Si rrallëherë më parë BE i tregon “pa doreza” dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë Shqipërisë që po vepron në shkelje të hapur të ligjeve. Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Shqipërinë, i publikuar pak ditë më parë, përshkruan në detaje mangësitë e theksuara të Shqipërisë në adresimin e çështjeve mjedisore me rëndësi në kuadër të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Çështja e ndërtimit të aeroportit të Vlorës në brendësi të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë është quajtur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Bashkimi Evropian si një shkelje e hapur e ligjeve të vendit dhe konventave ndërkombëtare. Gjithashtu, në raport theksohet dhënia e një statusi të duhur për të gjithë luginën e Vjosës, ku përfshihet dhe territori i deltës së lumit, zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë.
Në prill të vitit 2021, Shqipëria nënshkruajti kontratën për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës në brendësi të Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë, në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare për ruajtjen e biodiversitetit që Shqipëria ka ratifikuar. Kjo Zonë e Mbrojtur që strehon më tepër se 62 lloje shpendësh të përfshirë në Direktivën Evropiane të Shpendëve, është një zonë kandidate për përfshirjen në rrjetin Emerald. Lumi i Vjosës, si një prej lumenjve të fundit të egër në Evropë, duhet të përfitojë një status të përshtatshëm ruajtje
(Komisioni Evropian, 2021, fq. 114)
Ndërkohë që gjuha e përdorur në këto raporte zakonisht është e përmbajtur dhe në formën e këshillave, këtë herë mesazhi është më se i qartë: Vendimmarrja për aeroportin është në kundërshtim të plotë me ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare!
PPNEA i bën thirrje autoriteteve përgjegjëse të tërhiqen nga kjo vendimmarrje e gabuar, që përbën një bllokim dhe hap mbrapa në rrugëtimin tonë për integrim në Bashkimin Evropian!
Lexoni më tepër në raportin e plotë.