Shpallja e një mbrojtjeje, por që synon dorëzimin

Shpallja e një mbrojtjeje, por që synon dorëzimin

Një vendim i vonuar i Këshillit të Ministrave që ndryshon statusin dhe sipërfaqen e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë, pikërisht në vendin ku po ndërtohet Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, sapo është publikuar në Fletoren Zyrtare.  Akti është miratuar përpara dhjetë ditësh, por Drejtoria e Komunikimit pranë Këshillit të Ministrave, nën përgjegjësinë e së cilës botohet çdo vendim qeverie, nuk e ka publikuar aktin në fjalë, në morinë e akteve të tjera, siç bën zakonisht.

Vendimi ka krijuar një zonë të re, e quajtur “Peizazh i Mbrojtur Pishë Poro-Nartë”, një territor i krijuar nga bashkimi i dy njësive të mëparshme: Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë dhe Rezervat Natyror i Manaxhuar/Park Natyror Pishë Poro.

Por ajo çka tërheq vëmendjen shkon përtej ndryshimit të emrit…

Sipas hartave shoqëruese, qeveria ka shkëputur edhe një hapësirë, rreth 310 ha, e pozicionuar në qendër të zonës së re, që përkon, ekzaktësisht, me pozicionin ku ndërtohet aeroporti i ri, si dhe ka hequr, gjithashtu, kodrat e kultivuara me ullishta e me vreshta të Panajasë e më gjerë, të cilat shtrihen në krahun lindor të Peizazhit; gjithsej 5,551.7 ha.

Pra, afro 20% e territorit të mëparshëm do të mbetet, këtej e tutje, pa mbrojtje.

Norma e humbjes do të ishte edhe më e madhe, nëse kompozimit të ri nuk do t’i bashkëngjitej sipërfaqja prej 1,500 ha e Rezervatit Natyror të Manaxhuar Pishë Poro, një ish rezervat gjuetie, i mbrojtur qysh më herët në periudhën komuniste.

 

HARTA SHOQËRUESE E VENDIMIT PËR NDRYSHIMIN E STATUSIT DHE TË SIPËRFAQES SË EKOSISTEMIT NATYROR/LIGATINOR “PISHË PORO–NARTË”

Në vendimin e shpallur mungojnë argumentat për heqjen e statusit dhe për ndryshimin e sipërfaqes së mbrojtur dhe do të duhen disa ditë më shumë për të kuptuar, nëse ndryshimi është në përputhje me legjislacionin mjedisor.

Me kërkesë të qeverisë, në mes të 2019-s, rrjeti kombëtar i zonave të mbrojtura natyrore iu nënshtrua procesit të përditësimit. Përgjatë një periudhe 2-vjeçare, nën drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, territori i mbrojtur u riformatua nga e para. Organizatat mjedisore dhe konservuesit e natyrës, të cilët ndoqën nga afër procesin reaguan publikisht kundër tij, duke parashikuar, veçanërisht, cënimin dhe integritetin ekologjik të ekosistemeve ligatinore. Laguna e Nartës, e cila përbën zemrën e Peizazhit të Mbrojtur, është ligatina e dytë për nga rëndësia, pas Karavastasë dhe shtrihet nën një korridor të rëndësishëm fluturimi të shpendëve shtegtarë, i quajtur Adriatik Flyway.

Qeveria i miratoi ndryshimet në janar (2022), por u kufizua vetëm në shpalljen e Parqeve dhe të Rezervateve, ndërkohë që shpalljen e kategorisë së Peizazheve dhe sipërfaqet ekzistuese që i përkasin kësaj kategorie, i mban ende të bllokuara, të paktën qysh prej një viti. Vendimi mbi Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë, i cili u mbajt i fshehur për dhjetë ditë, ishte i pari i kësaj kategorie.

Deri tani, autoritetet nuk i kanë shpjeguar arsyet e kësaj vonese. Akoma më shumë, nuk kuptohet përse kjo përzgjedhje, ndërkohë që zonat e tjera të së njëjtës kategori, vijojnë të mbeten të pa shpallura…

“Është një tentativë e dëshpëruar për të mbuluar një vendimmarrje tejet të korruptuar”, – shprehet Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), Z. Aleksandër Trajçe. “Autoritetet po përpiqen të mbrojnë vetveten përballë faktit të kryer, një vendimi të marrë kohë më parë: ndërtimit të aeroportit”, konstaton ai.

Qysh në fillim të procesit të rishikimit të Zonave të Mbrojtura, territori përreth Lagunës së Nartës u konsiderua “Patatja e nxehtë”, pasi vetë Kryeministri e kishte shpalluar verbalisht, qysh më parë, si vendin ku duhej të ndërtohej aeroporti i ri. Kësisoj, punimet për ndërtimin e aeroportit filluan në nëntor 2021, ndërkohë që zyrtarisht, territori ishte ende zonë e mbrojtur. Ndonëse një habitat natyror i rëndësishëm, të dhënat e publikuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT),  një organ planifikues në varësi të Këshillit të Ministrave, konfirmojnë se kompania e ndërtimit të aeroportit vijon të punojë ende pa një leje ndërtimi. Pak ditë më parë, Kryeministri reagoi ndaj një deklarate të kompanisë, e cila njoftonte përfundimin e fazës së parë të punimeve dhe u shpreh: Fantastike!

“Duket se në të ardhmen do të kemi një territor të mbrojtur me një pjesë të hequr në qendër të saj”, – shprehet Z. Trajçe nga PPNEA. “Asnjeherë më parë, në historinë e zonave të mbrojtura nuk ka ekzistuar një formë e tillë gjeografike, pasi integriteti fizik i një ekosistemi natyror të caktuar ka qënë, gjithmonë, i pacënueshëm. Duket se në të ardhmen do të kemi një zonë të mbrojtur me një vrimë të madhe në mes, brenda së cilës mund të ndodhë çfarëdo lloj zhvillimi i cili bie ndesh me objektivat për ruajtjen e natyrës, çka më shumë akoma, rrezikon të cënojë integritetin e pjesës së mbetur, përfundon, jo pa keqardhje ai.

Vendimi për ndryshimin e statusit dhe të sipërfaqes së Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro-Nartë, vjen në prag të takimit vjetor të Konventës së Bernës (Traktati Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës), ekspertët e së cilës, së bashku me përfaqësues edhe të dy konventave të tjera mjedisore, sapo kanë përfunduar një raport paraprak vlerësimi lidhur me impaktin e zhvillimeve për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës brenda territorit të Peizazhit të Mbrojtur. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet, pas pak ditësh, Komitetit të Përhershëm të Konventës për të dalë me vendim në takimin vjetor, në fund të muajit (nëntor). Vendimi pritet t’i komunikohet menjëherë qeverisë shqiptare, përmes Përfaqësuesit të Përhershëm të saj pranë Këshillit të Europës.

Me gjasë, kjo të jetë edhe arsyeja që qeveria nxitoi pikërisht tani që të shpallë vendimin mbi Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë, me shpresë se vënia përpara faktit të kryer mund ta zmbrapsë Konventën.

Nga Artan Rama

Postime të ngjashme