Vazhdimi i punimeve për aeroportin në lagunën e Nartës krijon shqetësim të madh në Konventën e Bernës

Vazhdimi i punimeve për aeroportin në lagunën e Nartës krijon shqetësim të madh në Konventën e Bernës

Konventa e Bernës nxit përsëri qeverinë Shqiptare të ndalojë punimet në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë! Aeroporti i planifikuar pranë Lagunës së Nartës është një kërcënim ndaj biodiversitetit të Deltës së Vjosës, veçanërisht ndaj shpendëve shtegtues. Ekosistemi i Vjosës në rrezik, pavarsisht statusit Park Kombëtar.

Strasburg/Tiranë, 4 Dhjetor 2023: Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës nxiti edhe njëherë qeverinë Shqiptare të ndalojë punimet për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës brenda Zonës së Mbrojtur në Lagunën e Nartës dhe deltës së Vjosës pasi qartazi shkel konventat ndërkombëtare. Pjesëtarët e konventës shprehën gjatë takimit në Strasburg shqetësimin e lartë në lidhje me vazhdimin e punimeve të aeroportit, duke shtyrë autoritetet Shqiptare të punojnë së bashku me shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesit. U theksua veçanërisht fakti që punimet për ndërtimin e aeroportit në një zonë natyrore delikate pranë lagunës së Nartës vazhdonin, edhe pse Komiteti i Përhershëm i Bernës kishte kërkuar ndalimin e punimeve tre muaj më parë!

Organizatat EcoAlbania, PPNEA dhe EuroNatur vlerësojnë qëndrimin e qartë të Komitetit të Përhershëm dhe mirëpresin adoptimin e rekomandimeve gjithëpërfshirëse gjatë takimit të palëve, të cilat nxisin autoritetet shqiptare të ndërtojnë një proces për planifikimin dhe pajisjen me leje, i cili është në të njëjtën linjë me dispozitat e Konventës së Bernës, e cila është një nga marrëveshjet më të rëndësishme në Evropë për sa i përket ruajtjes së Natyrës.

Besjana Guri, menaxhere projekti tek EcoAlbania, nënvizoi në prezantimin e saj përpara Komitetit të Përhershëm rëndësinë e lumit të Egër Vjosa: “Shpallja e Lumit Vjosa dhe tre tributarëve të tij si një Park Kombëtar i vetëm, është një arritje e madhe dhe ne e përgëzojmë qeverinë Shqiptare për këtë vendim. Gjithsesi, ne jemi të shqetësuar që ekosistemi i Vjosës ndodhet akoma nën kërcënim, siç tregohet me ndërtimin e aeroportit në deltën e Vjosës pranë parkut të ri kombëtar, si dhe nga projekti i devijimit të ujit nga lumi Shushica, brenda parkut kombëtar.”

Zydjon Vorpsi, menaxher projekti pranë PPNEA, nxit qeverinë Shqiptare të zbatojë rekomandimet e adoptuara: “Qeveria shqiptare pretendon se përshpejtimi i procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një prioritet parësor. Zbatimi i rekomandimeve të Konventës së Bernës mbështet pikërisht këtë objektiv. Mos-pajtimi me dispozitat e një traktati ndërkombëtar nuk ndihmojnë në këtë qëllim, përkundrazi, kanë efekt të kundërt në integrimin e Shqipërisë.”

Përfaqësuesit e qeverisë Shqiptare deklaruan në takimin e Komitetit të Përhershëm, gjithashtu edhe në raportin e tyre zyrtar se – zona është shpallur gabimisht si një zonë e mbrojtur. Ata pretendojne se zona ka qenë një aerodrom ushtarak dhe se shpallja si Peizazh i Mbrojtur ka ndodhur gabimisht!

Gabriel Shwaderer, Drejtor Ekzekutiv pranë EuroNatur: “Këto deklarata po shndërrojnë realitetin”. Fusha e aviacionit është përdorur deri në vitet ‘90 dhe nuk kishte infrastrukturë mbështetëse, madje, as një pistë të shtruar me asfalt! Zona e Mbrojtur u dizenjua në vitin 2004 bazuar në një propozim shkencor. Disa vite më vonë, ekosistemi i Vjosë-Nartës u propozua nga autoritetet Shqiptare si një zonë Emerald, që do të thotë se zona është e një rëndësie të lartë për Evropën. Pretendimi i tanishëm se zona nuk ka vlera ekologjike është një mashtrim i ulët për të justifikuar ndryshimin e paligjshëm të kufijve të zonës së mbrojtur. Aeroporti i Vlorës nuk është një rast vetëm i shkatërrimit të natyrës, por edhe i shkeljes flagrante të ligjit.’’

Informacion për çështjen:

  • Zona e Mbrojtur Vjosë-Nartë është një nga ekosistemet më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në Shqipëri dhe shtëpi e llojeve të rralla të kafshëve dhe bimëve. Zona është habitat për më shumë se 220 lloje shpendësh përgjatë vitit dhe ka një rëndësi të lartë edhe përtej rajonit për sa i përket korridorit të shtegtimit të Adriatikut. Vjosa u shpall lumi i parë i egër Park Kombëtar në Europë në Mars të 2023 dhe u vendos nën mbrojtje nga qeveria Shqiptare.
  • Në Shtator, Konventa e Bernës i kërkoi qeverisë Shqiptare të pezullojë punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Konventa ju referua Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë dhe zonës përreth si “një strehë e sigurtë për llojet shtegtues, shpendët e ujit dhe llojet e tjera të rralla që folezojnë dhe se pjesëtarët e Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës janë në dijeni të impaktit ekologjik të parashikueshëm që aeroporti do të ketë mbi këtë tempull unik të natyrës”. Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë kritikuar fort ndërtimin e aeroportit dhe i kanë bërë thirrje qeverisë Shqiptare të ndalojnë këtë projekt i cili është shkatërrues për natyrën.

Kontakt:

Zydjon Vorpsi, PPNEA; email: [email protected], tel: +355 69 347 9737

Anika Konsek, EuroNatur; email: [email protected], tel: +49 7732 9272 26

Besjana Guri, EcoAlbania; email: [email protected], tel: +355 69 295 4214

Postime të ngjashme