NJOFTIM PËR SHTYP
BLINI I BARDHË, NJË THESAR I HUMBUR NË LUMIN BUNA
Në studimin e fundit konfirmohet mungesa e blinit të bardhë (Acipenser naccarii) nga Lumi Buna, duke ngritur alarmin për masat urgjente të ruajtjes dhe rikthimit të biodiversitetit në këtë ekosistem unik.
Tiranë, Shqipëri | 26 Dhjetor, 2024 – Lumi Buna, zemra e Peizazhit të Mbrojtur Bunë-Velipojë, është një ndër ekosistemet më të rëndësishme dhe të pasura të biodiversitetit në veri të Shqipërisë. Ky lum, i njohur ndërkombëtarisht si zonë Emerald, IBA dhe KBA, përfaqëson një oaz për florën dhe faunën e rajonit. Megjithatë, ky ekosistem po përballet me një sfidë të madhe, pasi studimet e fundit kanë konfirmuar mungesën e një prej llojeve më të rralla dhe me rëndësi kritike për të, blinit të bardhë (Acipenser naccarii).
Studimi, i kryer për të vlerësuar ekzistencën apo statusin e llojit të blinit të bardhë (Acipenser naccarii) nga PPNEA në Shqipëri dhe EnvPro në Malin e Zi, në bashkëpunim me ekspertë të fushës, ka zbuluar një realitet shqetësues. Përmes një metode të kombinuar monitorimi, monitorimit tradicional dhe analizës së ADN-së mjedisore, gjatë verës së vitit 2024, janë mbledhur mostra përgjatë gjithë segmenteve kryesore të lumit Buna, të cilat më pas janë analizuar në laboratorë në Mbretërinë e Bashkuar. Rezultatet tregojnë se, megjithëse lumi ruan një diversitet për llojet e peshqve, blini i bardhë mungon në këtë ekosistem. Dyshimet e kahershme për mungesën e pranisë së këtij lloji të rrallë tani janë një realitet! Megjithatë, monitorime dhe vlerësime të vazhdueshme janë të domosdoshme për këtë lloj, në mënyrë që masat e nevojshme për mbrojtjen dhe rikthimin e tij të ndërmerren me urgjencën e duhur.
Disa nga arsyet që kanë çuar në këtë situatë janë të shumtë dhe të ndërthurur: mbipeshkimi, duke theksuar këtu peshkimin e paligjshëm; ndotja e ujit dhe degradimi i habitatit. Ky fenomen është një këmbanë për vëmendje, për nevojën e menjëhershme për ndërhyrje, mbrojtje dhe restaurim. Ky alarm duhet të nxisë institucionet e Shqipërisë dhe Malit të Zi për të rritur bashkëpunimin dhe për të ndërmarrë hapa për të ruajtur biodiversitetin e lumit Buna. Në mungesë të nismave konkrete, rrezikohet të humbasim jo vetëm lloje të tjera të rëndësishme, por edhe balancën delikate ekologjike të këtij ekosistemi unik.
Studimi është pjesë e një nisme më të gjerë, e mbështetur nga Critical Ecosystem Partnership Fund (CEPF), për të vendosur themelet e një të ardhmeje të qëndrueshme për Peizazhin e Mbrojtur Lumi i Bunës në Shqipëri dhe Deltën e Bojanës në Malin e Zi. Ky projekt ambicioz synon jo vetëm të evidentojë gjendjen e biodiversitetit të këtyre zonave ndërkufitare, por edhe të vendosë masa konkrete për ruajtjen e llojeve të rrezikuara, si blini i bardhë.
Mungesa e blinit të bardhë nga Lumi Buna kërkon përkushtim dhe bashkëpunim të pandërprerë për ta ruajtur këtë lum si një ekosistem jetësor për rajonin dhe më gjerë, rimëkëmbjen e habitateve të degraduara dhe llojeve të faunës së egër, përfshirë këtu blinin.
Më shumë informacione për projektin:
“Vendosja e themeleve për një të ardhme të qëndrueshme për Peizazhin e Mbrojtur Lumi i Bunës në Shqipëri dhe Delta e Bojanës në Malin e Zi”, ështe i fokusuar në Peizazhin e Mbrojtur Lumi i Bunës – Velipojë dhe Deltën e Bojanës, që synon të rrisë njohuritë për llojet e ujërave të ëmbla, që jetojnë në këto zona ndërkufitare. Gjithashtu, projekti do të theksojë edhe rëndësinë e llojeve si: Blini i bardhë (Acipenser naccarii), ngjala (Anguilla anguilla) dhe masat e dedikuara për ruajtjen e tyre.
LINK: CEPF – PPNEA
Kontakte për mediat:
Xhemal Xherri, Menaxher Projekti, [email protected]
Lorena Pyze Xhafaj, Zyrtare për Komunikimin dhe Marrëdhënien me Publikun, [email protected]