Panairi me produkte lokale në Fushë-Arrëz: Banorët nxjerrin në pah thesaret e Malit të Munellës

Panairi me produkte lokale në Fushë-Arrëz: Banorët nxjerrin në pah thesaret e Malit të Munellës
Ditën e djeshme, në qytezën e bukur të Fushë-Arrëzit, u organizua panairi me produkte lokale kushtuar Malit të Munellës, strehës kryesore të rrëqebullit të Ballkanit (Lynx lynx balcanicus) në Shqipëri. Ky event u organizua nga Qendra Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë, në bashkëpunim me Bashkinë Fushë-Arrëz, të cilat u mbështetën nga PPNEA në kuadër të Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit.
 
Banorët lokal, me kënaqësi i ngritën stendat e tyre ku ekspozuan produkte ushqimore dhe kulturore të lidhura me Malin e Munellës, si lëngjet e prodhuara nga frutat e pyllit, bimë medicinale, përpunimi artistik i drurit dhe baltës, etj. Dashamirësia ndaj natyrës u tregua qartazi në fytyrën e banorëve, të cilët e pohuan disa herë se Munella e meriton të shpallet si Zonë e Mbrojtur. Panairi u ndoq edhe prej përfaqësuesve të Bashkisë Fushë-Arrëz, e cila po njësoj si banorët ka shprehur mbështetjen e plotë ndaj çeshtjes së Munellës. Zv. Kryetari i Bashkisë, z. Sokol Gjoni, mbajti një fjalë përshëndetëse, duke nënvizuar rëndësinë e këtij mali për natyrën e biodiversitetin. Gjithashtu, Drejtori Ekzekutiv i PPNEA, Dr. Aleksandër Trajçe, në fjalimin e tij u shpreh se të tilla evente, të nxitura nga komuniteti lokal, janë tejet të rëndësishme për kauzat natyrore.
 
Nëpërmjet këtij aktiviteti, ekipi ynë kishte si qëllim ri-sjelljen në vëmendjen e autoriteteve çështjen e Munellës, duke shpresuar për finalizimin e shpejtë të shpalljes së këtij mali si Zonë e Mbrojtur.
 
© PPNEA
 
© PPNEA
 
© PPNEA
 
© PPNEA
 
© PPNEA
 
© PPNEA
Postime të ngjashme