FLUTURIM PËR MBIJETESË – LEXONI HISTORINË E ELSËS

FLUTURIM PËR MBIJETESË – LEXONI HISTORINË E ELSËS
Mëngjesin e ditës së sotme, punonjësit e AdZM Fier lanë të lirë Elsën, lejlekun e ri me origjinë nga Sllovenia, shtegëtimi i së cilës ka qenë i mbushur me vuajtje dhe peripeci, ashtu sikurse edhe plot përkujdesje. Elsa, e çelur në liqenin Blejski, u unazua nga Muzeu i Historisë së Natyrës së Sllovenisë në datë 8 gusht të këtij viti, pasi ishte gjetur e plagosur rëndë pranë gjoksit, me shumë gjasë si pasojë e sulmit të ndonjë shpendi grabitqar. Elsa fillimisht u mbajt për 2 javë në qendrën e rehabilitimit në Muta të Sllovenisë, nga ku më tej është lëshuar. Në datën 15 shtator, ky individ u raportua në Ulqin nga kolegët e qendrës për Studimin dhe Ruajtjen e Shpendëve (CZIP) dhe 2 ditë më vonë lejleku është ulur në gjendje të dobët fizike në qendër të Tiranës, ku u kap dhe u mbajt në gjendje kaptiviteti deri sa fotografi i mirënjohur z.Albert Cmeta mësoi mbi rastin dhe ndërhyri për ta shpetuar. Z. Cmeta, kontaktoi qendrën “Shpendët e Shqipërisë”, e cila sëbashku me PPNEA-n ndërmorën vleresimin e menjehershëm të gjendjes së shpendit dhe vendosën t’a dërgojnë për trajtim në Qendrën e Rehabilitimit në Shpendëve të Egër në Divjakë, ku qëndroi 10 ditë dhe mori një përkujdesje të dalluar nga stafi i saj. Elsa arriti në qendrën e Divjakës në kufijtë e nënpeshës, rreth 2.3 kg, dhe falë përkujdesjes, në momentin e lëshimit, kishte peshën 3 kg. Një falënderim dhe mirënjohje e sinqertë për të gjithë ata që ndihmuan këtë shpend në fluturimin e tij për mbijetesë drejt Afrikës, vendit ku ky lloj kalon dimrin. © Ardian Koçi
Postime të ngjashme
Komente

Your email address will not be published.Required fields are marked *