Kampi i vjeshtës i unazimit, i cili u organizua gjatë muajit shtator dhe tetor në Parkun Kombëtar të Prespës, përmbylli me sukses unazimet për vitin 2021, si një mënyrë re për studimin e shpendëve në këtë zonë. Krahas rritjes së kapaciteteve, ky proces ndihmon në mbledhjen e të dhënave të rëndësishme për shpendët, karakteristikat e tyre morfologjike, etj.
Në kampin e vjeshtës krahas ekspertëve të jashtem dhe grupit të PPNEA, u bashkuan dhe stafi i ADZM Korçë e studentët praktikantë nga Universiteti Eberswalde, në Gjermani. Rezultatet e numëruara për kampin e vjeshtës arritën në mbi 20 lloje dhe mbi 60 individë të unazuar. Disa prej tyre përmendim Harabeli spanjoll (Passer hispaniolensis), Larushi kurrizkuq (Lanius collurio), Dallëndyshja bishtgërshërë (Hirundo rustica), Fishkëllyesi gushëverdhë (Phylloscopus trochilus), Bilbilthi i zhukës (Acrocephalus schoenobaenus), Bilbilthi i përhimë (Sylvia communis).
Kampi i unazimit plotëson më tej studimet e tjera që po zhvillohen me fokus shpendët, si pjesë e projektit të Prespës, të cilat do të zbatohen edhe gjatë dy viteve të ardhshme. Këto studime do të mundësojnë grumbullimin e informacionit sa më të plotë dhe të përditësuar për llojet e shpendëve në Parkun Kombëtar të Prespës.
Urojmë që vitin e ardhshëm të shohim persëri individët e unazuar dhe të kemi një numër edhe më të madh unazimi të llojeve në park.