Thirrje e hapur për ofrues shërbimesh: Zbatimi i aksioneve restauruese në Pashtrik-Morinë (Bashkia Tropojë)

Thirrje e hapur për ofrues shërbimesh: Zbatimi i aksioneve restauruese në Pashtrik-Morinë (Bashkia Tropojë)

Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) mirëpret propozime nga ofrues shërbimesh të kualifikuar për të zbatuar aksione restaurimi në zonën Pashtrik-Morinë si pjesë e projektit “Nisma e Pyjeve Veriore: Restaurimi i Pyjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri”. I koordinuar nga IUCN dhe i financuar nga Swedish Postcode Lottery Foundation, në Shqipëri projekti synon të restaurojë peizazhe pyjore të degraduara në bashkitë Has dhe Tropojë.

Pyetje dhe përgjigje

Fusha e veprimit

Ofruesi i shërbimit do të jetë përgjegjës për zbatimin e “Projekteve të Restaurimit të Peizazhit Pyjor” për Bashkinë Tropojë. Detyrat kryesore përfshijnë:

  1. Masa Bioinxhinierike
    Ndërtimi i gardheve çifte për të reduktuar erozionin e tokës, duke ndjekur “Projektin e Restaurimit të Peizazhit Pyjor” dhe lejet e miratuara nga Bashkia Tropojë dhe Agjencia Kombëtare e Pyjeve.
  2. Aktivitete Pyllezimi
    Mbjellja e llojeve vendase, si gështenja, bliri, plepi dhe pisha e zezë, duke përfshirë blerjen e materialeve dhe dhurimin e tyre në Bashkinë Tropojë, në mënyrë që kjo e fundit të kujdeset për mirëmbajtjen dy-vjeçare pas aksioneve restauruese.
    Sigurimi i materialeve të nevojshme për mbjellje.
  3. Përmirësimi i Kullotave
    Përmirësimi i kullotave në përputhje me “Projektin e Restaurimit të Peizazhit Pyjor” dhe lejet e miratuara nga Bashkia Tropojë dhe Agjencia Kombëtare e Pyjeve.
  4. Konsultime me Komunitetin
    Organizimi i takimeve konsultuese me komunitetet lokale në bashkëpunim të ngushtë me organizatën PPNEA, nëse është e nevojshme.

Kriteret e Përshtatshmërisë

Aplikantët duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

  1. Eksperiencë
    Eksperiencë e dëshmuar në projekte të ngjashme të restaurimit të natyrës.
  2. Burime Njerëzore
    Aftësi për të punësuar dhe mbikëqyrur fuqi punëtore lokale për zbatimin e aksioneve.
  3. Materiale
    Aftësi për të siguruar materiale ndërtimi dhe mbjelljeje (p.sh., fidanë, fara, dru nga rrallimi i dushkut, gurë, etj.).
  4. Përputhshmëria Ligjore
    Përputhshmëri me ligjet pyjore shqiptare dhe standardet e tjera përkatëse.
  5. Afati Kohor
    Aftësi për të mobilizuar fuqi punëtore dhe për të kryer detyrat brenda afatit të përcaktuar të projektit.
  6. Koordinimi
    Aftësi e fortë për koordinim me autoritetet dhe palët e interesuara lokale në Tropojë.
  7. Person Juridik
    Ofruesi i shërbimit duhet të jetë subjekt juridik aktiv në momentin e aplikimit.

Dokumentet e kërkuara:

Palët e interesuara duhet të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme:

  1. Dëshmi për statusin ligjor të subjektit (p.sh., certifikatë gjykate).
  2. Listë reference e projekteve/ndërhyrjeve të ngjashme (CV e subjektit).
  3. CV e përfaqësuesit ligjor të subjektit ose e personit përgjegjës për zbatimin e punës.
  4. Shprehje interesi: Një dokument i nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i subjektit/personi i kontaktit ku të shprehet interesi përse dëshirojnë të marrin pjesë në këtë thirrje.
  5. Dokument teknik narrativ: Përshkrimi i qasjes ndaj projektit, duke përfshirë secilën nga kriteret e përmendura më poshtë (Kriteret e përzgjedhjes) dhe informacione të tjera me rëndësi.
  6. Kalendar: Një kalendar i detajuar për dorëzimin e aktiviteteve (Qershor – Nëntor 2025) në format Excel.
  7. Formularë Plani Pune.
  8. Buxheti i Propozuar: Një buxhet i detajuar në format Excel. Buxheti nuk duhet të tejkalojë shumën totale prej 2,992,240 lekë (ALL).

Kriteret e përzgjedhjes

Propozimet do të vlerësohen duke u bazuar në sistemin e mëposhtëm:

Kriteri Pikët Maksimale Detaje
Eksperienca dhe ekspertiza 25 pikë 1-2 vjet përvojë me ekspertizë të kufizuar: 10 pikë;
2-5 vjet me ekspertizë mesatare: 20 pikë;
5+ vjet me ekspertizë të fortë: 25 pikë
Cilësia teknike e propozimit 25 pikë Dobët: 5 pikë;
Kënaqshëm: 15 pikë;
Shkëlqyeshëm: 25 pikë
Realizueshmëria e kalendarit të aktiviteteve 20 pikë Jo realiste: 5 pikë;
Realiste: 15 pikë;
Shumë e realizueshme: 20 pikë
Vlera e buxhetit dhe kostot 20 pikë Vlerë e dobët: 5 pikë;
E arsyeshme: 15 pikë;
Shumë e mirë: 20 pikë
Pjesëmarrja lokale 10 pikë E kufizuar: 0 pikë;
E fortë: 10 pikë
*Maksimumi i pikëve që mund të arrihet është 100. Propozimet që vlerësohen më pak se 50 pikë nuk do të merren në konsideratë.

Afatet e procesit të prokurimit

Për të siguruar transparencë dhe një proces të strukturuar, do të ndiqen këto afate:

  • Hapi 1

    Hapja e thirrjes për propozime

    25 Prill 2025

  • Hapi 2

    Afati për dërgimin e pyetjeve

    2 Maj 2025

  • Hapi 3

    Publikimi i përgjigjeve për pyetjet

    7 Maj 2025

  • Hapi 4

    Afati i dorëzimit të propozimeve

    21 Maj 2025

  • Hapi 5

    Periudha e shqyrtimit të propozimeve

    30 Maj 2025

  • Hapi 6

    Njoftimi i aplikantëve të përzgjedhur

    6 Qershor 2025

  • Hapi 7

    Finalizimi i kontratës

    13 Qershor 2025

  • Hapi 8

    Fillimi i zbatimit të projektit

    13 Qershor 2025

Informacion shtesë

Aplikantët janë të detyruar të shqyrtojnë dokumentet "Projekte për Restaurimin e Peizazheve Pyjore", që gjenden më poshtë. Pyetjet në lidhje me këtë thirrje duhet të dërgohen në adresën [email protected] deri më 2 Maj 2025. Përgjigjet ndaj të gjitha pyetjeve do të publikohen në rrjetet sociale dhe website-in e organizatës PPNEA më 7 Maj 2025. Ju njoftojmë se vetëm një aplikant do të përzgjidhet në këtë proces dhe se ai do të jetë përgjegjës për zbatimin e të gjitha planeve të punës të përfshira në këtë thirrje.

Preventive dhe plane pune

Lejet

Procesi i dorëzimit të aplikimeve

Të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të dorëzohen me email në adresën: [email protected] me subjektin: “Thirrje e Hapur për Ofrues Shërbimesh për Bashkinë Tropojë”. Aplikimet e dërguara me vonesë ose të paplota nuk do të merren në konsideratë. Afati i fundit i aplikimit: 21 Maj 2025.

Pyetje dhe përgjigje

  1. Pyetje: Ujitja e fidanëve të mbjellë…

Përgjigje: Përkujdesjet pas mbjelljes, duke përfshirë ujitjen, nuk janë pjesë e përgjegjësisë së të kontraktuarit. Institucioni i Bashkisë së qytetit do të kryejë përkujdesjet në fjalë. 

  1. Pyetje: Prashitja me shatë e fidanëve të mbjellë me permasa 50x50x50 cm…

Përgjigje: Përkujdesjet pas mbjelljes, duke përfshirë prashitjen e fidanëve, nuk janë pjesë e përgjegjësisë së të kontraktuarit. Institucioni i Bashkisë së qytetit do të kryejë përkujdesjet në fjalë. 

  1. Pyetje: Zbulimi i fidanëve nga barishtet…

Përgjigje: Përkujdesjet pas mbjelljes, duke përfshirë prashitjen e fidanëve, nuk janë pjesë e përgjegjësisë së të kontraktuarit. Institucioni i Bashkisë së qytetit do të kryejë përkujdesjet në fjalë. Pastrimi i barishteve është pjesë e përgjegjësisë së të kontraktuarit vetëm për periudhën para fillimit të mbjelljeve.

  1. Pyetje: Parashikimi i blerjes së fidanëve me dy zëra buxhetorë…

Përgjigje: Vendosja e dy zërave buxhetorë për blerje fidanësh Qarri 2-vjeçar është gabim teknik. Në total, një numër prej 1665 fidanësh Qarri do të blihen e më pas të mbillen.

  1. Pyetje: Kostot administrative dhe çfarë përfshijnë…

Përgjigje: Kostot administrative mund të përfshijnë zëra buxhetorë që janë të nevojshëm për mbarëvajtjen e aktiviteteve. Më poshtë gjenden disa shembuj:

-Pagë për Koordinator Projekti

-Kancelari (fletë, dosje, stilolapsa, etj.)

-Karburant, etj., në varësi të nevojave për zbatimin e projektit.

  1. Pyetje: A përfaqëson vlera e zbatimit të projektit (si fond limit), p.sh. në Tropojë 2.992.240 ALL dhe në Has 2.110.056 ALL, shumën neto pa përfshirë TVSH-në, apo është vlerë bruto që përfshin edhe TVSH-në?

Përgjigje: Vlera e zbatimit të projektit si fond limit përfshin dhe TVSH. Pra, fondi limit për Tropojën prej 2.992.240 ALL, si dhe fondi limit për Hasin prej 2.110.056 ALL përfshijnë TVSH në vlerë 20%.

 

7.Pyetje: Si duhet të dorëzohet dokumentacioni i shprehjes së interesit?

Përgjigje:  Dokumentacioni i shprehjes së interesit mund të dorëzohet si ne gjuhën Shqipe ashtu edhe në Anglisht. Aplikantët e thirrjes mund të përzgjedhin midis dy gjuhëve për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar.

8.Pyetje:  Në preventivin e punimeve të pyllëzimit në Has, në zërin ‘Blerje e fidaneve’, sasia prej 1.665 fidanësh është përsëritur dy herë, çka nuk përputhet me shumën totale të planifikuar prej 2.670 copë. A konsiderohet kjo një gabim në llogaritje dhe a duhet të korrigjohet?

Përgjigje: Vendosja e dy zërave buxhetorë për blerje fidanësh Qarri 2-vjeçar është gabim teknik. Në total, një numër prej 1665 fidanësh Qarri do të blihen e më pas të mbillen.

  1.  Pyetje: Në projektet ‘Përmirësim ose krijim kullote’, në Kapitullin III, pika 3.1.1, është vërejtur një gabim në përqindjet e llojeve të barit të specifikuara si: 45% Lolium perenne, 20% Poa pratensis, 35% Medicago sativa, dhe 10% Festuca pratensis. Mendojmë se gabimi qëndron tek përqindja prej 35% e Medicago sativa, pasi në përzierje të tilla kjo bimë zakonisht nuk duhet të kalojë 20–25%. A mendoni se duhet të korrigjohet sipas përqindjes që propozojmë?

Përgjigje: Përllogaritja nga ana jonë është gabim teknik. Përqindjet që propozoni, si dhe rishikime të mundshme sipas rastit, mund të dakordësohen në koordinim me PPNEA. 

  1. Pyetje: Pasi dokumentacioni të dërgohet në adresën përkatëse të emailit, a duhet të jetë i mbrojtur me fjalëkalim (kod), në mënyrë që të hapet vetëm në datën dhe orën e caktuar sipas afatit të dorëzimit të ofertave? Dhe nëse po, a duhet që ky fjalëkalim t’i dërgohet PPNEA-s menjëherë pas përfundimit të afatit, për të mundësuar hapjen e dokumenteve?

Përgjigje: Dokumentacioni i dërguar nga aplikantët do të përdoret për shqyrtim vetëm për qëllimet e kësaj thirrje. Dokumentacioni do të mbahet konfidencial nga palë të treta. Akses në dokumentacionin e dërguar do të kenë vetëm anëtarët e komisionit të perzgjedhjes brenda PPNEA, si dhe partnerët e projektit “Northern Forest Initiative: Forest Restoration in North Macedonia and Albania”, që janë zyra rajonale e IUCN, si dhe Fondacioni Swedish Postcode Lottery. Dokumentacioni duhet të dërgohet si lidhje nëpërmjet emailit në formatin WinRAR, i pa pajisur me kod sigurie.

Bashkohuni me ne në restaurimin e pyjeve të Shqipërisë

Ky projekt përfaqëson një mundësi unike për të kontribuar në restaurimin e peizazheve pyjore të Shqipërisë, duke siguruar njëkohësisht përfitime të qëndrueshme për komunitetet lokale në zonën e Tropojës.

Postime të ngjashme