PPNEA ndërmori studimin mbi vlerësimin e humbjeve të pyjeve në rajonet e Munellës dhe Polis-Gur i Zi-Valamarë, gjatë periudhës kohore 2016-2023. Këto dy rajone janë të rëndësishme për strehimin dhe riprodhimin e rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri. Ky studim u realizua në kuadër të Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri.
Të dhënat u grumbulluan përmes metodës së imazheve satelitore të marra nga Qendra për Monitorimin e Pyjeve ne Botë (Global Forest Watch) si dhe nga verifikimet në terren të realizuara nga ekspertët e PPNEA gjatë periudhës kohore Shkurt – Maj 2023 në rajonin e Munellës. GFW ofron të dhëna të sakta dhe të besueshme të cilat vlerësojne shkallën e mbulesës, humbjes dhe ripërtëritjes së pyjeve në interval vjetor në të gjithë rruzullin tokësor. Zona e studimit për rajonin e Munellës mbulonte një sipërfaqe prej 1521 km2, ndërsa në rajonin Polis – Gur i Zi – Valamarë sipërfaqja e mbulimit ishte 720 km2. Në brendësi të dy zonave të studimit janë të përfshira Zonat e Mbrojtura Parku Natyror i Munellës, Bjeshkët e Oroshit, Sopot-Stravaj, Dardhë-Xhyrë dhe Guri i Nikës-Valamarë.
Analiza e të dhënave të marra nga GFW zbuloi se të dy rajonet shfaqën ndryshime të dukshme të mbulesës pyjore.
Në vitin 2010, brenda zonës së studimit prej 1521 km2, rreth 43% e sipërfaqes është klasifikuar si pyll ose 654 km2 në rajonin e Munellës. Shkalla e rritjes së pyjeve vlerësohet 5.1% e në një periudhë kohore 20-vjeçare. Humbja e pyjeve nga viti 2016 e në vazhdim ishte 2.2 km2 në vit. Shkaqet kryesore kanë qenë zjarret dhe prerjet.
Në Polis-Valamarë përafërsisht 42% e rajonit konsiderohej i pyllëzuar në vitin 2010 ose 304 km2, me ripyllëzim shumë të kufizuar dhe humbje të vazhdueshme të pyjeve prej rreth 0.32% në vit ose 1 km2 nga viti 2016 e në vazhdim. Në këtë zonë zjarret kanë pasur ndikim të ulët në humbje krahasuar kjo me prerjen e pyjeve.
Zonat e studimit të Munellës dhe Polis-Valamarës nxjerrin në pah dallimet në zjarr dhe prerje si shkaqe për shpyllëzimin.
Zona e studimit | Munella | Polis Valamara | ||
Humbja mesatare vjetore e pyjeve (2016 – 2022) | 0.33% | 2.18 Km2 | 0.32% | 0.97 Km2 |
Humbja mesatare e pyjeve nga zjarret | 57% | 4% | ||
Ripërtëritja mesatare e pyjeve (2000-2020) | 0.25% | 1.67 Km2 | 0.10% | 0.34 Km2 |
Ripërtëritja mesatare vjetore e pyjeve (2000-2020) në zonat e reja ose të ripyllëzuara | 0.7 Km2 | 0.4 Km2 |
Si përfundim, rezultatet e këtij studimi tregojnë qartë se në të dyja zonat, shkalla e humbjes së pyjeve është më e lartë se ajo e ripërtëritjes. Shqetësuese është humbja e pyjeve nga zjarret dhe prerjet. Edhe pse në Shqipëri prej vitit 2016 po zbatohet Moratoriumi i pyjeve, në zonat e studimit nuk vihet re ndonjë përmirësim i fondit pyjor, përkundrazi kemi pakësim të tij.
Bazuar mbi rezultatet e studimit rekomandohet:
- Realizimi i patrullimeve të përbashkëta me specialistët e AKZM, AdZM-ve përkatëse, AKP dhe Bashkitë, me qëllim parandalimin e prerjeve dhe zjarreve në rajonet e studimit.
- Rritjen e zbatimit të Moratoriumit të Pyjeve në terren nëpërmjet kontrolleve dhe verifikimeve të subjekteve të liçensuara përpara periudhës së Moratoriumit.
- Rishikimi i parcelave të shfrytëzimit për dru zjarri nga institucionet përgjegjëse.
- Zhvillimi i Planit të Menaxhimit për Parkun Natyror Munellë.
- Bashkimi dhe zgjerimi i Zonave të Mbrojtura brenda ekosistemit Polis-Gur i Zi-Valamarë bazuar mbi rivlerësimin e biodiversitetit dhe aspektit socio-ekonomik.
- Aksione të përbashkëta për rigjenerimin e pyjeve përmes pyllëzimeve dhe masave restauruese.