15 SHTATORI – DITËLINDJA E SHKENCËTARES SABIHA KASIMATI

15 SHTATORI – DITËLINDJA E SHKENCËTARES SABIHA KASIMATI
Sabiha Kasimati është një prej studiueseve të para në vendin tonë. Ajo u diplomua në vitin 1940 në Universitetin e Torinos duke mbrojtur tezën “Fauna iktiologjike e ujërave të ëmbla në Shqipëri”. Pjesa më e madhe e veprës së Sabiha Kasimatit është shkatërruar gjatë regjimit komunist, menjëherë pas ekzekutimit të saj në vitin 1951. Në nder të figurës së saj, në vitin 2018 Senati Akademik i Universitetit të Tiranës i vendosi emrin e saj muzeut të restauruar të shkencave të natyrës.
 
Pak ditë më parë, ekipi i PPNEA dhe AdZM Vlorë shoqëruan nxënësit e përkushtuar të klubit ekologjik të shkollës së mesme “Andon Zako Çajupi” në një ekspeditë pranë Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë. Ekspedita e titulluar “Në Gjurmët e Sabiha Kasimatit”, i ndihmoi nxënësit e rinj që të kuptonin rëndësinë e zonave të mbrojtura në Shqipëri dhe punën e madhe që nevojitet për t’i studiuar dhe ruajtur ato.
 
Gjatë ekspeditës, nxënësit kundruan shpendë, diskutuan për vlerat dhe rëndësinë e zonës, si dhe realizuan disa materiale foto dhe video, me të cilat krijuan një mesazh përkujtimor në nder të studiueses Sabiha Kasimati.
 
Ditën e sotme, ekipi ynë shoqëroi këtë grup nxënësish pranë Muzeut të Shkencave të Natyrës “Sabiha Kasimati”, ku së bashku me përfaqësues të këtij institucioni u diskutua për veprën e humbur të studiueses, si dhe për qindra lloje me rëndësi që ekspozohen pranë ambienteve të muzeut.
 
Ekipi ynë falenderon përzemërsisht mësuesit e shkollës së mesme “Andon Zako Çajupi” për këtë bashkëpunim tepër të vlefshëm që shpresojmë se do të kontribuojë në krijimin e një lidhje më të ngushtë midis këtij grupi të rinjsh dhe mjedisit natyror.
 
© PPNEA
 
© PPNEA
 
© PPNEA
 
© PPNEA
 
© PPNEA
Postime të ngjashme