Rrëqebulli i Ballkanit dokumentohet në një zonë të re në juglindje të Shqipërisë, mes Korçës dhe Skraparit

Rrëqebulli i Ballkanit dokumentohet në një zonë të re në juglindje të Shqipërisë, mes Korçës dhe Skraparit
Jemi shumë të lumtur të ndajmë me ju një lajm të rëndësishëm për rrëqebullin e Ballkanit. Një individ i rrëqebullit të Ballkanit është fotografuar nga një prej kamerave kurth në një zonë të re në juglindje të Shqipërisë, në kufirin mes rajoneve të Korçës dhe Skraparit.
Ky përbën regjistrimin më jugor të konfirmuar të rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit, një e dhënë e vyer për kërkimin shkencor për praninë dhe shpërndarjen e këtij lloji të rrezikuar në mënyrë kritike.
Çdo evidence e re na ndihmon të kuptojmë më mirë mënyrën se si rrëqebulli i Ballkanit përdor territorin, të identifikojmë habitatet kyçe dhe të monitorojmë shpërndarjen e tij. Të dhënat nga kjo zonë, e cila shtrihet përtej habitateve kryesore të njohura deri më sot, janë veçanërisht të rëndësishme, pasi mund të tregojnë zgjerimin e mundshëm drejt territoreve të reja jugore ose përdorimin e korridoreve ekologjike të pa dokumentuara më parë.
Këto gjetje forcojnë planifikimin e masave të ruajtjes dhe përmirësojnë kuptimin tonë mbi ndërlidhjen e habitateve në Shqipëri.
Ekspertët tanë do të analizojnë imazhin origjinal të regjistruar nga kamera dhe do ta krahasojnë atë me fotografitë dhe të dhënat e mbledhura gjatë viteve të mëparshme, me qëllim konfirmimin e identitetit të individit. Paralelisht, do të instalohen kamera shtesë në zonë për të vijuar monitorimin dhe për të mbledhur të dhëna të reja mbi praninë, lëvizjet dhe përdorimin e habitatit nga ky individ.
Për Programin e Rimëkëmbjes të Rrëqebullit të Ballkanit (BLRP), çdo e dhënë e verifikuar ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Ajo na afron një hap më shumë drejt kuptimit të shpërndarjes së këtij lloji dhe mbrojtjes së rrjetit ekologjik nga i cili varet mbijetesa e tij.
Postime të ngjashme