FESTIVALI I PORTO PALERMOS

FESTIVALI I PORTO PALERMOS
Jemi të lumtur t’iu bëjmë me dije se PPNEA do të marrë pjesë në Edicionin e Tretë të Festivalit të Porto Palermos! Kjo nismë përfaqëson një përpjekje kolektive për mbrojtjen e mjedisit detar në Shqipëri. PPNEA do të sjellë më pranë të gjithëve çështjen e ruajtjes dhe mbrojtjes së fokës së Mesdheut, këtij lloji të rrezikuar të brigjeve të vendit. Aktivitete të ndryshme edukuese dhe një ekspozitë plot informacione për Fokën e Mesdheut do të na shoqerojnë ditën e shtunë, më date 8 Korrik. Siguroni vendin tuaj duke u regjistruar në linkun: Marevivo – Porto Palermo Edition (google.com).

 

Projekti i fokës së Adriatikut Lindor

Foka e Mesdheut (Monachus monachus) është foka më e rrallë në botë dhe një ndër gjitarët detar më të rrezikuar në Evropë. Sipas vlerësimeve më të besueshme në mbarë botën kanë mbetur më pak se 700 individë. Në Atlantikun e Veriut ekzistojnë dy nënpopullata: një në Cabo Blanco (“Cap Blanc”) në kufirin e Mauritanisë dhe Saharasë Perëndimore dhe një në Arkipelagun e Madeira. Më shumë se gjysma e popullatës së mbetur jeton në pjesën lindore të Detit Mesdhe dhe here pas here vrojtohet përgjatë bregut të detit Adriatik. Dikur ajo ishte e përhapur gjerësisht në Mesdhe, Detin e Zi dhe në Atlantikun e Veriut, por sot shpërndarja e fokës së Mesdheut është shumë e fragmentuar dhe përbëhet nga tre deri në katër nënpopullata të izoluara.

Statusi i fokës së Mesdheut në Adriatikun Lindor është i njohur. Tashmë janë monitoruar zona të përshtatshme pushimi dhe riprodhimi dhe janë realizuar rekomandime përkatëse për ruajtjen e llojit. Nëpërmjet programit të fokës së Mesdheut në Adriatikun Lindor, PPNEA do të kryejë një monitorim të llojit dhe habitatit të tij. Ajo do të mbështetet nga një rrjet ekspertësh lokalë dhe ndërkombëtarë. Qëllimi i programit është “Ndërmarrja e masave urgjente dhe të menjëhershme konservuese për rimëkëmbjen e popullatës së fokës së Mesdheut “. Habitatet e përshtatshme për pushimin dhe riprodhimin e llojit përgjatë gjithë vijës bregdetare të Shqipërisë duhet të identifikohen dhe të sigurohet mbrojtja e tyre.

Postime të ngjashme