Shkaba e zezë (Aegypius monachus) u rishfaq më në fund në Shqipëri duke ringjallur shpresat për rivendosje të saj në vend.
Raportimet për praninë e këtij lloji në Shqipëri, sipas literaturës ekzistese, kanë qenë tejet të rralla duke dëshmuar se prania e saj ka qenë thuajse e pazakontë.
Në 1857, Lilford jep të dhëna për praninë e shkabës së zezë në Butrint (Sarandë). Ekzaktësisht gjysëm shekulli më vonë, Lodge (1907) raporton se ka parë një individ në Durrës. Shumë vite më pas, fillimisht Zeko në 1963 dhe më vonë Nowak në 1989 konfirmojnë praninë e këtij lloji si të përhershëm por pa ofruar të dhëna specifike mbi shpërndarjen dhe madhësinë e popullatës.
Tanimë, pas afro 112 vitesh, dy individë,të këtij lloji të pajisur me gjurmues satelitor kanë vizituar vendin tonë në dy data të ndryshme:
Fillimisht, me 29 mars në Shqiperi kalon “Chrysoula”, një individ i ri markuar në nentor 2017 në Dadia, Greqi nga Autoritetet Menaxhuese të Parkut Kombëtar, WWF-Greqi dhe Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve (BSPB) në kuadër të projektit “Ruajta e shkabës së zezë dhe shkabës në zonën ndërkufitare të Maleve të Rodopit”. “Chrysoula” hyri në Bilisht, kaloi mbi Ostrovicë dhe Memaliaj, iu afrua qytetit të Vlorës dhe zbriti në jug nëpër lumin e Vlorës deri sa kaloi në Greqi. Ndiqni në figurat shoqëruese udhëtimin e Chrysoula-s në Shqipëri.
Pak ditë më vonë, më 23 prill 2019, shfaqet në Shqipëri “Riga”, një tjetër shkabë e zezë, lëshuar në vitin 2018 ne Kotel, Bullgari nga Fondi per Florën dhe Faunën e Egër, në kuadër të projektit “Rikthim i Shkabave”. Riga erdhi nga Konica, në Greqi, kaloi në Përmet nëpër luginën e Vjosës, përshkoi pjesën lindore të Shqipërisë për të kaluar në Kukës e më pas në Prizren (Kosovë), qëndroi në Uvac, Serbi dhe u kthye serish në Kotel, Bullgari. Ndiqni në figurat më poshtë udhëtimin e Riga-s në Shqipëri!
Tashmë përpjekjet për mbrojtjen e shkabave janë rritur ndjeshëm në të gjithë Ballkanin përfshirë Shqipërine. Shkaba dikur të menduara të zhdukura sot po shfaqen sërish. Por gjendja e tyre është ende e vështirë Do të duhen plot punë e përpjekje të tjera për t’i rikthyer ato në gjendjen e mëparshme. Ne do të vazhdojmë te punojmë për të siguruar rikthimin e tyre sa më të shpejte dhe për këtë nevojitet kontributi i gjithesecilit.