NJOFTIM PËR SHTYP – PPNEA dhe BirdLife Europe and Central Asia njoftojnë skandalin për ndërhyrjet shkatërruese në Zonën e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë dhe shkeljet e kushteve për integrimin në Bashkimin Europian

NJOFTIM PËR SHTYP – PPNEA dhe BirdLife Europe and Central Asia njoftojnë skandalin për ndërhyrjet shkatërruese në Zonën e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë dhe shkeljet e kushteve për integrimin në Bashkimin Europian
NJOFTIM PËR SHTYP
PPNEA dhe BirdLife Europe and Central Asia njoftojnë skandalin për ndërhyrjet shkatërruese në Zonën e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë dhe shkeljet e kushteve për integrimin në Bashkimin Europian

Tiranë, 5 Maj 2026

Më 4 maj, Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), në cilësinë e partnerit të BirdLife International, organizoi një konferencë për shtyp së bashku me përfaqësues të BirdLife Europe and Central Asia, ku u ndanë me publikun shqetësime urgjente mbi zhvillimet në Zonën e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë.

Në konferencë morën pjesë Ariel Brunner, Drejtor Rajonal i BirdLife Europe and Central Asia, dhe Anouk Puymartin, Drejtore e Politikave në BirdLife Europe and Central Asia, së bashku me Aleksandër Trajçe, Drejtor i PPNEA, dhe Zydjon Vorpsi, Drejtor i Politikave në PPNEA.

Gjatë konferencës, PPNEA ndau me publikun skandalin e ndërhyrjeve të fundit në Zonën e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë, një nga ekosistemet më të rëndësishme bregdetare në Shqipëri dhe në nivel evropian, në një nga pjesët më të rëndësishme të zonës së mbrojtur. Në të njëjtën zonë po planifikohet të zbatohet edhe projekti i Jared Kushner. Sipas verifikimeve në terren, aktualisht po zhvillohen ndërhyrje intensive me makineri të paidentifikuara që po ndërhyjnë drejtpërdrejt në habitat. Nuk ka asnjë njoftim zyrtar apo informacion nga autoritetet mbi atë që po ndodh në zemër të Zonës së Mbrojtur.

Kjo shënon një përshkallëzim të qartë të situatës në terren, duke kaluar nga shqetësimi në një realitet konkret ndërhyrjesh. Siç u theksua gjatë konferencës, tashmë jemi përballë një situate të re. Përtej optimizmit që sjell procesi i integrimit dhe ndryshimeve ligjore të kërkuara nga Komisioni Europian, në terren konstatohet qartë se po shtrohet çakull dhe materiale të tjera, po sheshohet terreni, po hiqet vegjetacioni dhe po priten pemë. Pra, nuk kemi të bëjmë më me një proces burokratik në letër, por me ndërhyrje konkrete që po ndryshojnë realitetin ekologjik të zonës në kohë reale. Ekziston një rrezik real që deri në momentin kur ligji të ndryshohet, dëmi në natyrë të jetë tashmë i pakthyeshëm.

“Natyrisht që kjo është një situatë tejet e padëshirueshme për ne, pasi i hap rrugë zhvillimeve tejet problematike, shkatërrimit dhe alterimit të habitateve natyrore në mënyrë të pakthyeshme. Dhe në momentin që ligji i zonave të mbrojtura do të rikthehet në linjë me standardet e Bashkimit Europian, kemi frikën se shumë pak do të ketë mbetur për t’u ruajtur në natyrë, në mënyrë që ky ndryshim të japë një efekt real pozitiv në terren.” – theksoi Aleksandër Trajçe, Drejtor i PPNEA.

Kjo krijon një situatë paradoksale: nga njëra anë angazhim për standarde europiane, nga ana tjetër shkatërrim i përshpejtuar në terren. Këto ndërhyrje po ndodhin në mungesë të plotë transparence dhe pa asnjë informacion publik mbi:

  • Projektet zhvillimore
  • Lejet e ndërtimit
  • Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM)
  • Konsultimet publike të detyrueshme
  • Konsultime me ekspertët e mjedisit.

Kjo situatë tregon vijimin e paligjshmërisë dhe agresionin me të cilin përballen Zonat e Mbrojtura. Këto zhvillime ndodhin në një moment kritik për Shqipërinë, e cila ka hapur negociatat për Kapitullin 27 – Mjedisi, një nga kapitujt më sfidues të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Mesazhi i përfaqësuesve të BirdLife ishte i qartë:

“Ne kemi pasur një bisedë shumë konstruktive dhe të hapur dhe shpresojmë vërtet të shohim qeverinë shqiptare duke qëndruar në përmbushjen e angazhimeve të saj, duke zbatuar siç duhet legjislacionin e Bashkimit Europian, përfshirë rrjetin Natura 2000, dhe duke kaluar nga mbrojtja drejt restaurimit. Kemi marrë garanci se legjislacioni shqiptar do të përshtatet, ose të paktën propozimet për përshtatjen e tij do të bëhen brenda këtij viti. Kjo është shumë pozitive dhe inkurajuese. Ajo që na duket më pak inkurajuese është se, në momentin që flasim, jashtë po veprojnë buldozerë në mënyrë krejtësisht të paligjshme, bazuar në vendime të paqarta dhe pa transparencë se nga kush janë marrë, dhe kjo duhet të ndalet. Ne i kemi kërkuar ministrit të ndërhyjë dhe të sigurohet që asnjë fakt i paligjshëm në terren të mos krijohet, ndërsa procesi ligjor ende nuk është finalizuar. Ne jemi sigurisht shpresëplotë që qeveria do të bëjë detyrën e saj dhe do të respektojë së pari ligjshmërinë shqiptare dhe më pas atë europiane.

Zona e Pishë Poro–Nartës është pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë–Nartë dhe një nyje kyçe për shpendët shtegtarë në korridorin Evropë–Afrikë. Shkatërrimi i saj nuk është vetëm një çështje lokale, është një goditje ndaj biodiversitetit evropian dhe ndaj një sistemi natyror jetik.

PPNEA dhe partnerët ndërkombëtarë i bëjnë thirrje institucioneve shqiptare:

  • Të ndalojnë menjëherë çdo ndërhyrje në Zonën e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë
  • Të bëjnë transparente çdo projekt dhe leje të dhënë
  • Të kryejnë verifikim të plotë ligjor të situatës
  • Të zbatojnë rigorozisht procedurat e VNM dhe konsultimit publik
  • Të ndërhyjnë urgjentisht për ndalimin e çdo aktiviteti të paligjshëm

Shqipëria ndodhet përballë një zgjedhjeje të qartë: të zbatojë ligjin dhe të mbrojë pasuritë e saj natyrore, ose të lejojë krijimin e një precedenti të rrezikshëm që minon të ardhmen e saj europiane dhe mjedisore. Zhvillimet në ditët në vijim do të tregojnë nëse institucionet do të mbrojnë ligjin, apo do të lejojnë që faktet në terren të vendosen nga buldozerët.

 

Postime të ngjashme