“SI TË BËHEMI KUNDRUES TË MIRË SHPENDËSH”, ZHVILLOHET KAMPI VEROR I SPRING ALIVE PËR TË RINJTË NË ZONËN E PRESPËS

“SI TË BËHEMI KUNDRUES TË MIRË SHPENDËSH”, ZHVILLOHET KAMPI VEROR I SPRING ALIVE PËR TË RINJTË NË ZONËN E PRESPËS
Fundjavën e kaluar, në zyrën Lokale të PPNEA-s në Prespë, u organizua kampi i parë veror me nxënësit e shkollës së mesme dhe nëntë-vjeçare, ku kishin mundësinë të mësojnë mbi kundrimin e shpendëve, njohjen e 7 llojeve të shpendëve shtegtarë të Spring Alive, së bashku me shpendët e tjerë të mrekullueshëm që gjenden në Prespë. Një grup prej 15 nxënësish nga shkolla e mesme dhe Junior Rangers-at nga fshatrat Pustec, Kallamas dhe Goricë e Vogël, në fillim, me anë të një prezantimi, u njohën me fushatën e edukimit të Spring Alive dhe më pas kampi vazhdoi me një ekspeditë buzë liqenit të Prespës së Madhe.
Grupi i nxënësve shprehu kuriozitet dhe gëzim për zbulimin e shpendëve të zonës së tyre, në një mënyrë ndryshe, të udhëzuar nga ekspertët e PPNEA-s dhe përfaqësuesit e ADZM Korçë. Me anë të dylbive, teleskopit dhe duke iu referuar udhëzuesit të shpendëve, ata arritën të kuptojnë se si të identifikojnë llojet më të zakonshme të shpendëve në liqen, si dhe të numërojnë disa prej llojeve të ndryshme të tyre.
Ky ishte kampi i parë veror i Spring Alive, ndërkohë që do të organizohen edhe kampe të tjera në rajone të ndryshme të zonave të mbrojtura në Shqipëri, duke shpresuar që të rinjtë të frymëzohen dhe të angazhohen në kundrimin e shpendëve dhe veprimeve për mbrojtjen e tyre.
Postime të ngjashme