NISMA E PËRBASHKËT KUNDËR KRIMEVE TË JETËS SË EGËR

NISMA E PËRBASHKËT KUNDËR KRIMEVE TË JETËS SË EGËR

Javën e kaluar, PPNEA organizoi një takim mbi krimet e jetës së egër në Shqipëri, i cili mblodhi së bashku shumë aktorë kryesorë me përfaqësues nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përfaqësues të bashkive vendore në Pogradec dhe Bilisht, Prokuroria e Korçës, Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) dhe përfaqësues të Agjencive Rajonale të Zonave të Mbrojtura në Tiranë, Shkodër, Kukës, Elbasan, Pogradec, Korçë, Berat, Gjirokastër dhe Fier. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Federata Kombëtare e Gjuetisë dhe organizata të specializuara në ndërhyrjet e shpëtimit të jetës së egër.

Ky takim në fokusin e tij kishte rritjen e ndërgjegjësimit për krimet që kryhen, me theks të veçantë në llojet e rrallë dhe të rrezikuar të gjitarëve si rrëqebulli i Ballkanit, ariu i murrmë dhe dhia e egër, si dhe vrasja apo helmimi i paligjshëm i shpendëve. Objektiv ishte të nënvizohej nevoja për të rritur bashkëpunimet ndërmjet institucioneve dhe për të ndërtuar kapacitete në identifikimin dhe kuptimin e ndikimeve të krimeve të jetës së egër.

Diskutimet gjatë takimit trajtuan monitorimin e jetës së egër dhe rolin vendimtar të mbledhjes së të dhënave. ADZM Elbasan, ADZM Korçë dhe PPNEA, prezantuan iniciativat për monitorimin e llojeve në Zonat e Mbrojtura dhe biokorridoret. Këto nisma theksojnë rëndësinë e lidhjes së habitateve dhe korridoreve ekologjike në ruajtjen e jetës së egër dhe biodiversitetit.

Duke njohur krimet ndaj jetës së egër si një shkelje e rëndësishme mjedisore, takimi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis autoriteteve përkatëse dhe palëve të interesuara, duke evidentuar gjithashtu nevojën për ndërgjegjësimin e publikut dhe nismat e përbashkëta.  

#BalkanLynxRecoveryProgramme
#BalkanDetoxLIFE
#EuroNatur
#AlbanianWildlifeRescueTeam
#FourPaws
#SafeFlyWays

Postime të ngjashme