17 qershor 2026
Deputetët e Parlamentit Europian votuan për t’i kërkuar Shqipërisë të shfuqizojë legjislacionin që lejon shkatërrimin e zonave të mbrojtura dhe të pezullojë të gjitha zhvillimet e reja brenda tyre derisa kjo të realizohet.
Sot, Parlamenti Europian miratoi rezolutën e tij mbi Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025, duke shprehur shqetësim serioz për zhvillimet e vazhdueshme brenda Zonës së Mbrojtur Vjosë–Nartë dhe duke theksuar se shteti i së drejtës dhe standardet mjedisore të Bashkimit Europian janë kushte të panegociueshme për anëtarësim. Rezoluta bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, legjislacion që ka mundësuar shkatërrimin e një prej zonave natyrore më të jashtëzakonshme të Mesdheut dhe ka nxitur protestat më të mëdha qytetare që Shqipëria ka parë në një brez.
Rezoluta kërkon gjithashtu një “moratorium të menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura të shfuqizohen dhe të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës”.
Më shumë se 100,000 shqiptarë kanë dalë në rrugë gjatë 18 ditëve të fundit në atë që tashmë njihet ndërkombëtarisht si “Revolucioni i Flamingove”, një lëvizje qytetare kundër shkatërrimit të paligjshëm të pyjeve, dunave të lashta dhe habitateve të mbrojtura në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë–Nartë.
Rezoluta e miratuar kërkon në mënyrë të veçantë shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë infrastrukturë turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe dobësojnë mekanizmat kryesorë të mbikëqyrjes mjedisore. Eurodeputetët shprehën gjithashtu shqetësim të thellë për Ligjin Shqiptar për Investimet Strategjike, pasi procedurat e përshpejtuara të lejeve rrezikojnë të anashkalojnë kontrollin mjedisor në zona të ndjeshme.
Rezultati i votimit të sotëm qëndron në kontrast të fortë me reagimin e Komisionit Europian ndaj paligjshmërive të konstatuara. Më 15 qershor, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Komisioni kishte marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të kryhej një vlerësim i ndikimit në mjedis, duke injoruar faktin se punimet e paligjshme tashmë kishin ndodhur, pa leje, pa transparencë dhe pa një vlerësim të ndikimit në mjedis. Parlamenti Europian ka treguar më shumë angazhim sesa Komisioni në mbrojtjen e ligjeve të BE-së.
Peizazhi i Mbrojtur Vjosë–Nartë është pjesë e sistemit të fundit të paprekur deltash në Mesdhe. Ai strehon mbi 200 lloje shpendësh dhe më shumë se 70 lloje të rrezikuara, ndodhet në një nga korridoret më të rëndësishme të migrimit në Europë dhe ofron habitat jetik për fokën e mesdheut dhe breshkën e detit kokëmadhe, lloj për të cilat shtete anëtare të BE-së si Greqia, Italia dhe Kroacia kanë detyrime ligjore për mbrojtjen e tyre. Ajo që ndodh këtu nuk mbetet vetëm në Shqipëri.
Që nga fillimi i majit 2026, punimet kanë vazhduar brenda zonës së mbrojtur pa një projekt të publikuar, pa vlerësim të ndikimit në mjedis, pa konsultim publik dhe pa leje të vlefshme, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me angazhimet e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, si në kuadër të acquis mjedisor, ashtu edhe të Grupkapitullit 1 për shtetin e së drejtës. Kjo vjen pas ndërtimit të paligjshëm të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në të njëjtën zonë, i cili nisi në nëntor 2021.
Joni Vorpsi, Drejtor i Politikave dhe Advokimit në PPNEA:
“Thirrja e Parlamentit Europian për një moratorium të menjëhershëm është pikërisht ajo që nevojitet në përpjekjen tonë për të mbrojtur Vjosë–Nartën. Ajo u jep autoriteteve shqiptare kohën dhe qartësinë e nevojshme për t’u përafruar me standardet europiane të mbrojtjes së natyrës dhe për të shmangur gabime të pakthyeshme që do të dëmtonin rrugën europiane të Shqipërisë. Ne e duam Shqipërinë në familjen europiane dhe pikërisht për këtë arsye nuk mund të lejojmë që kjo çështje të trajtohet gabimisht.”
Anouk Puymartin, Drejtuese e Politikave në BirdLife Europe:
“Sot, Parlamenti Europian është rreshtuar përkrah mijëra shqiptarëve që protestojnë në rrugët e Tiranës. Ky votim dërgon një mesazh të qartë: nuk mund t’i bashkohesh Bashkimit Europian ndërkohë që shkatërron ligatina të mbrojtura me buldozerë dhe anashkalon ligjet e tua. Mbrojtja e Vjosë–Nartës dhe respektimi i Direktivave të Shpendëve dhe Habitateve janë kushte themelore për anëtarësimin në BE. Shqiptarët që protestojnë në Tiranë e kanë kuptuar tashmë se mbrojtja e natyrës dhe mbrojtja e demokracisë janë e njëjta betejë. Sot, edhe Parlamenti Europian e tha këtë.”
Po shtohen shqetësimet se vende të tjera të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE po e ndjekin me vëmendje këtë rast dhe mund të konsiderojnë legjislacion të ngjashëm. Votimi i sotëm e bën të qartë se një rrugë e tillë është e papajtueshme me anëtarësimin në Bashkimin Europian.
FUND
Shënim për redaktorët: BirdLife Europe dhe PPNEA janë angazhuar në këtë çështje që nga fillimi. PPNEA ka zhvilluar prej vitesh fushata për mbrojtjen e Vjosë–Nartës dhe është e pranishme në terren gjatë protestave aktuale. Të dyja organizatat ishin të pranishme sot në Strasburg para dhe gjatë votimit.
Burimi: EU Parliament backs nature as Albania’s ‘Flamingo Revolution’ reaches Strasbourg – BirdLife International



