Një përvjetor i trishtë i paralajmëruar për lumin Vjosa

Një përvjetor i trishtë i paralajmëruar për lumin Vjosa
Kërcënimi i rrezikshëm nga dëmtimi e ndërhyrja që po i bëhej lumit Vjosa, që do të sillte pasoja katastrofike për Zonat e Mbrojtura të vendit tonë, u paralajmërua nga PPNEA një vit më pare. Sot, një vit pas përcaktimit të lumit Vjosa si Park Kombëtar, situata me rrjetin tonë të Zonave të Mbrojtura, është edhe më e rëndë. Ndryshimet e fundit të ligjit tani lejojnë ndërtimin brenda këtyre ekosistemeve jetike, duke i lënë ato totalisht të pambrojtura. Por, gjithçka nisi me ndërtimin e një aeroporti ndërkombëtar në zemër të deltës së Vjosës, pjesës më të çmuar të saj. PPNEA e shprehu qëndrimin e saj, duke parashikuar një ortek zhvillimi të paqëndrueshëm dhe turizmi të shfrenuar që do të rrezikonte trashëgiminë tonë natyrore. Tani, më shumë se kurrë, mjedisi ynë ka nevojë urgjente për mbrojtje. Konventa e Bernës ka ndërhyrë për të ndalur projektin e aeroportit, duke vënë në pah mungesën e mbrojtjes së Vjosës dhe shqetësimet e komuniteteve lokale. Megjithatë, qeveria vazhdon në propagandën e saj dhe përtej aeroportit tani po përballemi me kërcënime edhe me ndërhyrjen në një nga degët më të bukura të saj, Shushicën. Për këtë përvjetor, le të kujtojmë se çfarë do të thotë në të vërtetë kjo datë: FILLIMIN E PROPAGANDËS SË GENJESHTËRT TË ZONAVE TË MBROJTURA TË SHQIPËRISË.
Postime të ngjashme