Kampi kërkimor ndërkufitar “Pelister 2019”, duke mësuar së bashku në laboratorin më perfekt – Natyrën

Kampi kërkimor ndërkufitar “Pelister 2019”, duke mësuar së bashku në laboratorin më perfekt – Natyrën Duke ndjekur shembullin e suksesshëm të vitit të kaluar të organizimit të shkollës verore ndërkufitare rreth “Edukimit Natyror dhe Interpretimit te Natyrës” organizuar nga PrespaNet, këtë vit rrjeti i organizatave mjedisore zgjodhi Parkun Kombëtar të Pelisterit (Maqedonia e Veriut) për të zhvilluar “Kampin Veror Kërkimor – Pelister 2019” në datat 8-13 korrik nën koordinimin e Shoqatës Ekologjike të Maqedonise (MES). Kampi veror mirëpriti mbi 15 studentë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Greqia, të cilët u bënë pjesë e aktiviteteve të ndryshme teorike dhe praktike lidhur me monitorimin e faunës dhe florës. Ndër ta, 4 studentë pjesëmarrës nga Shqipëria vinin nga qyteti i Korcës, Elbasanit dhe Tiranës. Ata u njohën fillimisht me Përfaqësuesen e PPNEA në Prespë, Cveta Trajce, e cila i njohu me zonën dhe mori pjesë bashkë me ta në ditën e hapjes së shkollës verore. Studentët punuan në disa grupe, të ashtëquajtur sesione, sipas preferencës së tyre dhe interesit taksonomik. Secili grup/sesion kishte mentor të dedikuar, të cilët janë ekspertë në fushat përkatëse, profesorë, kërkues shkencorë kombëtar dhe ndërkombëtar. Gjatë ditës së parë, studentët patën mundësinë të njihen me punën e PrespaNet gjatë këtyrë viteve si dhe me tej drejtoresha e PONT Mirjam de Koning shpjegoi shkurtimisht funksionin dhe mbështetjen e PONT në zonë. Ndër ekspertë, Bledi Hoxha dhe Mirjan Topi iu bashkuan kampit duke drejtuar sesionet e gjitarëve të mëdhenj dhe shpendëve si dhe duke ndarë me studentët eksperiencën e tyre lidhur me monitorimin e jetës së egër. Krahas njohurive studentët shkëmbyen eksperienca, shijuan natyrën e bukur të Parkut Kombëtar të Pelisterit, krijuan miqësi të reja dhe pse jo kolegë të ardhshëm.
Postime të ngjashme