Lundërza

Emri shkencor

Lutra lutra

Përshkrimi

Lundërza është një gjitar mishngrënës gjysmë-ujor, i cili njihet lehtësisht, por vetëm rrallë mund të vërehet. Konsiderohet si një lloj territorial, i vetmuar. Shpesh, për të vërtetuar praninë e tij në zona të ndryshme, shërbejnë jashtëqitjet apo të vjellat në habitate si grykëderdhje, gurë etj.

Ushqimi

Në varësi të disponueshmërisë, dieta është e larmishme dhe mund të përbëhet nga peshq, gjitarë të vegjël, shpendë, amfibë, krustace dhe insekte.

Shpërndarja dhe habitati

Lundërza është lloji me përhapjen më të madhe në botë që shtrihet në tre kontinente: Europë, Azi dhe Afrikë. Lundërza jeton në një shumëllojshmëri habitatesh ujore, duke përfshirë liqenet, lumenjtë, rrjedhat lumore, apo zonat bregdetare pavarësisht madhësisë, lartësisë apo origjinës së tyre.

Statusi i ruajtjes

Lundërza është një lloj plotësisht i mbrojtur nga legjislacioni shqiptar, si dhe është pjesë e Aneksit II dhe IV të Direktivës Europiane të Habitateve. Në Shqipëri, sipas një studimi të realizuar në vitin 2017, prania e saj është konfirmuar në tre liqenet më të rëndësishme të vendit tonë, liqeni i Shkodrës, i Ohrit dhe liqenet e Prespës. Por ky lloj që prej vitit 2021, është gjithashtu në fokus për një studim të dedikuar në Parkun Kombëtar të Prespës, me aktivitete monitoruese, edukuese etj.

Dhuroni

Kontributi juaj financiar mund të jetë një ndihmë e madhe për ne që të punojmë për të mbrojtur të ardhmen e mjedisit natyror në Shqipëri.
Dhuro