Rrjeti “Shpëtimtarët e Kalit të Qyqes” është ndërtuar në mënyrë të natyrshme, takim pas takimi, në zonat e mrekullueshme malore të Luginës së Drinos. Anëtarët e këtij rrjeti janë banorë lokal me profesione të ndryshme, si barinj, mësues, përfaqësues institucionesh, veterinerë, etj.
Ky grup luan një rol tejet të rëndësishëm për rritjen e ndërgjegjësimit në nivel lokal lidhur me kërcënimet ndaj kalit të qyqes (Neophron percnopterus), shkabës së fundit folezuese në Shqipëri. Anëtarë të këtij grupi janë përfshirë edhe në aksione të drejtpërdrejta konservuese, si furnizimi me ushqim i stacioneve suplementare apo mirëmbajtja e tyre.
Në datat 13-14 nëntor, në Luginën e Drinos, PPNEA organizoi disa takime me anëtarë të këtij rrjeti, të cilëve ju dhuruan materiale si termusa, mushama kundër shiut, çanta dhe kapele me siluetën e kalit të qyqes. Këto dhurata u pranuan me kënaqësi nga anëtarët e grupit, të cilëve i falte kënaqësi pamja e stampuar e shkabës së mrekullueshme.
Këto takime u shoqëruan me diskutime mbi ruajtjen e popullatës së kalit të qyqes, rreziqet që i kanosen, konfliktet midis barinjve dhe jetës së egër, si dhe mundësitë e zhvillimit të qëndrueshëm në zonë.
© PPNEA
© PPNEA
© PPNEA