Ekosistemet bregdetare dhe detare të Shqipërisë, veçanërisht ato brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosa-Nartë dhe Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, përfaqësojnë zona me biodiversitet të jashtëzakonshëm dhe vlera të larta ekologjike. Megjithatë, këto zona po përballen gjithnjë e më tepër me rreziqe të mëdha si degradimi i habitateve, krimet mjedisore dhe zbatimi i dobët i ligjeve për mbrojtjen e mjedisit. Në përgjigje të kësaj situate, projekti synon të forcojë rolin dhe kapacitetin e Organizatave të Shoqërisë Civile për Mjedisin (OJF) dhe Grupimeve Lokale të Veprimit (LAG), në mënyrë që ato të marrin pjesë në mënyrë aktive në hartimin dhe zbatimin e politikave për ruajtjen e natyrës, në përputhje me Rrjetin Natura 2000 të Bashkimit Europian dhe angazhimet ndërkombëtare për biodiversitetin.
Nisma
Projekti ndjek një qasje të plotë dhe të ndërthurur për mbrojtjen e mjedisit, përmes tre shtyllave kryesore:
- Rritja e kapaciteteve për advokim dhe mbrojtje të natyrës për OJF-të dhe LAG-ët lokalë;
- Zbatimi i veprimeve konkrete për ruajtjen e biodiversitetit dhe përballjen me ndryshimet klimatike;
- Rritja e ndërgjegjësimit dhe nxitja e ndryshimeve në sjellje, veçanërisht te aktorët lokalë dhe brezi i ri.
Paketat e Punës
Për të arritur objektivat e saj, nisma strukturohet në tre Paketa Kryesore Pune:
1 – Ndërtimi i Kapaciteteve dhe Advokimi:
Fuqizimi i aftësive teknike dhe të advokimit të OJF-ve dhe LAG-eve për të monitoruar biodiversitetin, për të denoncuar dëmtimet mjedisore dhe për të ndjekur zbatimin e ligjit.
2 – Veprime Konkrete për Ruajtjen e Natyrës:
Mbështetje për iniciativa konkrete bashkëpunimi me autoritetet për mbrojtjen dhe restaurimin e biodiversitetit.
3 – Ndërgjegjësim dhe Ndryshim në Sjellje:
Angazhim i të rinjve, komuniteteve vendore dhe grupeve me interesa ekonomikë për të nxitur një kulturë përgjegjshmërie dhe kujdesi ndaj natyrës.
Grupet e Synuara
Ky projekt synon një gamë të gjerë aktorësh të përfshirë në qeverisjen dhe mbrojtjen e mjedisit, përfshirë:
- Organizatave të Shoqërisë Civile për Mjedisin (OJF) dhe Grupimeve Lokale të Veprimit (LAG);
- Politikëbërës dhe përfaqësues të autoriteteve vendore dhe kombëtare;
- Garda Bregdetare, Policia Bashkiake, ADZM dhe Inspektorati i Peshkimit;
- Grupi ekonomikë me interes si peshkatarë, operatorë turistikë dhe fermerë;
- Studentë nën moshën 25 vjeç, nga shkolla dhe universitete.
Palët e Interesuara
Bashkëpunimi me partnerët institucionalë dhe ndërkombëtarë është thelbësor për suksesin e projektit. Ndër aktorët kyç janë:
- Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura (ADZM) Vlorë – përgjegjëse për zbatimin në terren;
- Ministria e Turizmit dhe Mjedisit – mbështetëse për dialogun dhe proceset e avokimit;
- Bashkia dhe Prefektura e Vlorës – për bashkërendim lokal, informim dhe adresim të problematikave;
- Organizata dhe agjenci ndërkombëtare;
- Komitetet e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura.
Zbatimi dhe Kohëzgjatja
Projekti do të zbatohet nga CELIM, në bashkëpunim me PPNEA, për një periudhë 30-mujore, duke filluar nga dhjetori i vitit 2024. Suksesi i kësaj nisme do të mbështetet mbi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.
Me këtë veprim të përbashkët synojmë jo vetëm të përmirësojmë qeverisjen mjedisore dhe ruajtjen e biodiversitetit në Shqipërinë e Jugut, por edhe të fuqizojmë shoqërinë civile që të bëhet një aktor thelbësor në mbrojtjen e trashëgimisë sonë natyrore.