REAGIM – Deklarata e Komisioneres Kos mbi Shqipërinë

REAGIM – Deklarata e Komisioneres Kos mbi Shqipërinë

REAGIM

Deklarata e Komisioneres Kos mbi Shqipërinë

Ndërsa qytetarët shqiptarë hyjnë në ditën e shtatëmbëdhjetë të protestave në Tiranë, pas zhvillimeve të paligjshme që kanë dëmtuar pjesë të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë–Nartë, deklarata e Komisioneres Kos ngre shqetësime serioze.

Në konferencën për shtyp të datës 15 qershor, Komisionerja deklaroi se Komisioni Europian ka “marrë garanci nga Qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një Vlerësim i plotë i Ndikimit në Mjedis dhe se do të respektohen standardet mjedisore europiane”.

Në deklaratën e parë publike të Komisionit që prej nisjes së këtyre zhvillimeve të paligjshme, mungoi adresimi i fakteve thelbësore: paligjshmëria e ndërhyrjeve, dëmi mjedisor i shkaktuar, si dhe detyrimi i qeverisë shqiptare për të rikthyer gjendjen në përputhje me ligjin dhe me angazhimet e saj në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.

Kjo deklaratë është e papranueshme. Ajo mbështetet në argumente të pasakta dhe në garanci të thjeshta politike nga Qeveria shqiptare, ndërkohë që injoron zhvillimet e paligjshme që tashmë kanë ndodhur në Vjosë–Nartë, pa lejet e nevojshme, pa masa mbrojtëse dhe pa transparencë. Këto ndërhyrje kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme ekologjike dhe kanë nxitur javë të tëra protestash publike.

Duke u fokusuar në angazhime të ardhshme për kryerjen e një Vlerësimi të Ndikimit në Mjedis, në vend që të trajtojë ligjshmërinë e veprimeve tashmë të realizuara, Komisioni de facto po krijon hapësirë për vazhdimin e projektit, pavarësisht shkeljeve të dukshme të legjislacionit mjedisor të BE-së.

Komisioni duhet urgjentisht të dënojë zhvillimet e paligjshme të ndodhura dhe t’i bëjë thirrje Qeverisë shqiptare për vendosjen e një moratoriumi të menjëhershëm mbi të gjitha aktivitetet dhe punimet, deri në shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura. Po ashtu, duhet të riafirmohet qartë se përputhja me legjislacionin mjedisor të BE-së, përfshirë Direktivat për Shpendët dhe Habitatet, është një detyrim thelbësor i procesit të anëtarësimit dhe nuk mund të zëvendësohet nga një Vlerësim i Ndikimit në Mjedis i kryer pas dëmeve të shkaktuara.

Çdo zhvillim që bie ndesh me këto detyrime gjatë procesit të anëtarësimit përbën shkelje të parimit të ligjshmërisë.

“Është tronditëse të shohësh Komisionin Europian të trajtojë me kaq lehtësi vetë ligjet e tij. Procesi i anëtarësimit në BE nuk ndërtohet mbi premtime dhe komunikim publik, por mbi respektim të shtetit të së drejtës. Nëse Komisioni nuk sheh shkatërrimin që po ndodh në Vjosë–Nartë, të paktën duhet të dëgjojë zërin e qindra mijëra shqiptarëve që kërkojnë ndalimin e tij. Kjo nuk është vetëm çështje e mbrojtjes së natyrës, por edhe e besueshmërisë së Bashkimit Europian. Ligjet e BE-së duhet të zbatohen në praktikë.” – Anouk Puymartin, Drejtuese e Politikave në BirdLife Europe and Central Asia.

Postime të ngjashme