Dita Ndërkombëtare e Diversitetit Biologjik u celebrua nëpërmjet një serie aktivitetesh në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Në kuadër të projektit “Zonat e Mbrojtura për Natyrën dhe Njerëzit”, ekipi ynë organizoi mbledhjen e dytë për vitin 2021 të Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Elbasan. Në këtë takim, sikundër edhe në atë paraardhës, morën pjesë të gjithë anëtarët e këtij komiteti, duke përfshirë përfaqësuesit e institucioneve vendore, strukturave të menaxhimit të zonave të mbrojtura apo edhe komunitetin lokal.
Mbledhja e komitetit u lehtësua nga një ekspert i jashtëm, i cili drejtoi diskutimin e pjesëmarrësve drejt disa qëllimeve të mirëpërcaktuara. Si fillim, gjatë takimit, u diskutua lidhur me planin e veprimit, ku lehtësuesi i jashtëm ftoi të gjithë pjesëmarrësit të jepnin kontributin e tyre individual, duke nxjerrë në pah elemente të reja për tu marrë në konsideratë nga ky komitet. Në fund të takimit u zyrtarizua rregullorja e re e funksionimit të Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Elbasan, e cila u firmos nga Prefekti i Qarkut Elbasan dhe Drejtori i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura.
© PPNEA
© PPNEA
Mbledhja e Komitetit të Menaxhimit u gërshetua me 13-vjetorin e krijimit të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Ndër të tjerë, në këtë festë mori pjesë edhe Deputeti Z. Taulant Balla, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Z. Blendi Klosi, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura Z. Zamir Dedej, të cilët mbajtën edhe një fjalë përshëndetëse mbi vlerat e Parkut Kombëtar Shebenik – Jabllanicë. Anëtarë të komunitetit lokal reklamuan produktet e zonës, si prodhime bulmeti, mishi, fruta, apo edhe pije të ndryshme. Fëmijët e zonës e treguan më së miri traditën e parkut, duke realizuar kërcime dhe këngë që u duartrokitën nga të gjithë pjesëmarrësit.
© PPNEA
© PPNEA
Në këtë festë mori pjesë edhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri z. Luigi Soreca, i cili u shpreh për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian ka ofruar për zonat e mbrojtura në Shqipëri. Akoma më tej, Z. Soreca ftoi stafin e PPNEA për të realizuar një ecje në natyrë, ku u diskutua për projektin “Zonat e Mbrojtura për Natyrën dhe Njerëzit”, problematikat e zonave të mbrojtura, si dhe, në mënyrë specifike, çështja e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në brendësi të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë. Ekipi ynë i tregoi ambasadorit vendosshmërinë tonë për ta luftuar këtë plan, i cili bie në kundërshti me ligjet e vendit, direktivat e Bashkimit Evropian, si dhe një sërë konventash ndërkombëtare për ruajtjen e natyrës.
© PPNEA
© PPNEA
PPNEA falenderon të gjithë pjesëmarrësit, në veçanti organizatorët e eventit, si Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Elbasan, Shoqata lokale Agri-En dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal.