Një shkallë mbrojtje e lartë për rrëqebullin e Ballkanit

Një shkallë mbrojtje e lartë për rrëqebullin e Ballkanit

Deklaratë e përbashkët për shtyp nga MES, PPNEA, ERA, KORA dhe EuroNatur

Një shkallë mbrojtje e lartë për rrëqebullin e Ballkanit

++ Konferenca mbi Konventën e Llojeve Shtegtuese (CMS) zhvillohet në Uzbekistan ++ Rrëqebulli i Ballkanit tashmë është gjithashtu i përfshirë në marrëveshje ++ Shtetet e përfshira angazhohen për masat për të mbrojtur felinin e rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje ++

Tiranë, Samarkand. Lajm i mirë nga konferenca CMS në Uzbekistan: Rrëqebulli Euroaziatik si dhe nënlloji i tij i rrezikuar, rrëqebulli i Ballkanit, i janë shtuar listës së llojeve shtegtuese.

“Ky është një lajm fantastik për të gjithë specialistët e rrëqebullit në Evropë dhe Azi”. – tha Dime Melovski nga organizata për mbrojtjen e natyrës MES (Macedonian Ecological Society / Shoqata Ekologjike e Maqedonisë). Ai prezantoi aplikimin për renditjen e rrëqebullit të Ballkanit në Samarkand. – “Sa i përket rrëqebullit të Ballkanit, me qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në anën tonë, tani mund të ndërmarrim hapa të mëtejshëm të rëndësishëm për të mbrojtur këtë popullatë të rrezikuar.”

Propozimi për përfshirjen e rrëqebullit të Ballkanit në Shtojcën I-rë të Marrëveshjes është bërë nga qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe është mbështetur nga qeveria shqiptare. Kjo është veçanërisht e kënaqshme, pasi me këtë hap, zyrtarët e qeverisë po angazhohen qartësisht për të mbrojtur këtë lloj të rrallë. Kanë mbetur më pak se 50 individë të rrëqebullit të Ballkanit. Popullata e tyre është e shpërndarë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë. Në prag të konferencës, partnerët e projektit EuroNatur MES në Maqedoninë e Veriut (Macedonian Ecological Society) dhe PPNEA në Shqipëri (Organizata për mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri), bënë një fushatë për këtë hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së rrëqebullit të Ballkanit dhe lobuan tek qeveritë në Shkup dhe Tiranë.

Me përfshirjen e rrëqebullit të Ballkanit në CMS, qeveritë e vendeve angazhohen për krijimin e kushteve më të mira të mundshme për ruajtjen e tij. Kjo përfshin, ndër të tjera, zhvillimin e një strategjie rajonale për mbrojtjen e nënllojeve të rrezikuar dhe për të mbërritur në planet kombëtare të veprimit. Kjo do të lehtësojë përpjekjet ndërkufitare të ruajtjes, të tilla si monitorimi i rrëqebullit të Ballkanit.

“Ky vendim shënon një angazhim të rëndësishëm për mbrojtjen e rrëqebullit të Ballkanit nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri,” thotë Lisa Leschinski, Menaxhere e projektit në EuroNatur. – “Ne do të monitorojmë nga afër nëse premtimet do të ndiqen me veprime.”

 

Më shumë informacion:

– Konventa për Ruajtjen e Llojeve Shtegtuese të Jetës së Egër (CMS): Si një traktat mjedisor i Kombeve të Bashkuara, CMS ofron një platformë globale për ruajtjen e llojeve shtegtuese dhe habitateve të tyre. Llojet shtegtuese të kërcënuara me zhdukje janë renditur në Shtojcën e I-rë të Konventës. Pjesëmarrësit në CMS përpiqen të mbrojnë rreptësisht këto lloje, të ruajnë ose restaurojnë vendet ku ato jetojnë, të heqin çdo kërcënim që ndikon negativisht në shtegtimin e tyre dhe të kontrollojnë faktorë të tjerë që mund t’i rrezikojnë.

Përveç vendosjes së detyrimeve për çdo shtet që aderon në Konventë, CMS promovon aksione të bashkërenduara ndërmjet shteteve të përfshira, së shumë prej këtyre llojeve. CMS e 14-të zhvillohet nga 12 deri më 17 shkurt në Samarkand, Uzbekistan.

– Rrëqebulli dhe CMS: Aplikimi për përfshirjen e rrëqebullit në CMS përfshin listën e rrëqebullit euroaziatik në Shtojcën II dhe një prej nënllojeve të tij, rrëqebullin e Ballkanit, në Shtojcën e I-rë. Përveç Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovina dhe Uzbekistani ishin bashkë-propozues për përfshirjen e rrëqebullit të Ballkanit në listën e llojeve shtegtuese.

– Rrëqebulli i Ballkanit: Rrëqebulli i Ballkanit është një nënlloj i rrëqebullit euroaziatik. Vetëm më pak se 50 individë të këtij lloji të rrezikuar enden nëpër pyjet malore të Ballkanit jugor. Rrëqebulli i Ballkanit po përballet me mungesën e habitateve të mëdha dhe vijuese, për shkak të përdorimit të tepërt të pyjeve për dru zjarri dhe prodhim druri. Kjo po rezulton gjithashtu në mungesë të gjahut dhe situata po përkeqësohet më tej nga gjuetia e paligjshme e popullatave, tashmë të pakësuara të jetës së egër. Megjithatë, edhe rrëqebulli shpesh bie viktimë e gjuetarëve të paligjshëm që kërkojnë trofe të rrallë ose që fajësojnë këtë lloj grabitqar për ngordhjen e kafshëve shtëpiake. Së bashku me organizatat partnere në Zvicër (KORA) dhe Evropën Juglindore (ERA, MES, PPNEA), EuroNatur angazhohet në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes së Rrëqebullit të Ballkanit (BLRP) për të promovuar njohuritë rreth rrëqebullit, duke mbrojtur në mënyrë efektive llojin e pakapshëm dhe ruajtjen e habitateve të tyre.

Për detaje të metejshme: Lorena Xhafaj, Email: [email protected], Tel.: +355 69 211 8037

Postime të ngjashme