Njoftim për Shtyp: Projekt ndërkombëtar për të siguruar një rrugë shtegtimi më të sigurt dhe për të rimëkëmbur popullatën e kalit të qyqes në Ballkan

Njoftim për Shtyp: Projekt ndërkombëtar për të siguruar një rrugë shtegtimi më të sigurt dhe për të rimëkëmbur popullatën e kalit të qyqes në Ballkan

Njoftim për Shtyp: Projekt ndërkombëtar për të siguruar një rrugë shtegtimi më të sigurt dhe për të rimëkëmbur popullatën e kalit të qyqes në Ballkan

Me rastin e Ditës Botërore të Shpendëve Shtegtarë, më 10 tetor, Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve (BSPB/BirdLife Bulgaria) njofton nisjen e projektit ndërkombëtar LIFE EV Safe Return, bashkëfinancuar nga Programi LIFE i Bashkimit Evropian. Projekti bashkon 15 institucione dhe organizata nga Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika, me synimin për të nxitur rimëkëmbjen e një prej shpendëve grabitqarë më të rrezikuar të Evropës, përmes forcimit të mbrojtjes në zonat e riprodhiimit, përgjatë rrugëve të shtegtimit dhe në zonat ku dimëron.

Çdo vjeshtë, kali i qyqes largohet nga Gadishulli i Ballkanit dhe përshkon më shumë se 5 000 kilometra për të mbërritur në zonat e dimërimit në Afrikë. Udhëtimi i tij nëpër tri kontinente e ekspozon ndaj kërcënimeve të shumta. Karremat e helmuar në mënyrë të paligjshme, gjuetia e paligjshme dhe goditjet elektrike nga shtyllat e pasigurta të energjisë janë ndër rreziqet kryesore për këtë lloj. Në disa zona të Afrikës, shkabat përndiqen gjithashtu për t’u përdorur në praktika të lidhura me besimet tradicionale. Një shpend që mbrohet në folenë e tij mund të ngordhë mijëra kilometra larg saj. Prandaj, mbijetesa e tij varet nga bashkërendimi i masave të ruajtjes së natyrës përgjatë gjithë rrugës së shtegtimit.

Kali i qyqes mund të shërbejë si lloj simbol për ruajtjen e natyrës përgjatë rrugëve të shtegtimit. Masat për të ulur helmimet, për të bërë më të sigurta linjat dhe infrastrukturën elektrike, si dhe për të luftuar vrasjen e paligjshme, ndikojnë edhe te shumë shpendë të tjerë shtegtarë që ndjekin të njëjtat rrugë dhe përballen me kërcënime të ngjashme. Sigurimi i një udhëtimi të sigurt për këtë lloj do të ndihmojë në krijimin e kushteve më të sigurta për një numër shumë më të madh shpendësh. Dikur i përhapur në të gjithë Ballkanin, kali i qyqes është zhdukur si lloj riprodhues në disa vende të rajonit. Sot, në Bullgari, Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri kanë mbetur vetëm rreth 50 çifte. Pas më shumë se tri dekadash rënieje, popullata e Ballkanit ka shfaqur shenja qendrueshmërie vitet e fundit, ndërsa në Bullgari numri i individëve ka nisur të rritet. Ky progres pasqyron bashkëpunimin e vazhdueshëm mes organizatave të ruajtjes së natyrës, institucioneve dhe komuniteteve lokale. Këto zhvillime japin shpresë, por, duke qenë se popullata mbetet ende e vogël, humbja e qoftë edhe një individi mund të ngadalësojë procesin e rimëkëmbjes. “LIFE EV Safe Return” përfaqëson hapin e radhës në një program afatgjatë për ruajtjen e këtij lloji. Projekti do të zgjasë deri në vitin 2031, duke u mbështetur në masat e suksesshme të ndërmarra deri më tani, duke i shtrirë ato në zona të reja gjeografike dhe duke prezantuar qasje novatore. Ai vijon gjithashtu punën e projektit Egyptian Vulture New LIFE, i cili u vlerësua me Çmimin e Qytetarëve në edicionin e vitit 2026 të çmimeve LIFE. “Shenjat e para të rimëkëmbjes tregojnë se përpjekjet tona po japin rezultate. Tani duhet ta konsolidojmë këtë progres dhe ta kthejmë në një prirje afatgjatë. Për një shpend që përshkon më shumë se 5 000 kilometra mes Ballkanit dhe Afrikës, kjo nënkupton trajtimin e kërcënimeve përgjatë gjithë rrugës së tij të shtegtimit. Bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor: mbrojtja e shpendëve në një vend duhet të shoqërohet me veprime konkrete edhe në vendet nëpër të cilat kalojnë dhe ku qëndrojnë gjatë dimrit. Për herë të parë në kuadër të programit tonë të ruajtjes, do të ndërmerren masa të posaçme në Çad, një nga vendet kryesore ku ky lloj dimëron. Ekipi ynë ndërkombëtar do të përqendrohet në tri prioritete: uljen e kërcënimeve që shkaktojnë ngordhjen e individëve, forcimin e popullatës së egër përmes lëshimit në natyrë të shpendëve të rritur në robëri ose të shpëtuar, si dhe përfshirjen aktive të autoriteteve dhe komuniteteve lokale”, shprehet Dr. Volen Arkumarev nga BSPB, drejtuesi i projektit. Projekti do të synojë parandalimin e helmimit të faunës së egër, uljen e rrezikut të goditjeve elektrike në Etiopi dhe Greqi, luftimin e gjuetisë së paligjshme, sigurimin e ushqimit të padëmshëm dhe garantimin e reagimit të shpejtë ndaj incidenteve. Në Afrikë, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet bashkëpunimit me drejtuesit e komuniteteve dhe praktikuesit e mjekësisë tradicionale, me synimin për të ulur përndjekjen e shkabave të nxitur nga besimet tradicionale. Lidhja mes ekipeve të ruajtjes së natyrës në vende të ndryshme do të forcojë aftësinë e tyre për të identifikuar kërcënimet dhe për të mbrojtur shpendët gjatë gjithë ciklit të tyre vjetor.

Në Bullgari dhe Greqi, të paktën 40 individë të kalit të qyqes, të rritur në kopshte zoologjike evropiane ose të shpëtuar nga natyra, do të lëshohen në habitatet e tyre natyrore. Pajisjet me gjurmues GPS do t’u mundësojnë ekipeve të ruajtjes së natyrës të ndjekin lëvizjet e tyre përtej kufijve, të identifikojnë zonat me rrezik të lartë për ngordhjen e individëve dhe të ndërhyjnë kur të jetë e nevojshme.

Rimëkëmbja afatgjatë e kalit të qyqes varet gjithashtu nga komunitetet lokale. Projekti do të bashkëpunojë me blegtorët, gjuetarët, rojtarët e zonave të mbrojtura, veterinerët, mësuesit dhe autoritetet lokale për të parandaluar kërcënimet, për të siguruar ushqim të padëmshëm dhe për të mbrojtur zonat e riprodhimit. Programet edukative në pesë vende do të përfshijnë më shumë se 4 000 nxënës, mësues dhe të rinj të angazhuar në ruajtjen e natyrës, duke i njohur ata me këtë lloj dhe duke u krijuar mundësi për të kontribuar në mbrojtjen e tij.

Me pendët e bardha dhe fytyrën e verdhë të ndezur, kali i qyqes dallohet lehtësisht. Si pastrues natyror, ai luan gjithashtu një rol të rëndësishëm ekologjik, duke u ushqyer me mbetjet e kafshëve të ngordhura. Prej shekujsh, ky lloj është pjesë e miteve, besimeve dhe traditave në të gjithë zonën ku jeton. Në Egjiptin e Lashtë, ai nderohej si i shenjtë; ndërsa në folklorin bullgar zë një vend të veçantë. Komunitetet turqishtfolëse e quajnë “akbaba”, emërtim që lidhet me kuptimin “babai i bardhë”. Në Greqi dhe Shqipëri, njihet si “kali i qyqes” dhe besohet se sjell pranverën mbi krahët e tij.

Prandaj, mbrojtja e kalit të qyqes nënkupton ruajtjen jo vetëm të një pjese thelbësore të natyrës, por edhe të një lidhjeje të gjallë me trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore. Duke bashkuar njerëz dhe organizata nga tri kontinente, projekti LIFE EV Safe Return do të punojë për të siguruar që ky shpend i veçantë të mund të vazhdojë udhëtimet e tij dhe të rikthehet i sigurt në Ballkan.

Rreth projektit

LIFE EV Safe Return koordinohet nga Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve (BSPB/BirdLife Bulgaria), në partneritet me organizatat dhe institucionet e mëposhtme:

Kopshti Zoologjik i Sofjes dhe Kopshti Zoologjik i Pragës janë partnerë të asociuar.

Projekti bashkëfinancohet nga Programi LIFE i Bashkimit Evropian.

Rreth Ditës Botërore të Shpendëve Shtegtarë

Dita Botërore e Shpendëve Shtegtarë është një fushatë globale që synon të rrisë ndërgjegjësimin për nevojën e ruajtjes së shpendëve shtegtarë dhe habitateve të tyre. Ajo shënohet dy herë në vit, në maj dhe tetor, duke pasqyruar periudhat sezonale të shtegtimit të shpendëve në mbarë botën. Në vitin 2026, dita e shënimit në tetor është 10 tetori, ndërsa tema e këtij viti thekson rolin e shkencës qytetare në ruajtjen e shpendëve shtegtarë.

Postime të ngjashme