Gëzuar ‘Ditën Botërore të Shpendëve Shtegtues’ me lejlekët e Shqipërisë

Gëzuar ‘Ditën Botërore të Shpendëve Shtegtues’ me lejlekët e Shqipërisë
Tashmë të gjithë çiftet e lejlekut janë kthyer në vendin tonë dhe janë rivendosur në foletë e tyre. Çifti në platformën e vendosur nga PPNEA dhe OST në Gjirokastër është monitoruar rregullisht nga ekipi ynë duke pasqyruar ritualin e riprodhimit të këtij lloji. Prindërit e ardhshëm të popullatës së lejlekut janë angazhuar në mbarëvajtjen e sezonit të tyre të riprodhimit ku secili nga të dy lejlekët ndan kohën për rregullimin e folesë, ngrohjen e vezëve si dhe gjetjen e ushqimit .
Vitin e kaluar, e njëjta fole u bë shtëpia e 4 vezëve të çelura nga të cilat dy prej të vegjëlve arritën të niseshin për fluturimin e parë për mbijetesë, ndërkohë dy të tjerët pak kohë pas lënies së folesë nuk u vrojtuan më të ktheheshin tek ajo. Ne besojmë se shkak për këtë mund të kenë qenë dy kërcënimet kryesore që shumë lloje shtegtarë hasin përgjatë udhëtimit dhe sezonit të riprodhimit, si përplasja dhe elektroshoku nga infrastrukturat e energjisë apo vrasja e paligjshme. Duke shpresuar se në të gjitha foletë do të kemi sukses në numrin e vezëve të çelura, së bashku me partnerët tanë do të kujdesemi që të gjithë individët e 4 çifteve tona në Shqipëri të nisin shtegtimin e tyre për në Afrikë! Ju urojmë të gjithëve gëzuar ditën botërore të shpendëve shtegtarë me këto foto të disa prej lejlekëve të Shqipërisë!
Postime të ngjashme