PPNEA së fundmi ka realizuar në Luginën e Drinos një nga aktivitetet që mund të konsiderohet një ndër më të rëndësishmet nga aspekti i ndërgjegjësimit, si zëvendësimi i kafshëve të balsamosura të ekspozuara nëpër lokale apo restorante të ndryshëm për qëllime dekori apo zbukurimi.
Ekipi ynë vizitoi fshatin Progonat, ku në një lokal, fatkeqësisht, ishin ekspozuar disa lloje të balsamosur, duke përfshirë dhe ato lloje që janë të rralla apo mbrojtura si psh. rasti i një individi të bufit (Bubo bubo), i cili mbart statusin CR në vendin tonë. Pronarët e lokalit u treguan mjaft bashkëpunues dhe dashamirës ndaj kësaj nisme, ku në vend të kafshëve të balsamosura ju dhuruan fotografi me cilësi të lartë të disa llojeve të shpendëve simbol në zonë apo rajon, si kali i qyqes, shqiponja e malit, skifteri kthetrazi, etj. Vec përkrahjes së nismës, pronarët e lokalit shprehën gadishmërinë për të ndihmuar në mbrojtjen dhe ruajtjen e kalit të qyqes dhe shpendëve të tjerë të zonës. Akoma më tej, ekipi ynë ka identifikuar edhe dy restorante në zonë të cilat mbajnë kafshë të balsamosura, të cilët kanë pranuar gjithashtu me kënaqësi praktikën e zëvendësimit të tyre me fotografi.
Vrasja e kafshëve të egra me motiv balsamimin apo ekspozimi i llojeve të mbrojtura për dekor, vazhdon të mbetet një fenomen i përhapur në vendin tonë. Kjo praktikë përfaqëson një ndër shkaqet që ka çuar në përkeqësimin e disa popullatave të llojeve të ndryshme të faunës, duke përmendur këtu edhe lloje të rrezikuara në mënyrë kritike për zhdukje.
Kjo nismë, tashmë e ndërrmarrë ndër vite nga PPNEA, mbështetet nga CEPF dhe projekti “Jetë e Re për Kalin e qyqes”.
Falenderojme përzemërsisht Znj. Flutura për mbështetjen e nismës dhe Jetmir Troshani për përdorimin e fotos së simbolit tonë kombëtar, shqiponja e malit, në këtë nismë.