16 qershor 2026
Deklarata politike pa baza shkencore dhe ligjore
Pas deklaratave të fundit të bëra nga Kryeministri Rama mbi investimet në Zvërnec, ndjejmë të nevojshme të japim një përgjigje sqaruese për publikun, ku evidentohen disa problematika.
Informacionet e paraqitura nga Kryeministri tregojnë se ende mungojnë dokumentet më të rëndësishme mbi të cilat duhet të mbështetet çdo vendimmarrje serioze:
- – Ende nuk është paraqitur projekti arkitektonik dhe projekti i detajuar.
- – Ende nuk është përfunduar Vlerësimi i Thelluar i Ndikimit në Mjedis.
- – Ende nuk është analizuar ndikimi mbi habitatet, biodiversitetin dhe ekosistemet. Ende nuk ekziston një vlerësim përfundimtar i përputhshmërisë së projektit me standardet evropiane të mbrojtjes së natyrës.
Me fjalë të tjera, ende nuk disponojmë informacionin shkencor dhe teknik që do të duhej të shërbente si bazë për çdo përfundim mbi pranueshmërinë e projektit.
Kjo është pikërisht arsyeja pse në legjislacionin evropian dhe në praktikat moderne të planifikimit mjedisor vlerësimet nuk kryhen për të justifikuar vendime të marra paraprakisht, por për të ndihmuar institucionet të vendosin nëse një projekt duhet të realizohet, të ndryshohet apo të mos lejohet fare. Nëse rezultati konsiderohet i ditur përpara se të përfundojnë studimet, atëherë vetë kuptimi i procesit të vlerësimit vihet në pikëpyetje.
Për më tepër, për sa kohë që bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur me habitate të ndjeshme dhe specie me status të veçantë mbrojtjeje, nuk mjafton vetëm ekzistenca e një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis. Përputhshmëria me acquis-in mjedisor evropian kërkon që analizat të jenë të bazuara në evidencë shkencore, të marrin në konsideratë alternativat reale të zhvillimit dhe të vlerësojnë ndikimet kumulative me projekte të tjera ekzistuese apo të planifikuara. Po aq e rëndësishme është që këto vlerësime t’i nënshtrohen shqyrtimit të pavarur shkencor dhe profesional, në mënyrë që procesi të mos mbështetet vetëm në ekspertizën e kontraktuar nga vetë zhvilluesi i projektit.
Derisa ky proces të realizohet plotësisht, pretendimi se projekti është tërësisht në përputhje me interesin publik dhe me standardet evropiane mbetet një përfundim i parakohshëm.
Shteti i së drejtës dhe standardet evropiane nuk provohen duke miratuar projekte të mëdha, por duke treguar se edhe projektet më të mëdha i nënshtrohen të njëjtave rregulla, të njëjtit kontroll dhe të njëjtit standard transparence.
Në menaxhimin e Zonave të Mbrojtura, shteti nuk është spektator
Shteti nuk është një spektator pasiv në një transaksion privat, por institucioni që përcakton nëse dhe në çfarë kushtesh lejohet zhvillimi në një zonë të mbrojtur. Pretendimi se zhvillimi i propozuar në Zvërnec është thjesht rezultat i një marrëveshjeje mes pronarëve privatë dhe investitorëve është një paraqitje e cunguar e një realiteti juridik dhe institucional. Zona ku propozohet investimi nuk është një territor i zakonshëm privat, por pjesë e Peizazhit të Mbrojtur “Pishë Poro–Nartë”, i shpallur fillimisht zonë e mbrojtur me VKM nr. 680, datë 22.10.2004.
Që nga momenti kur një territor shpallet zonë e mbrojtur, pronësia private mund të vazhdojë të ekzistojë, por ushtrimi i të drejtave të pronësisë duhet t’i nënshtrohet kufizimeve dhe rregullave të interesit publik që lidhen me ruajtjen e natyrës. Kjo është një praktikë universale e menaxhimit të zonave të mbrojtura dhe nuk përbën cenim të së drejtës së pronësisë. Prandaj, fakti që investitorët kanë blerë prona private nuk e zgjidh dhe as nuk e anashkalon pyetjen themelore: a është i pajtueshëm ky zhvillim me objektivat e mbrojtjes së zonës?
As ligji nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura” dhe as ndryshimet e tij të vitit 2024 nuk përcaktojnë në asnjë rast se pronat private brenda zonave të mbrojtura përjashtohen nga rregullat e ruajtjes së natyrës. Përkundrazi, ligji njeh të drejtën e pronësisë, por i rezervon shtetit të drejtën dhe detyrimin për të përcaktuar çfarë aktivitetesh lejohen dhe çfarë aktivitetesh ndalohen në këto territore.
Vetë ndryshimet e miratuara me ligjin nr. 21/2024 tregojnë se pengesa kryesore për zhvillime të tilla nuk ka qenë statusi i pronësisë, por kuadri i mbrojtjes mjedisore.
Mes viteve 2015–2017, Qeveria Shqiptare ndërmori një nga proceset më ambicioze të planifikimit strategjik te territorit në nivel kombëtar, nën vizionin “Shqipëria 2030 – e Integruar, Konkurruese, Destinacion”. Një nga dokumentet kryesore të kësaj pakete ishte dhe Plani i Integruar Ndërsektorial për Brezin Bregdetar PINS Bregdeti), i hartuar përmes një procesi të gjatë bashkërendimi ndërinstitucional. Zona si Zvërneci (N16), identifikohen si pjesë e sistemit natyror, me fokus në ekoturizëm, turizëm natyror dhe aktivitete rekreative me ndikim të ulët dhe promovim të vlerave ekologjike. PINS Bregdeti thekson se zhvillimi intensiv nuk duhet dhe nuk mund të bëhet modeli dominues përgjatë brezit bregdetar, ndërsa zonat e lira natyrore dhe zonat e mbrojtura duhet të ruhen nga zhvillimet urbane dhe rurale … duke sjelle në thelb logjikën e ruajtjes së vazhdimësisë ekologjike të bregdetit.
Kjo është arsyeja kryesore pse këto ndryshime ligjore janë kundërshtuar fort nga OJF-të mjedisore, grupet e ekspertëve dhe bota akademike. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian e kërkon me ngulm dhe në mënyrë të panegociueshme abrogimin e amendamenteve të përcaktuara ne ligjin 21/2024, i cili minon në mënyrë esenciale parimet e ruajtjes së natyrës me qëllim legjitimimin e nderhyrjeve masive të karakterit urban brenda zonave të mbrojtura. Tre ndryshimet më të rëndësishme të këtij ligji janë veçanërisht domethënëse:
Së pari, u zgjerua lista e aktiviteteve të lejuara brenda zonave të mbrojtura duke përfshirë aktivitete të lidhura me “turizmin e ekselencës”, infrastrukturën mbështetëse turistike, agroturizmin dhe forma të tjera zhvillimi që më parë nuk konsideroheshin pjesë e funksioneve tradicionale të ruajtjes së natyrës. Ky ndryshim reflektohet drejtpërdrejt edhe në VKM nr. 596/2024, e cila rishpall Peizazhin e Mbrojtur “Pishë Poro–Nartë” sipas kuadrit të ri ligjor.
Së dyti, u hoq sistemi i nënzonimit për kategorinë “Peizazh i Mbrojtur”. Kjo është një ndërhyrje me pasoja të rëndësishme, sepse nënzonimi ishte mekanizmi që dallonte shkallën e mbrojtjes përmes aktiviteteve të lejuara dhe të ndaluara brenda zonës së mbrojtur. Në rastin e Pishë Poro–Nartës, VKM nr. 596/2024 nuk përmban më nënzonat që ekzistonin më parë. Kjo ka rëndësi të veçantë sepse zona ku propozohet resorti në Zvërnec përkon në mënyrë domethënëse me atë që më parë konsiderohej zona qendrore e mbrojtjes, ku aktiviteti njerëzor duhej të ishte minimal, i kufizuar dhe i përkohshëm. Heqja e këtij dallimi eliminon një nga instrumentet më të rëndësishme të menaxhimit dhe mbrojtjes efektive të territorit.
Harta e ZM: Peizazh i Mbrojtur Pishë Poro – Nartë sipas VKM nr. 596/2024 ku nuk ekziston e zonimi i brendshem.
Harta e Peizazhit te Mbrojtur Vjosë-Nartë sipas VKM nr. 680/2004 ku paraqitet zonimi i brendshëm. Me të blertë identifikohet Zona Qëndrore
Harta e Peizazhit te Mbrojtur Vjosë-Nartë sipas VKKTU 2021 për PDZRK ku paraqitet zonimi i brendshëm. Me të blertë identifikohet Zona Qëndrore
Së treti, vendimmarrja për projekte të tilla është zhvendosur në masë të konsiderueshme nga institucionet e specializuara për mbrojtjen e natyrës, si Ministria përgjegjëse për Mjedisin dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, drejt Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU). Ky ndryshim nuk është thjesht procedural. Institucionet mjedisore kanë mandat, ekspertizë dhe përgjegjësi ligjore për ruajtjen e biodiversitetit dhe vlerave natyrore, ndërsa KKTU është një organ planifikimi dhe zhvillimi territorial. Për këtë arsye, zhvendosja e vendimmarrjes nga institucionet e mbrojtjes së mjedisit drejt institucioneve të zhvillimit ndryshon vetë logjikën mbi të cilën vlerësohen projektet, duke e vendosur mbrojtjen e natyrës në plan të dytë përballë objektivave të zhvillimit ekonomik.
Për rrjedhojë, debati nuk është nëse investimi në Zvërnec është një histori transaksionesh ku investitorët kanë blerë ligjërisht prona private. Kjo nuk është vënë kurrë në diskutim. Debati i vërtetë është nëse shteti ndryshon/anashkalon rregullat e mbrojtjes së natyrës, dobëson instrumentet e konservimit dhe zhvendos vendimmarrjen larg institucioneve mjedisore për të bërë të mundur zhvillime që në një shtet ligjor, e më parë do të kishin qenë të pamundura brenda një zone të mbrojtur. Në këtë kuptim, paraqitja e çështjes si një marrëdhënie e thjeshtë privat–privat është deklaratë se: “pushteti ka vendosur të mos mbrojë interesin publik, por vetëm atë privat”.
Procedura e shkelur
Argumentimi i Kryeministrit synon të krijojë përshtypjen se projekti në Zvërnec ndodhet ende në një fazë paraprake dhe se sistemi institucional po funksionon si një filtër rigoroz për mbrojtjen e mjedisit.
Së pari, asnjë Vlerësim Ndikimi në Mjedis i kryer me përgjegjësi nuk do të rekomandonte dhe jepte lejen për zhvillimin e investimit në zonën e Zvërnecit sepse urbanizimin e një zone të mbrojtur në këtë nivel e ndalon ligji kombëtar dhe ndërkombëtar.
Së dyti, një analizë e thjeshtë e procedurave të ndjekura ngre pikëpyetje serioze jo vetëm mbi mënyrën se si po zhvillohet procesi, por edhe mbi përputhshmërinë e tij me frymën e legjislacionit shqiptar dhe atij evropian për mbrojtjen e natyrës.
Kryeministri pranon se KKTU miratoi lejen zhvillimore më 30 mars 2026, ndërkohë që vetëm më 15 maj 2026 autoriteti mjedisor vendosi që projekti duhet t’i nënshtrohej një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis.
Ndërkohë, kjo linjë bie ndesh me ligjin tonë dhe atë evropian që kërkojnë vlerësim mjedisor që në momentin më të parë që lind një ide projekt për një zhvillim brenda një zone të mbrojtur, por edhe çdo zone me vlera mjedisore. Ndaj, ky vlerësimi mjedisor që përmend Kryeministri nuk duhet të jetë një ushtrim për të justifikuar një projekt të vendosur paraprakisht, por një instrument për të përcaktuar nëse projekti duhet të realizohet dhe në çfarë kushtesh. Në të drejtën evropiane, ky parim buron si nga Direktiva e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (EIA Directive 2011/92/EU, e ndryshuar me Direktivën 2014/52/EU), ashtu edhe nga Direktiva e Habitateve (92/43/EEC), e cila kërkon procedurën e njohur si Vlerësimi i Duhur (Appropriate Assessment) për projektet që mund të kenë ndikim të rëndësishëm mbi habitatet dhe speciet e mbrojtura në zonat e veçanta të ruajtjes sikurse Zona Emerald AL0000008 “Pejzazhi i Mbrojtur i Sistemit Ligatinor Vjosë-Nartë”[1]. Në të drejtën vendase kjo buron nga ligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (nr. 10440/2011); Ligjit për Zonat e Mbrojtura”(nr. 81/2017) dhe VKM nr 912/2015.
Pikërisht këtu qëndron një nga boshllëqet më të mëdha të argumentit të paraqitur. Duke qenë se zona e Pishë Poro-Nartës është Zonë Emerald dhe Zonë pilot Natura 2000, duke qenë se përmban habitate me rëndësi të lartë ekologjike dhe specie të mbrojtura, standardi evropian nuk mjaftohet me një VNM të zakonshme. Sipas nenit 6/3 të Direktivës së Habitateve, çdo plan apo projekt që mund të ketë ndikim domethënës mbi objektivat e ruajtjes së një Zone të Vecantë të Ruajtjes duhet t’i nënshtrohet një Vlerësimi të Duhur (Appropriate Assessment të plotë), të bazuar në të dhëna shkencore dhe në analizën e alternativave. Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian ka sqaruar në mënyrë të përsëritur se një projekt mund të miratohet vetëm kur autoriteti kompetent ka arritur siguri shkencore të arsyeshme se nuk do të dëmtojë integritetin ekologjik të zonës.
Në këtë kuadër, fakti që është kërkuar një Vlerësim i Thelluar i Ndikimit në Mjedis nuk duhet paraqitur si provë e funksionimit të sistemit, por si pranim institucional se projekti paraqet rreziqe të tilla që nuk mund të trajtohen me një procedurë të zakonshme. Për më tepër, përvoja shqiptare e më shumë se dy dekadave tregon se VNM-të rrallëherë kanë shërbyer si instrument për të ndaluar projekte me ndikim të lartë mjedisor. Në praktikë, ato kanë funksionuar kryesisht si mekanizma për legalizimin dhe legjitimimin e vendimeve të marra paraprakisht. Pikërisht për këtë arsye, në një rast me rëndësi kaq të lartë për biodiversitetin dhe për interesin publik, nuk mjafton vetëm një VNM e përgatitur nga ekspertët e kontraktuar nga vetë zhvilluesi. Është e domosdoshme një oponencë e pavarur shkencore dhe teknike, e kryer nga ekspertë pa konflikt interesi, përpara çdo vendimmarrjeje përfundimtare.
Një nga problemet më serioze në argumentimin e Kryeministrit është mënyra se si paraqitet kronologjia e procedurave. Kryeministri e trajton lejen e rrethimit dhe aktivitetet paraprake në terren si pjesë të zakonshme të procesit të zhvillimit. Jo vetëm kaq, Kryeministri argumenton se rrethimi mundëson matjet në terren, aktivitetet monitoruese për studimin mjedisor. Ndërkaq ai nuk tregon se vëzhgimet gjeologjike në terren kanë nisur në fillim të Marsit 2026 dhe nuk kanë pasur nevojë as për rrethim dha as për rrugë aksesi. Për çfarë duhej atëherë rrethimi i mëvonshëm i zonës?
Sërish, argumentimi i Kryeministrit anashkalon funksionin themelor të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis. Sipas legjislacionit shqiptar dhe parimeve themelore të së drejtës evropiane të mjedisit, vlerësimi mjedisor nuk është një formalitet që shoqëron projektin gjatë zbatimit të tij, por instrumenti që duhet të paraprijë çdo vendimmarrje dhe çdo ndërhyrje që mund të ndikojë mbi vlerat natyrore të zonës.
Në rastin konkret, punimet në terren, përfshirë rrethimin, ndërtimin e kampit të punës dhe rrugëve të aksesit kanë nisur që më 30 Prill 2026, ndërsa vetëm 15 ditë më vonë, më 15 maj 2026, autoriteti përgjegjës mjedisor vendosi që projekti duhet t’i nënshtrohet një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis. Kjo do të thotë se ndërhyrjet kishin filluar përpara se shteti të kishte përcaktuar zyrtarisht nivelin e analizës mjedisore të nevojshme për projektin dhe përpara se të ekzistonte një vlerësim i plotë mbi pranueshmërinë e tij nga pikëpamja ekologjike. Në këto kushte, pretendimi se procedurat po ndiqen sipas radhës së kërkuar nga ligji bëhet i vështirë për t’u mbështetur.
Arsyeja pse Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis vendoset në fillim të zinxhirit procedural është pikërisht për të dokumentuar gjendjen ekzistuese të mjedisit përpara çdo ndërhyrjeje, për të identifikuar vlerat natyrore që mund të preken dhe për të analizuar alternativat e mundshme. Vetëm mbi këtë bazë mund të vlerësohet nëse një projekt duhet të vazhdojë, të modifikohet apo të mos lejohet fare. Kur ndërhyrjet paraprijnë vlerësimin, një pjesë e informacionit bazë që duhet të përdoret për analizën mjedisore mund të jetë tashmë e ndryshuar ose e dëmtuar, duke cenuar vetë integritetin e procesit.
Vëzhgimet e kryera në terren pas fillimit të punimeve sugjerojnë se ndërhyrjet paraprake kanë sjellë tashmë pasoja të konsiderueshme mbi habitatet natyrore të zonës. Operacionet me mjete të rënda përgjatë plazheve të Dajlanit dhe Portonovës vlerësohet se kanë dëmtuar habitatet e folezimit të breshkës së detit (Caretta caretta), një specie e mbrojtur dhe e kërcënuar në shkallë globale. Sistemet e dunave ranore, habitate prioritare të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, janë prekur nga depozitimi dhe ngjeshja e materialeve të ndërtimit të përdorura për hapjen e rrugëve të brendshme, ndërsa ndërhyrjet në kanalin e Portonovës kanë potencialin të ndikojnë proceset të shkëmbimit të ujërave ndërmjet lagunës dhe detit, një mekanizëm thelbësor për funksionimin ekologjik të gjithë kompleksit ligatinor.
Po ashtu, vendosja e gardheve dhe kufizimeve fizike ka krijuar barriera për lëvizjen e faunës së egër, ndërsa aktiviteti intensiv i makinerive të rënda, kamionëve dhe pajisjeve të ndërtimit ka rritur ndjeshëm nivelin e shqetësimit për shpendët dhe speciet e tjera të lidhura me habitatet e zonës. Këto janë pikërisht llojet e ndikimeve që një Vlerësim i Thelluar i Ndikimit në Mjedis duhet të identifikojë, analizojë dhe vlerësojë përpara se të lejohen ndërhyrjet, jo pasi ato kanë filluar.
[1] https://natura2000.eea.europa.eu/Emerald/SDF.aspx?site=AL0000008
- Ligji per Planifikimin e Territorit 107/2014
- Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit (PPK) “Shqipëria 2030” miratuar zyrtarisht me Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) Nr. 881, datë 14.12.2016
- PINS Bregdeti (dokumenti plotesues i PPKse) miratuar zyrtarisht nga KKT, Vendim nr.2, dt. 14.06.2016
[1] https://natura2000.eea.europa.eu/Emerald/SDF.aspx?site=AL0000008
Për këtë arsye, çështja nuk lidhet thjesht me respektimin formal të disa hapave procedurale. Thelbi i problemit është se logjika e procesit duket të jetë përmbysur: ndërhyrjet kanë paraprirë vlerësimin, ndërsa vlerësimi do të përdoret për të justifikuar një realitet që ka filluar të krijohet në terren. Kjo bie ndesh me parimin e parandalimit, i cili përbën një nga shtyllat themelore të legjislacionit evropian të mjedisit dhe kërkon që rreziqet të identifikohen dhe të vlerësohen përpara se të krijohen dëme potencialisht të pakthyeshme.
Lidhja me Vjosën
Pretendimi se zona e projektit në Zvërnec “nuk ka asnjë lidhje me deltën e Vjosës” është, në rastin më të mirë, një thjeshtëzim i tepruar i realitetit ekologjik dhe gjeologjik të bregdetit të Vlorës. Askush nuk po pretendon se resorti do të ndërtohet brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa apo se do të prekë fizikisht territorin e tij të mbrojtur. Por nga kjo nuk rrjedh automatikisht përfundimi se nuk ekziston asnjë lidhje midis këtyre sistemeve natyrore.
Përkundrazi, kompleksi lagunor i Nartës, dunat bregdetare, pylli i Pishë Poros dhe vetë morfologjia e bregdetit në këtë pjesë të Adriatikut janë rezultat i proceseve gjeologjike dhe hidrologjike që kanë vepruar për mijëra e miliona vjet, ku një rol themelor ka luajtur sistemi lumor i Vjosës. Deltat e lumenjve nuk janë thjesht pika në hartë; ato janë produkte të transportit dhe depozitimit të sedimenteve, të dinamikës së ujërave dhe të proceseve natyrore që formësojnë peizazhin bregdetar në shkallë rajonale. Në këtë kuptim, është e vështirë të argumentohet se Laguna e Nartës dhe kompleksi natyror përreth saj nuk kanë asnjë lidhje me proceset që kanë krijuar dhe vazhdojnë të ndikojnë deltën e Vjosës.
Problemi është ndikimi kumulativ i zhvillimeve që po planifikohen në të gjithë këtë segment të bregdetit. Resortet e Zvërnec-Akërnisë nuk paraqiten si ndërhyrje të izoluara, por si pjesë e një presioni gjithnjë e më të madh zhvillimor mbi një kompleks natyror që përfshin laguna, ligatina, pyje bregdetare, sisteme dunash dhe habitate me rëndësi të veçantë për biodiversitetin.
Pikërisht për këtë arsye, standardet evropiane të vlerësimit mjedisor nuk kërkojnë vetëm analizimin e ndikimeve të drejtpërdrejta të një projekti të vetëm, por edhe të efekteve kumulative të tij në kombinim me projekte të tjera ekzistuese ose të planifikuara. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një territor ku ndryshimet ligjore të viteve të fundit kanë hapur mundësinë për zhvillime turistike intensive brenda zonave të mbrojtura.
Prandaj, referimi ndaj statusit të lartë të mbrojtjes së Parkut Kombëtar të Vjosës nuk e zgjidh debatin. Pyetja nuk është nëse Vjosa është e mbrojtur. Pyetja është nëse i gjithë kompleksi natyror i Pishë Poro-Nartës, po menaxhohet sipas logjikës së ruajtjes afatgjatë të ekosistemeve apo sipas logjikës së zhvillimit të fragmentuar projekt pas projekti.
Kategoria V
Argumenti i Kryeministrit mbështetet në një fakt formal: zona “Pishë Poro-Nartë” ka qenë dhe mbetet e klasifikuar si “Peizazh i Mbrojtur” (Kategoria V sipas IUCN) që prej vitit 2004. Kjo është pjesërisht e vërtetë, sepse ndryshimet e vitit 2024 në fakt kanë përfshirë shkrirjen e dy kategorive në një të vetme: Rezervatin Natyror të Menaxhuar Pishë Poro dhe Kompleksin ligatinor Vjosë – Nartë. Por gjithë procesi është shoqëruar edhe me një reduktim të ndjeshëm të sipërfaqeve ekzistuese të Zonës Vjosë-Nartë ku më të rëndësishmet janë hapësira e aeroportit të Vlorës dhe Kodrat e Novoselës dhe Panajasë.
Megjithatë interpretimi që i bëhet kategorisë V të IUCN-së, sikur vetë fakti që ajo lejon praninë e aktivitetit njerëzor përbën argument në favor të çdo zhvillimi të propozuar është i pasaktë. Në realitet, një Peizazh i Mbrojtur mbetet një zonë e mbrojtur dhe objektivi themelor i kësaj kategorie është ruajtja afatgjatë e vlerave natyrore, peizazhore dhe kulturore që kanë lindur nga ndërveprimi historik ndërmjet njeriut dhe natyrës. Sipas standardeve të IUCN-së, aktivitetet ekonomike dhe përdorimi i territorit lejohen vetëm për aq sa janë në përputhje me ruajtjen e karakterit të peizazhit, integritetit ekologjik dhe habitateve që justifikojnë statusin e mbrojtjes. Prandaj, Kategoria V nuk është një kategori zhvillimi, por një kategori konservimi me përdorim të qëndrueshëm. Fakti që zona nuk është Park Kombëtar apo Rezervë Strikte nuk do të thotë se humbet funksionin e saj mbrojtës. Përkundrazi, autoritetet publike kanë detyrimin të garantojnë që çdo ndërhyrje e re të mos cenojë habitatet, biodiversitetin, proceset ekologjike dhe vlerat peizazhore për të cilat zona është shpallur e mbrojtur. Kjo është arsyeja pse debati nuk duhet të fokusohet tek ajo që lejohet teorikisht brenda një Peizazhi të Mbrojtur, por tek fakti nëse zhvillimi i propozuar është në përputhje me objektivin kryesor të kësaj kategorie: ruajtjen e vlerave natyrore dhe peizazhore për brezat e ardhshëm.
Një zonë e mbrojtur nuk përkufizohet vetëm nga emërtimi i saj në hartë. Ajo përkufizohet nga regjimi i menaxhimit, kufizimet që vendosen mbi aktivitetet zhvillimore, mekanizmat e vendimmarrjes dhe instrumentet e mbrojtjes që zbatohen në praktikë. Pikërisht këto elemente kanë ndryshuar. Ndryshimet e ligjit nr. 21/2024 zgjeruan aktivitetet e lejuara brenda zonave të mbrojtura, eliminuan nënzonimin për kategorinë “Peizazh i Mbrojtur” dhe zhvendosën vendimmarrjen drejt strukturave që kanë prioritet zhvillimin territorial dhe jo konservimin e natyrës. Prandaj fakti që emri “Peizazh i Mbrojtur” ka mbetur i pandryshuar nuk do të thotë se niveli i mbrojtjes ka mbetur i njëjtë.
Nga ana tjetër zona e mbrojtur Pishë Poro – Nartë është e vetmja zonë në të cilën gërshetohen në mëyrë harmonike të gjitha kategoritë e zonave të mbrojtura që ne kemi në Shqipëri nga e dyta deri te e gjashta. Edhe pse Zona është në statusin e kategorisë 5; peizazh i mbrojtur, ajo përshkohet mes per mes nga Parku Kombëtar i lumit të egër Vjosa që gëzon statusin e kategorisë 2. Gjithashtu në brendësi të zonës janë të listuara 3 monumente natyre që gëzojnë statusin e kategorisë 3, specifikisht, Kodrat molasike te Zvërnecit, ligatina e Limopuos dhe dunat e stabilizuara të Nartës. Fakti i shkrirjes së zonave të mbrojtura në një te vetme nuk i tjetërson vlerat natyrore të ish- Rezervatit Natyror të Menaxhuar Pishë Poro, i cili para ndryshimeve te vitit 2024 gëzonte statusin e kategorisë 4. Nderkohe qe në shtator 2025 e gjithe zona e deltës së lumit Vjosa është njohur ndërkombëtarisht si Rezervë Biosferë nga programi i UNESCO “Njeriu dhe Biosfera” që është ekuivalente me kategorinë 6 sipas standardeve te IUCN.
Në mënyrë të ngjashme, citimi i nenit 20 të ligjit të vitit 2017 krijon një përshtypje të gabuar sikur ligji ka lejuar gjithmonë pa kufizim zhvillime infrastrukturore dhe ndërtimore në zonat e mbrojtura. Në realitet, ekzistenca e mundësisë ligjore për të shqyrtuar projekte të tilla nuk përbën në vetvete argument për pranueshmërinë e tyre. Çdo projekt duhet të kalojë filtrat e planifikimit territorial, të mbrojtjes së biodiversitetit, të vlerësimit mjedisor dhe të interesit publik. Për më tepër, deri në ndryshimet e fundit ligjore ekzistonin mekanizma shtesë mbrojtjeje, përfshirë nënzonimin e brendshëm, që kufizonin ndjeshëm mundësinë e zhvillimeve intensive në pjesët ekologjikisht më të ndjeshme të territorit.
Alibia e Sazanit
Deklarata politike se ishulli Sazanit do mbetet pronë shtetërore nuk zëvendëson transparencën mbi kontrollin, përdorimin dhe interesin publik
Deklarata se ishulli i Sazanit nuk do të shitet dhe do të mbetet pronë e shtetit nuk u përgjigjet shqetësimeve kryesore publike. Pronësia formale është vetëm një element i marrëdhënies juridike. Kemi parë që Qeveria të ketë dhënë me kontrata afatgjata problematike me ligjin, vijë bregdetare me qëllim përdorimi privat. Për këtë arsye, po aq të rëndësishme janë kohëzgjatja dhe kushtet e vënies së territorit në dispozicion, sipërfaqja që do të përdoret, të drejtat ekskluzive që do t’i njihen investitorit, mënyra e pjesëmarrjes së shtetit, shpërndarja e fitimeve dhe rreziqeve, kufizimet e aksesit publik, garancitë mjedisore dhe mundësia e kontrollit efektiv nga institucionet shqiptare.
Vetë Kryeministri pranon se negociatat nuk kanë përfunduar, se nuk ka ende marrëveshje, projekt arkitektonik apo studim mjedisor. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të shpallet paraprakisht se procesi dëshmon mbrojtjen e interesit publik apo një qasje “dinjitoze dhe profesionale”. Një përfundim i tillë mund të nxirret vetëm pasi të bëhen publike termat e negociatave, modeli juridik dhe financiar i marrëdhënies me investitorin, kriteret me të cilat është përzgjedhur ai, si edhe vlerësimet mjedisore dhe territoriale.
Çështja nuk është nëse ishulli do të figurojë në kadastër si pronë shtetërore. Çështja është se çfarë të drejtash mbi të do t’i kalohen një subjekti privat, për sa kohë, me çfarë kundërvlere dhe nën çfarë kontrolli publik. Pa këto të dhëna, deklarata politike nuk mund të zëvendësojë transparencën dhe as të shërbejë si provë se interesi publik është mbrojtur.



