimit. Ky plan përputhet me Angazhimet e Qëndrueshme 2030.