Përgjatë këtyre tre muajve, bashkë me ekspertë, komunitetin lokal dhe pushtetin vendor në komunën e Hasit u realizuan disa takime për të vendosur hapat vijues të projektit “Nisma e Pyjeve Veriore”. Të dhënat gjeohapësinore, diskutime mes gjithë aktorëve dhe një ekspertizë e detajuar teknike të mbledhura gjatë takimeve, na ndihmojnë të përcaktojmë saktësisht zonat ku do të marrë jetë projekti ynë për pyjet veriore në Pashtrik-Morinë. Biodiversiteti në këtë zonë përfaqëson një thesar të rëndësishëm ekologjik brenda peizazhit të larmishëm. I ndodhur në rajonin verior të Shqipërisë, Pashtrik Morina karakterizohet nga biodiversiteti i pasur, me habitate për lloje të shumta të florës dhe faunës, disa prej të cilave janë të rralla dhe të rrezikuara, si rrëqebulli i Ballkanit. E megjithatë, kjo zone përballet me kërcënime nga shpyllëzimi, fragmentimi i habitateve dhe praktikat e paqëndrueshme të shfrytëzimit të tokës. Aktivitetet njerëzore si prerja e drurëve, bujqësia dhe infrastrukturat gri paraqesin sfida të rëndësishme për ruajtjen e këtij ekosistemi. Përpjekjet tona janë pjesë e një nisme globale për të ruajtur këto mrekulli natyrore për brezat që do të vijnë, të implementuara nga IUCN Eastern Europe and Central Asia, Macedonian Ecological Society dhe PPNEA, me mbështetjen e Svenska Postkodstiftelsen.