Në ditën ndërkombëtare të ndërgjegjësimit mbi shkabat, njihuni me Mujon, banori lokal i cili kujdeset për stacionin suplementar në Kurvelesh

Në ditën ndërkombëtare të ndërgjegjësimit mbi shkabat, njihuni me Mujon, banori lokal i cili kujdeset për stacionin suplementar në Kurvelesh
Përtej përditshmërisë dhe punëve me anë të të cilave Mujo nxjerr jetesën, ky banor i rajonit të Kurveleshit mirëmban rregullisht stacionin suplementar të ndërtuar nga PPNEA. Kali i qyqes i sjell kujtimet e fëmijërisë, një kohë kur popullata e kësaj shkabe të mrekullueshme ka qenë larg rrezikut të zhdukjes, ashtu si duhet të ishte edhe sot.
 
“Kur kalin e qyqes e shikonim në qiell, e dinim se kishte ardhur pranvera” – thotë Mujo, i cili nuk e fsheh për asnjë moment dashamirësinë ndaj kalit të qyqes, që për të simbolizon begatinë, qiellin e pastër dhe ardhjen e stinës më të bukur të vitit. “E shoh shpesh” – thotë ai, “në të shumtën e rasteve gjatë mëngjesit, por edhe në pasdite nuk është çudi!”
 
Tani që kali i qyqes po përgatitet për t’u larguar, Mujo më tepër se të gjithë do ta ndjejë mungesën e tij. Mirëmbajtja e rregullt e stacionit e ka lidhur akoma më tepër këtë banor me shkabën e mrekullueshme, të cilës ai i sjell në mënyrë të rregullt ushqim dhe i pastron sofrën nga bimësia.
 
Mujo shpreson që kali i qyqes mos ta braktisë fshatin e tij, dhe pranverën tjetër përsëri ta shikojë në qiell, ashtu siç e ka parë për çdo pranverë, vit pas viti. Por, popullata e kësaj shkabe gjithmonë e më tepër po përballet me rreziqe, të cilat, nëse të gjithë nuk japim kontributin tonë, mund të sjellin zhdukjen e shkabës së fundit folezuese në shqipëri, kalit të qyqes.
 
Na ndiqni në vijimësi me historitë e individëve të tjerë lidhur me shkabën e mrekullueshme.
Postime të ngjashme
Komente

Your email address will not be published.Required fields are marked *