KOLONIA MË E MADHE E DALLËNDYSHES SË DETIT NË SHQIPËRI (GLAREOLA PRATINCOLA)

KOLONIA MË E MADHE E DALLËNDYSHES SË DETIT NË SHQIPËRI (GLAREOLA PRATINCOLA)
Për të dytin vit radhazi PPNEA monitoron koloninë e dallëndyshes së detit (Glareola pratincola) në afërsi të Zonës së Rëndësishme për Shpendët (IBA) në Gjirin e Lalëzit, Durrës.
 
Kjo koloni u gjet vitin e kaluar gjatë një prej Fundjavave Ornitologjike të PPNEA, por periudha e gjetjes përkoi pothuajse me fundin e sezonit të folezimit, kur edhe zogjtë e fundit të çelur kishin lënë folenë. Ndaj, ishte e pamundur që të bëhej një vlerësim i saktë i numrit të cifteve. Për këtë arsye, këtë sezon ekipi i PPNEA bashkë me Shpendët e Shqipërisë monitoroi koloninë pikërisht në periudhën më të mirë për të realizuar një vlerësim të saktë të çifteve folezuese.
 
Rezultatet e monitorimit tregojnë një numër prej rreth 130 çiftesh folezuese, gjë që e bën këtë koloni jo vetëm më të madhen e këtij lloji në vend, por edhe një ndër më të mëdhatë në të gjithë Evropën, duke mbajtur e vetme 1.7-3.3 % të popullatës Evropiane të këtij lloji apo 4.5 – 5.7 % të popullatës në Evropën e Bashkuar.
 
Nga vrojtimet në zonë kolonia duket e pashqetësuar aktualisht, por prania e kësaj popullate dhe rendësia e zonës për shpendët shtegtarë duhet të rrisë vigjilencën e autoriteteve si dhe statusin e mbrojtjes në Sektorin Rinia. PPNEA do të vazhdojë monitorimin e kësaj kolonie përgjatë gjithë sezonit folezues, deri në përgatitjet e këtij lloji për shtegtim në vendet Afrikane.
 
     
 
Postime të ngjashme