Deklaratë Publike – Lumi i Bunës – Velipojë: Zonë e Mbrojtur me Rëndësi Ndërkombëtare, JO Betonizimit të saj

Deklaratë Publike – Lumi i Bunës – Velipojë: Zonë e Mbrojtur me Rëndësi Ndërkombëtare, JO Betonizimit të saj

Deklaratë Publike

Lumi i Bunës – Velipojë: Zonë e Mbrojtur me Rëndësi Ndërkombëtare, JO Betonizimit të saj

Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Natyrës në Shqipëri, PPNEA shpreh kundërshtimin e saj të qartë ndaj projektit turistik “Blue Borgo”, të planifikuar në Baks–Rrjoll, brenda Peizazhit të Mbrojtur Bunë–Velipojë.

Kjo nuk është një zonë e zakonshme zhvillimi. Lumi i Bunës – Velipojë është Zonë e Mbrojtur me ligj dhe njëkohësisht Ligatinë me Rëndësi Ndërkombëtare (Ramsar), zona më e madhe e kësaj konvente në Shqipëri. Ky kompleks ligatinor është ndër më të pasurit dhe më të rëndësishmit në rajonin e Adriatikut për biodiversitetin dhe për ruajtjen e integritetit ekologjik të ekosistemeve bregdetare.

Në këtë zonë strehohen qindra shpendë shtegtarë, përfshirë lloje të rrezikuara globalisht, duna bregdetare të paprekura, laguna, habitate të rralla dhe korridore ekologjike jetike për peshqit dhe gjitarët e egër. Çdo vit, shpendë dimërues gjejnë strehë në këtë ekosistem unik, duke e bërë këtë zonë një thesar natyror kombëtar dhe evropian.

Ndërhyrjet masive, betonizimi dhe ndryshimi në një Zonë të Mbrojtur dhe Ramsar përbëjnë një rrezik real dhe të menjëhershëm  për dëme të pakthyeshme në biodiversitet, në shërbimet jetike që ofron ligatina dhe në mirëqenien e komuniteteve lokale.

Zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të ndërtohet duke dobësuar statusin e mbrojtjes së një zone me vlera kaq të jashtëzakonshme natyrore. Mbrojtja e saj është një detyrim ligjor, kombëtar dhe ndërkombëtar.

PPNEA qëndron në mbrojtje të këtij ekosistemi, një pasuri e përbashkët që nuk mund të zëvendësohet, dhe një e mirë publike që duhet t’i lihet banorëve të zonës për përkujdesje dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Foto 1: © Emir Gjyzeli

 

Foto 2: © Citizens Channel

 


Foto 3: Imazhi marrë nga publikimet e “GENER2” SH.P.K. dhe “ABA BLUE BORGO” SH.P.K.

 

Foto 4: © Emir Gjyzeli

 


Foto 5: © Citizens Channel

 


Foto 6: Imazhi marrë nga publikimet e “GENER2” SH.P.K. dhe “ABA BLUE BORGO” SH.P.K.

Postime të ngjashme