Rezultatet paraprake të monitorimit të parë për këtë sezon të kalit të qyqes në Shqipëri

Rezultatet paraprake të monitorimit të parë për këtë sezon të kalit të qyqes në Shqipëri
Përfundon me sukses faza e parë e monitorimit për këtë sezon për popullatën e Kalit të Qyqes (Neophron percnopterus) në Shqipëri. Rezultatet e monitorimit për konfirmimin e territoreve tregojnë se popullata e Kalit të Qyqes në Shqipëri gjendet në nëntë territore të okupuara, e shtrirë në zonën e Mallakastrës, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Përmetit. Popullata për këtë vit përbëhet nga 5 çifte dhe 4 individë të vetmuar. Nisur nga këto rezultate paraprake dhe krahasimi me 2019, mund të themi se popullata e Kalit të Qyqes vlerësohet stabël, por duke treguar gjithnjë një trend negativ. Bazuar në të dhënat e monitorimit rezulton se popullata e kësaj specieje vazhdon të jetë kritike. Dikur shumë i zakonshëm, sot, Kali i Qyqes gjendet vetëm në disa territore të kufizuara, në jug të vendit. Numri i kufizuar i individëve të Kalit të Qyqes në Shqipëri tregon gjendjen kritike të kësaj popullate dhe njëherazi thekson domosdoshmërinë e marrjes së veprimeve konkrete në mbrojtjen e shkabës së fundit folezuese në vendin tonë. Këto veprime kërkohet të përqëndrohen kryesisht në:
  • parandalimin e përdorimit të karremave helmues,
  • izolimin e shtyllave për të parandaluar elektroshokun,
  • mbrojtjen dhe konservimin e habitatit dhe
  • parandalimin e shqetësimit dhe persekutimit të species.
  Ky monitorim paraprak i popullatës së Kalit të Qyqes në Shqipëri për 2020 u mundësua falë punës së AOS, PPNEA, ADZM Gjirokastër dhe grupeve lokale të konservimit, në kuadër të projektit “Egyptian Vulture New Life /Jetë e Re për Kalin e Qyqes“. Krahas aktiviteteve të tjera konservuese, ekipi do të vazhdojë përgjatë gjithë sezonit folezues me vrojtime rutinë në terren. Ndërkaq, do të realizohen dhe dy ekspedita të tjera të dedikuara për monitorimin e popullatës së Kalit të Qyqes, përkatësisht në muajin qershor dhe gusht, duke saktësuar më tej numrin e individëve të popullatës së këtij lloji, po ashtu duke synuar ndjekjen e gjithë proçesit të inkubimit dhe rritjes së të vegjëlve, si dhe përllogaritjen e produktivitetit (të vegjël të aftë të fluturojnë) për fole.  Deri atëherë, le të shpresojmë për një sezon sa më të mbarë të folezimit të Kalit të Qyqes në Shqipëri!
Postime të ngjashme